Negociatat me BE-në, Shqipëria mbyll një tjetër kapitull/ Kos: Shqipëria para vitit 2030 në BE

Shqipëria ka mbyllur Kapitullin 20 të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, që lidhet me sipërmarrjen dhe politikën industriale. Këtë të martë në Luksemburg u mbajt në Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku morën pjesë kryeministri Edi Rama, komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe ministri irlandez për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne.

Komisionerja Kos përgëzoi Shqipërinë për progresin e arritur dhe mbështeti objektivin e qeverisë shqiptare për mbylljen e të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit 2027. Ajo theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE përpara vitit 2030 është i mundur, nëse vijon ritmi pozitiv i reformave dhe mbështetja nga vendet anëtare. Rama e cilësoi mbylljen e kapitullit një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit, duke theksuar se progresi nuk matet vetëm me numrin e kapitujve të mbyllur, por edhe me reformat, forcimin e institucioneve dhe rezultatet konkrete.

Nga ana e tij, ministri irlandez Thomas Byrne vlerësoi ecurinë e Shqipërisë dhe shprehu synimin e Presidencës irlandeze të BE-së për të mbyllur kapituj të tjerë negociues. Gjatë konferencës, Rama iu përgjigj edhe pyetjeve për investimin e lidhur me Jared Kushner dhe zhvillimet në institucionet shqiptare, duke mbrojtur projektin e investimit dhe duke argumentuar se funksionimi i drejtësisë është tregues i progresit të vendit në luftën kundër korrupsionit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Konferenca e plotë

Swiss Digital Mobile Reklama

Ministri i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne: E sotmja shënon një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe në të vërtetë, edhe për BE-në. Ishte kënaqësi e vërtetë të kryesoja Konferencën e 10-të Ndërqeveritare për Shqipërinë, së bashku me Komisioneren tonë për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos dhe Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama. Shqipëria sot ka mbyllur një kapitull tjetër negociues, që është Kapitulli 20 për Sipërmarrjen dhe Politikën Industriale, dhe kjo vazhdon momentin pozitiv, vrullin dhe shembullin pozitiv në kandidaturën e Shqipërisë, në atë që ka qenë një vit pozitiv për anëtarësimin e Shqipërisë, në vijim të përmbushjes së piketave të ndërmjetme të sundimit të ligjit për kapitujt 23-24. Në maj, Shqipëria mbylli 3 kapitujt e parë negociues, në korrik, gjatë muajve të parë të presidencës sonë, dhe sot po konfirmojmë që Shqipëria jo vetëm ka hyrë në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit, por vazhdon të bëjë progres. Kjo vazhdimësi, ky progres i qëndrueshëm, është dëshmi e angazhimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin tonë Evropian dhe vetëm mund ta inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë kështu në këtë drejtim, dhe ndërkohë do të publikohet edhe raporti i vitit 2026, dhe kjo do të jetë një mundësi për të bërë një inventar të arritjeve që janë bërë vitin e kaluar dhe do të identifikojmë ato fusha ku duhet punuar më tej për ta çuar Shqipërinë më pranë anëtarësimit në BE. Inkurajoj Kryeministrin Rama dhe Shqipërinë të vazhdojnë të ruajnë ritmin që kanë krijuar e të vazhdojnë të zbatojnë rekomandimet e Komisionit për të garantuar një progres të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit. Duke qenë se, ashtu siç Irlanda e ka parë në vetë të parë, zbatimi i reformave, jo vetëm u jep mundësi vendeve kandidate të jenë në harmoni me standardet e BE-së, por transformon në mënyrë domethënëse institucionet, ekonomitë dhe shoqëritë e tyre. Si presidencë, duam që të mbyllim kapituj të tjerë me Shqipërinë përpara përfundimit të saj, sepse e ardhmja qëndron dhe është në BE. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita edhe një herë! Faleminderit, i dashur Tomas, faleminderit, e dashur Marta! Sot Shqipëria ka hedhur një tjetër hap vendimtar drejt vendit të saj të drejtë në BE. Mbyllja e ndërmjetme e Kapitullit 20, që është Sipërmarrja dhe Politika Industriale, është një njohje më tej e reformave që ka realizuar Shqipëria dhe e transformimit që vendi vazhdon të ndërmarrë. Në vijim të vlerësimit shumë pozitiv të IBAR-it në maj 2026 për piketat e ndërmjetme, Kapitulli 20 bëhet kapitulli i katërt negociues që mbyllet përkohësisht brenda pak muajsh. Dhe ju dëgjova, i dashur Tomas, qartësisht, ju doni të bëni edhe më shumë. Ne duam së paku të bëjmë edhe dyfishin. Kështu që le të punojmë së bashku, shqiptarët dhe irlandezët, e le ta tundim këtë shtëpi, le ta bëjmë realitet. Nga ana tjetër, ne jemi të vetëdijshëm që progresi nuk matet thjesht me numrin e kapitujve të mbyllur; këta janë gurë kilometrikë të rëndësishëm, s’ka aspak dyshim, por progresi matet mbi të gjitha me reformat e realizuara, fuqizimin e institucioneve dhe rezultatet e prekshme që janë arritur. Edhe një herë, falënderime nga zemra për Presidencën Irlandeze, për ju personalisht, Tomas, dhe nuk ka aspak dyshim, për Komisionin Evropian, për Martën, ekipin e saj dhe së fundi në radhë, por jo nga rëndësia, të gjitha vendeve anëtare, për besimin, mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm përgjatë gjithë procesit. E dimë që kemi ende rrugë të gjatë për të bërë, por jemi gati e të përgatitur për t’ia dalë dhe, në të njëjtën kohë, pres me padurim që të mbahet Samiti i ardhshëm i Planit të Rritjes, së bashku me Forumin e Investimeve në Tiranë, dhe deri atëherë jam shpresëplotë që do të kemi bërë edhe më shumë progres e do të kemi edhe njohje të mëtejshme të progresit.

