Negociata Shqipëri-Gjermani, Veliaj: Përfitojnë disa mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani

Mbyllet me sukses raundi i parë i negociatave dypalëshe Shqipëri-Gjermani për marrëveshjen e pensioneve të emigrantëve. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, dhe Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, z. Hellmut Hoffmann, deklaruan sot, gjatë një konference për shtyp, se ky është hapi parë konkret për nënshkrimin përfundimtar të marrëveshjes në vjeshtë të këtij viti.

Ministri Veliaj tha se grupi teknik ka përfunduar pjesën më të madhe të marrëveshjes, nga e cila përfitojnë disa mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani. “Ne e çmojmë shumë një marrëveshje të tillë me Gjermaninë, nga e cila do të përfitonin disa mijëra shqiptarë që jetojnë sot atje. Ky është një hap konkret pas takimit të Berlinit, ku kryeministri Rama dhe kancelarja Merkel filluan një proces angazhimi më serioz dhe intensiv në Ballkan”, nënvizoi ai.

Z. Veliaj u shpreh se Shqipëria është e interesuar të zhvillojë negociata të ngjashme edhe me vende të tjera të BE-së. “Suksesi i negociatave me Gjermaninë do të shërbente edhe si standard, teksa negociojmë me vendet e tjera”, tha ai. Ambasadori Hoffmann theksoi se pas marrjes së statusit të vendit kandidat, ka ardhur momenti që Shqipëria të nënshkruajë marrëveshje të tilla, si kjo për mbrojtjen sociale.

“Pika thelbësore e kësaj marrëveshjeje është garantimi i mbrojtjes sociale për shtetasit e vendeve tona. Ky proces është një investim për të ardhmen”, nënvizoi ai. Sipas ambasadorit Hoffmann, në sfond të këtyre marrëveshjeve qëndron edhe rrjetëzimi i marrëdhënieve në sektorin ekonomik, si shkëmbimi i fuqisë punëtore mes dy vendeve.

“Tregu i punës në Gjermani është i interesuar për forca pune të kualifikuara nga Shqipëria. Por, rruga për të nisur një marrëdhënie punësimi në Gjermani nuk duhet të kalojë përmes kërkesës për azil. Kjo është mënyrë e gabuar. Ajo që na intereson është punësimi i fuqisë punëtore të kualifikuar, me arsimin përkatës dhe njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane”, u shpreh z. Hoffmann.

Raundi i parë i negociatave Shqipëri-Gjermani për nënshkrimin e marrëveshjes së pensioneve do të pasohet nga një raund i dytë që do të mbahet në muajin prill. Ndërkaq, një javë më parë, Sekretari gjerman i Shtetit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, z. Jorg Asmussen, tha se marrëveshja pritet të nënshkruhet në vjeshtë të këtij viti.

SHKARKO APP