Nexhmija më e klikuara, rinia ha fara luledielli bulevardeve
Nga Ilir Levonja –
A ishte dominante në shtyp intervista e Nexhmije Hoxhës? Kjo është çështja në botën virtuale shqiptare. Dhe ka një lloj ngutje, një lloj kërshërie mikluese, ku të vihen në dukje një lloj triumfi i të ashtuquajturës nana Shqipëri. Megjithëse në lamtumirën e saj kjo nanë, veç foli si shtetare. Asesi si nanë.
Megjithatë bota ime shqiptare kështu qënka. Gjithmonë bumin apo gjëmimin mediatik e bëjnë nga mosha shtatëdhjetëvjeçare e sipër. Referohuni po deshe edhe memories. Shërret për të drejtën e njërit apo tjetrit. Kështu qënka e shkruar. Ndërsa gjaku virtual, rinia, ha fara luledielli bulevardeve. Ose trotuareve të provincës. Gjuajnë me romuze njëri-tjetrin. Bëjnë plane për të ikur. Nuk ka punë. Nuk ka treg. Nuk të përkrah shteti. Nuk bëhet më këtu. Ky vend ka mbaruar. Duhet lekë të gjesh një vend pune. Duhen kaq milionë. Duhen lekë të blesh diplomën. Duhen lekë të marrësh një vertetim. Një çertifikatë. Duhen lekë të marrësh një vendim gjykate. Duhen para të hapësh një biznes. Punon tek tjetri, por nuk ke asgjë të siguruar. Dhe me të drejtë mbajnë sytë nga emigrantët. Por po ua them unë, se edhe këta, janë një botë mashtrimi më vete. Tjetër hiqen e tjetër janë. Dhe prapë bëjnë nga marrëzitë më të çuditshme, më aventureske si e si të ndihmojnë të afërmit e tyre. Kam dëgjuar e parë kaq shumë histori, sa, edhe kjo është një temë tjetër. Që ndofta në një të ardhme do rrëfej me pjesë. Por e vërteta është e hidhur. Deri në sakrfica absurde. Si e si që të tregojnë se janë të zotët. Si e si tu mburren shoqi-shoqit se bëjnë për të afërmit e tyre. Në fakt janë deri çmenduri të botës së boshe të shfrymit shqiptar. Që tjetër është, tjetër hiqet dhe tjetër bën. Kam parë muhaxhirë që rrojnë vet si eremitë, si e si vajza me dhëndrrin të rrojë në luks në mes të Tiranës. Kam parë e dëgjuar shumë. Ashtu sikur dëgjojë refrenin e mësipërm nga, vendi mëmë…, nuk ka punë. Nuk ka treg. Nuk bëhet më këtu. Duhet kaq para për një vend pune. Këto e të tjera janë shprehjet që vinë si dush fytyrës. Dhe ti gufosesh. Nuk ke se çfarë të thuash.
Megjithatë, çdo kohë ka bilancet e veta. Përshembull Nexhmije Hoxha tha se Enveri i saj i bëri vrasjet në emër të shtetit. Nga që ishte burrë shteti. Por bilancet e shtetit janë çfarë thamë mësipër. E njëjta histori …, nuk ka punë, nuk ka treg, nuk ka shtet. Megjithatë Nexhmija tha se Enveri bëri punën si shtetar. Dhe rezultatet e shtetit të saj ishin…, 85% e shtetarëve shqyen kufijtë e maleve. Duke lënë kockat borës dhe rrëpirave, burgjeve të Greqisë. Ndërkohë edhe ata që jetojnë akoma atje, edhe pse qytetarë të devotshëm, janë të tunduar nga operacionet fshesa. Shtetarët e saj thyen dyert e ambasadave, rrëmbyen zgërvallat e industrisë dhe transportit socialist e iu vërsulën detit. Duke mbushur Adriatikun me trupa, duke i siguruar Italisë e më tutje, mish për seks, drogë, mafie etj. Por edhe shenjtorë si punëtorë e familjarë të mirë, edhe intelektualë e artistë profesionistë të klasit të parë. Pasi nuk kanë se çfarë i duhen shtetit të saj. Pa le t’i kthemi bilancit të burgosurve, atyre që ajo nuk do t’i lëndojë plagët nga shteti i saj. Kështu tha ajo, ndaj nuk foli për burgun e saj. A e dinë shqiptarët se vetëm për të drejtën e fjalës, për pikëpamje të kundërt politike, janë dënuar 35 mijë njerëz. I bie më shumë se një qytet. Sa gra janë vrarë, sa burra, sa njerëz në përgjithësi janë poshtëruar…?
Megjithatë bota virtuale vazhdon. Nexhmija më e klikuara. Në fakt paneli i shtadhjetë, tetëdhjetë vjeçarëve. Tashmë u thye rekordi. E theu Nexhmija me rastin e 95 vjetorit të saj.
Shqipëri vendi im, mos u merr me fjalët e shtetatëreve por me bilancin e punës së tyre.
Dhe deri sot ai është i qartë, shtatëdhjetë, tetëdhjetë apo nëdhjetëvjeçarët bëjnë bumin mediatik. Dhe rinia ha fara luledielli totuareve nëpër qytete. Lamtumirë nuk është fjala e duhur.