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos: I dashur kryeministër Rama, i dashur ministër Bern. Disa zakone janë të vështira t’i heqësh. Në fakt, mbajtja e katër konferencave ndërqeveritare është bërë një ndër tyre. Në fakt dje Tomas e quajtëm të hënën e Malit të Zi, sot super të martën. Është hera e tretë tashmë dhe ndërkohë që dëgjoj atë çfarë thatë i dashur Tomas, e di që nuk do ndalemi këtu dhe është një gjë e mirë Shqipëria është një nga kryesuesit e këtij progresi mbresëlënës që po arrijmë sot. Falë punës së madhe të Shqipërisë dhe mbështetjes së vendeve anëtare po mbyllim një tjetër kapitull negociues, kapitullin e 20 për sipërmarrjen dhe politikave industriale që ka të bëjë me ndihmën për bizneset shqiptare që të rriten, zhvillohen, konkurrojnë e të krijojnë më shumë vende pune. Bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare, reformave dhe kapitulli 20 sjell përfitime reale për ta. Shqipëria po ashtu po sjell politikat e saj industriale më pranë atyre të BE-së sidomos sa u takon teknologjive të reja, teknologjisë së pastër dhe materialeve të lëndës së parë kritike dhe këto janë thelbësore për të krijuar një ekonomi më të fortë shqiptare që është e gatshme të rritet dhe të zhvillohet në tregun e përbashkët të BE. Do përgëzoj institucionet shqiptare, administratën publike dhe qytetarët për një tjetër arritje dhe sidomos ju e dashur zonja ministre, e dashur Delina kjo është arritja juaj. Shqipëria i ka vënë vetes synimin ambicioz për të mbyllur të gjithë kapitujt negociues deri në fund të vitit 2027 dhe ne e mbështesim këtë ambicie, por për të arritur këtë ambicie shqipëria duhet të vazhdojë të japë rezultate sidomos për “Themeloret” dhe kjo punë duhet të përfshijë të gjithë qeverinë, opozitën, shoqërinë civile dhe qytetarët. Pse? Sepse anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar. Nga ana jonë ne po përgatitemi për një BE më të gjerë. Javën e kaluar, ne paraqitëm vlerësimin tonë sesi duhet të përgatitemi për një Bashkim europian më të madh. Mesazhi ynë ishte që ne mund ta bëjmë të funksionojë një bashkim më të madh, po i hedhim hapat e nevojshme që ta bëjmë këtë gjë realitet. E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian. Së bashku me ju, i dashur kryeministër po e bëjmë këtë gjë realitet dhe progresi i sotëm po e sjell atë të ardhme një hap më pranë drejt realizimit.

Pyetjet nga gazetarët

-A do të çojnë rregullat e reja të anëtarësimit drejt anëtarësimit të Shqipërisë përpara 2030?

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos: Këtë nuk e di. Do të mund t’i përgjigjem pyetjes suaj pak më vonë, sa më pranë të shkojmë drejt mbylljes së negociatave, aq më e lehtë do të jetë por ajo çfarë shohim tashmë, është një shtysë, një nxitje që vështirë e shohim për vendet që duan të arrijnë anëtarësimin dhe prandaj thashë që ne e mbështesim vizionin e Shqipërisë për t’i përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027. Nëqoftese dinamika në shtetet anëtare do të vazhdojnë të jenë po kaq pozitive sa sot, pastaj po, i kthehem pyetjes suaj, anëtarësimi përpara 2030 do të ishte i mundur.

