Në mesazhin Urbi et Orbi, sfida e Pashkëve: paqe e çarmatosur për një botë ende në luftë
Me kardinalin shqiptar Ernest Simoni, i pranishëm në lozhën qendrore të Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV kumton Ringjalljen e Krishtit si një forcë jo të dhunshme, që e ndryshon historinë dhe denoncon “globalizimin e indiferencës” para konflikteve bashkëkohore. I fton të gjithë që më 11 prill të luten me të për paqen
Pashkët e këtij viti qenë të veçanta për shqiptarët. Papa Leoni XIV e dha Mesazhin e tij tradicional Urbi et Orbi nga lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, me pjesëmarrjen e kardinalit shqiptar Ernest Simoni – në të majtë të Atit të Shenjtë – të cilin e ftoi të ishte i pranishëm me të kur iu drejtua Romës e botës dhe i përshëndeti besimtarët në gjuhë të ndryshme, duke u bërë urimet të gjithëve. Kardinali 97-vjeçar, më 7 prill, kremton 70-vjetorin e shugurimit të tij meshtarak, që – po e kujtojmë – u bë në kushtet e persekutimit kundër fesë gjatë diktaturës ateiste në Shqipëri. Prania e tij në lozhën e Bazilikës së Shën Pjetrit ishte arsye krenarie për gjithë shqiptarët, kudo ndodhen e veçanërisht kuptimplote në ditën e Pashkëve, që shënon fitoren e jetës mbi vdekjen, ashtu siç shënoi ngadhnjimin e kryqit të Krishtit e të fesë edhe në Shqipëri, pas komunizmit.
Pikërisht sot në mesditë, bashkësia e krishterë e mbarë globit ishte e lidhur me qendrën e krishterimit për të dëgjuar Atin e Shenjtë e kumtin e Ringjalljes së Krishtit, i cili, siç theksoi Papa, nuk është vetëm ngjarje feje, por thirrje urgjente për të reflektuar mbi lirinë tonë, mbi marrëdhëniet njerëzore dhe mbi paqen.
Fitorja e jetës mbi vdekjen
Në mesazhin e tij, Papa Leoni XIV theksoi rëndësinë universale të Pashkëve, duke e quajtur atë “fitoren e jetës mbi vdekjen”. Duke kujtuar himnin e lashtë liturgjik të Sekuencës së Pashkëve, Papa theksoi se Ringjallja është forca që i jep mundësinë njerëzimit të kapërcejë të keqen, urrejtjen dhe përçarjen.
“Zoti i jetës ishte i vdekur, por tani, i gjallë, triumfon”, ngriti zërin ai, duke theksuar flijimin e jashtëzakonshëm të Krishtit për shpëtimin e njerëzimit. Një sakrificë, që nuk është thjesht simbolike, por akt konkret dashurie: “Krishti, ‘Mbreti ynë fitimtar’, luftoi dhe fitoi betejën e tij, duke iu bindur vullnetit të Atit”, shtoi Papa, duke theksuar natyrën jo të dhunshme të gjestit të Jezusit.
Një thirrje për paqe konkrete
Në një botë të përçarë nga konfliktet, Papa bëri sërish një thirrje të fuqishme për paqe, duke i nxitur të pushtetshmit e botës të ulin armët dhe të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut. Nuk është fjala për një paqe sipërfaqësore, por për një paqe të lindur nga transformimi shpirtëror dhe nga dëshira për t’u takuar me njëri-tjetrin.
“Të mahnitemi nga Krishti! T’i lejojmë zemrat tona të ndryshojnë nga dashuria e Tij e pamasë për ne!” kërkoi Papa, duke i ftuar të gjithë ta lënë mënjanë dhunën dhe të ndjekin shembullin e të Ringjallurit, i cili zgjodhi të përballet me vdekjen me dashuri dhe falje, në vend të hakmarrjes.
Në këtë kontekst, Papa Leoni XIV kujtoi “globalizimin e indiferencës”, një koncept i dashur edhe për Papën Françesku, i cili vitin e kaluar pati folur për indiferencën në rritje ndaj mizorive të konfliktit. Papa bëri thirrje për një reflektim të thellë mbi mënyrën se si shoqëria bashkëkohore po bëhet gjithnjë e më e pandjeshme ndaj vuajtjeve të të tjerëve, duke e transformuar dhimbjen e tyre në një realitet të largët.
“Indiferente ndaj vdekjeve të mijëra njerëzve… indiferente ndaj pasojave të urrejtjes dhe të përçarjes, që mbjellin konfliktet”, denoncoi Leoni XIV, duke i nxitur të gjithë të mos dorëzohen kurrë para së keqes.
Ringjallja dhe shpresa për njerëzimin e ri
Së fundi, Papa Leoni XIV foli për Ringjalljen si fillimi i “njerëzimit të ri”, i thirrur për të jetuar drejtësinë, lirinë dhe paqen si parime themelore. Ringjallja nuk është thjesht ngjarje fetare, por shenjë e prekshme shprese për të gjithë:
“Paqja që na jep Jezusi nuk është ajo, që thjesht i bën armët të heshtin, por ajo, që e prek dhe e ndryshon zemrën e secilit prej nesh!” Ky mesazh i Papës, drejtuar individëve dhe kombeve, fton të ndërtojmë një të ardhme të bazuar në respektin e ndërsjellë dhe në të mirën e përbashkët.
Në përfundim të mesazhit, ftesa për t’u bashkuar me të në vigjiljen e lutjes për paqen, më 11 prill, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Është shenja, që të gjithë të krishterët mund t’i japin botës, pasi lutja është arma e tyre më e fuqishme për paqen. E, siç tha Ati i Shenjtë, Pashkët 2026, që kremtohen ndërsa globi përshkohet nga konflikte e dhunë, kërkojnë një reflektim të thellë se si, duke u nisur nga shpresa në Ringjalljen e Krishtit, mund të bëhemi dëshmitarë të një realiteti të ri ku e keqja nuk e ka më fjalën e fundit.
R.SH. – Vatikan
KOHA JONË SONDAZH

