Nënshkruhet marrëveshja prej 53 milionë eurosh për ndërtimin e by pass-it të Vlorës
Ndërtimi i by pass-it të Vlorës, një ndër zonat me potencialin më të madh turistik në vend, do të përfundojë brenda 30 muajsh.
Në ministrinë e Transportit dhe Infrastruktures u nënshkrua sot marrëveshja mes kompanisë “Serenissima Construction International” dhe Autoritetit Kombëtar të Rrugëve për ndërtimin e by pass-it. Ky projekt është finacuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve dhe Delegacioni i Komisionit Europian në vlerën 53 milionë euro.
Ministri i Trasporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, i pranishëm gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm projektin, kërkoi nga kompania kontraktore të respektojë afatet e përfundimit të veprës, si dhe zbatimin e standardeve bashkohore europiane.
Ndërtimi i by-passit të Vlorës, tha ai, do t’i japë frymëmarrje qarkullimit në qytetin e Vlorës, një nga zonat me potencialin turistik më të madh që ka vendi dhe sigurisht, por edhe lëvizjes drejt jugut.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Serenissima Construction International”, Giuseppe Nardi shprehu angazhimin se do të punohet sipas standardeve bashkohore dhe projekti do të përfundojë brenda afateve.
“Aktualisht po punojmë me ministrinë e Transportit dhe ARRSH-në për by pass-in e Fier, ndaj kemi raport mes nesh dhe dimë si punojmë reciprokisht. Ndaj dhe ne do të angazhohemi që punimet në Vlorë të ecin shpejt, duke qënë se është edhe një arterie që komuniteti ka kaq nevojë dhe që do ti japë zhvillim turizmit, në një zonë kaq të bukur” tha Nardi.
Gjatësia e këtij aksi është 29 km. Bypass do të ketë dy korsi në ngjitje dhe një në zbritje dhe parashikon ndërtimin e 6 urave kryesore me gjatësi 50–150 m.