– Përshëndetje nga “Kiev Indipendent’’. Kam dy pyetje për kryeministrin. E para, nuk e di nëqoftëse e dini tashmë, cilët janë kapitujt që do të mbyllë më pas Shqipëria dhe kur mendoni ju se do të ndodhë kjo në mënyrë realiste? E dyta, ju përmendët faktin që përparimi, progresi nuk matet vetëm me numrin e kapitujve të mbyllur dhe përmendet disa prej gjërave me të cilat matet, megjithatë kam përshtypjen që ndërkohë që procesi vazhdon, edhe hyn proceset politike, atëherë njerëzit duhet ta mbështesin këtë proces. Unë nuk jam shqiptar, megjithatë kur shoh për shembull zhvillimet me resortin Kushner dhe pastaj edhe shkarkimin apo ngjarjet me kreun e SHISH, të jep një lloj vibe, një lloj energjie specifike. Atëherë, çfarë ju bën të besoni se do të lëvizni në drejtimin e duhur dhe janë këto gjëra për të cilat duhet të shqetësoheni apo nëqoftëse janë gjëra për t’u shqetësuar, atëherë duhet të zgjidhen?

Kryeministri Edi Rama: Mirë, faleminderit dhe më lejoni së pari të shpreh respektin për gazetën tuaj nëqoftëse është gazeta që i lexoj emrin, “Kiev Indipendent’’; respekt për ju, vazhdoni të bëni atë punë kaq të mirë që po bëni. Për t’iu kthyer pyetjeve tuaja drejtpërdrejtë, një: jo, nuk jam i vetëdijshëm apo nuk është se e di se cili kapitull. Di që çdo kapitull ka rëndësinë e vet. Unë thjesht mbaj numrin, të tjerët që janë me mua, ka shumë njerëz janë të vetëdijshëm dhe njohin, jo vetëm çdo kapitull, por njohin edhe çdo paragraf në çdo kapitull. Mund t’ua garantoj këtë. Kemi një ekip fantastik dhe kjo është diçka që është pranuar edhe këtu, ku fjalët e mira nuk janë jo fort të lehta për t’u thënë. Për pyetjen tuaj të dytë, do t’ju ftoja të vinit në Shqipëri sepse kur e sheh Shqipërinë nga jashtë mund të hutohesh, mund të ngatërrohesh dhe po ta shohësh Shqipërinë me kaq filtra të sotëm të medias online, do të jeni tërësisht, do të hutoheni tërësisht, do të jeni i paqartë.

Nuk e di çfarë nënkuptoni me projektin e Jared Kushner, por po iu them atë çfarë është përmendur gjerësisht si projekt i Jared Kushner, është në fakt një projekt që përfshin shumë më tepër sesa një emër, dhe është një projekt për të cilin kemi një ambicie të madhe dhe që duam ta realizojmë si një model për mënyrën se si të investojmë e si të zhvillojmë në kohët e sotme në harmoni me natyrën. Më duhet t’ju them që edhe manifestimet që janë përcjell dhe transmetuar në mbarë botën kanë ndihmuar për të përmirësuar dhe për të na a bërë të ecim drejt rezultateve që do të jenë bindëse për shumë më shumë njerëz sesa në fillim. Por megjithatë është diçka që mbetet për t’u provuar dhe bazuar në fakte, ndaj presim me padurim momentin kur do tregojmë të gjithë punën që po bëhet. Nga ana tjetër mendoj që ju dhe vendi juaj mund ta kuptoni shumë mirë se ç’nënkuptoni kur flasim për situatat kur drejtësia bën punën e vet. Është ajo për të cilën kemi nevojë. Fakti që ju e dini tregon që sistem ka nisur të funksionojë.

Një herë e një kohë kur e nisëm këtë rrugëtim në këtë vend njiheshim si atdheu i kulturës së pandëshkueshmërisë. Vijmë ndërkohë këtu në këtë ndërtesë sot e njihemi si një ndër vendet pararojë edhe sepse kultura e pandëshkueshmërisë ka mbaruar dhe askush nuk është mbi ligjin dhe pikërisht sepse ai që dje ishte sistem i kontrolluar nga korrupsioni dhe sot është një sistem që lufton korrupsionin jemi këtu duke mbyllur një kapitull dhe do të kthehemi sërish për të mbyllur kapituj të tjerë. Është çështje këndvështrimi. Kështu e marrim ne motivimin dhe energjinë për të ecur përpara sepse nga këndvështrimi i kësaj ndërtese, kështu duhet të jetë dhe kështu duhet të ecim ne përpara.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?

Ke arritur limitin e votimit.

Results

Politika 3477 (34.5%)
Shoqeria civile 6595 (65.5%)

Vota totale: 10072