Nesër

Nga Arian Galdini
Nesër do të kemi përsëri të njëjtin zgjim. Askush nuk do të na e ndryshojë ëndrrat, e as makthet. Do të hapim sytë e nuk do të na shkojë ndërmend të presim a mëtojmë që mëngjesi të na nisë një ditë të re.
Do të jetë e njëjta ditë. Pikërisht ajo që lamë pas.
Kjo do të ndodhë sepse ne si qytetarë, përsëri, e përsëri, e përsëri, si ngahera në historinë tonë, së paku 103 vjecare si Shtet, kemi zgjedhur të flemë kur nata ka lodhur sytë tanë. Kaq thjeshtë.
Asgjë nuk kemi bërë ndryshe. Kemi shtyrë ditën deri në çastin kur nata ka ardhur, e sytë nuk kanë patur më fuqi mbi qepallat, për ti mbajtur hapur.
Ne nuk e kemi bërë ditën tonë. Ne e kemi shtyrë ditën tonë.
Të tillë qytetarë jemi.
Ditështyrës që lodhemi duke bluar njëri-tjetrin e me njëri-tjetrin, në mullinjtë tanë me fjalë e ndjenja, saqë nuk ka më thasë ta mbajnë miellin e limontisë që ne prodhojmë.
E ushqehemi me këtë miell jermi, deri në pangopësi, derisa kuptojmë se nginja çuditërisht nuk na vjen kurrë.
Ashtu jetojmë, rritemi, bashkëjtojmë, punojmë, dashurojmë, urrejmë, ndërtojmë, sundojmë, bindemi, vdesim, si të ushqyer me miell jermi, e pashtershmërisht të panginjur.
Ndaj edhe kur flemë, ne nuk ndryshojmë ditë. Thjesht bëjmë pushim nga lodhja e ditës që mbylli nata, për tu zgjuar të nesërmen, me urinë e vjetër të një dite të re.
Uria e vjetër, nuk e lejon ditën e re të bëhet tjetër ditë. Përkundërazi. E bën dhe ribën, të njëjtën ditë si ajo që kemi lënë pas dhe jetuar çdo ditë.
Prandaj, nesër nuk është më nesër, këtu në vendin tonë.
Ne nuk jetojmë as në dje, as në sot, e as do të kemi dot nesër. Koha në të cilën jetojmë ne, është vetëm e jona, është sui generis, është ditështyrje. Ne jetojmë në ditështyrje.
Ditështyrja e djeshme, ditështyrja e sotme dhe ditështyrja e nesërme, janë e njëjta ditë ku ne jetojmë paradoksalisht me kaq këmbëngulje e pezm.
Ndoshta prandaj edhe kemi kaq shumë ngasje për ta braktisur këtë vend, sepse përveç hapësirës së pashpresë, ne nuk gjejmë dot veten as në kohë.
Njeriu brenda nesh, sido që të jemi, sado që të dimë, çfarëdo që të kuptojmë, thërret natyralisht nevojën e tij për të jetuar në hapësirë e kohë njerëzore.
Këtu ku jemi, kështu si jemi, as hapësirën dhe as kohën nuk i kemi njerëzore.
Jemi vetëm mbijetojësa që jetojmë në hapësirë dhe kohë mbijetojësore.
Kur e kishim Ismail Qemalin gjallë, ne ndoqëm Esat Pashën. Kur na erdhi Princ Vidi, ne i shkuam pas Haxhi Qamilit. Kur kishim Faik Konicën, zgjodhëm Ahmet Zogun. Kur kishim Sejfulla Malëshoven, iu dorëzuam Enver Hoxhës. Kur kishim Kadarenë, besuam Berishën, e kështu me rradhë…
Asnjëherë nuk zgjodhëm mendimin. Gjithmonë zgjodhëm atë që na premtonte se do të na e asgjësonte mendimin. Armikun e mendimit, e bëmë Steriotipin e Udhëheqësit tonë kombëtar, të preferuar.
Udhëheqësit tanë të çdokohshëm, u bënë edhe Mullixhinjtë e fjalëve dhe ndjenjave tona, duke na e standartizuar miellin e jermit, si të vetmin ushqim tradicional shqiptar.
Dhe ishte e lehtë për ta. Sepse duke asgjësuar mendimin, shkon vaj puna me miellin e jermit që bluhet nga veç  me fjalët e ndjenjat.
Hidh fjalë e hidh ndenja, dhe mielli i jermit del vetë.
Mendimi e prish formulën. Ndaj edhe është armik që nuk lejohet në shoqërinë tonë te gjallojë.
Mendimi është helm, tradhëti, poshtërsi. Mendimi duhet luftuar, denoncuar, akuzuar, sikterisur, mbytur, asgjësuar.
Kështu jetojmë ne. Me fjalë e ndjenja, e duke urryer mendimin.
Fjalimet e Udhëheqësve janë uji që vë në lëvizje mullinjtë e shoqërisë sonë. Brohorimat dhe duartrokitjet tona janë rrota që bluan. E ne ushqehemi, e ushqehemi, me miellin e jermit, për tu ndjerë gjithësesi të pangopur.
Ndaj nëse vazhdojmë kështu, edhe pasi ta kryejmë Reformën në Drejtësi, sido që ta kryejmë, kushdo që ta bëjë, ne nuk do të zgjohemi në një të nesërme ndryshe.
Me shumë gjasa, Reforma nuk do të na reformojë drejtësinë, por do të na reformojë status quo-në.
E të nesërmen e Reformës, ne do të zgjohemi në po të njëjtën ditë.
Mund të na kenë ndryshuar disa Mullixhinj, por do të vazhdojmë të ushqehemi me të njëjtin miell…
Me miellin e jermit.

SHKARKO APP