Nga ideologjia e madhe në “ideologjinë e rrugës”? …

Nga Gëzim Tushi/Shoqëria shqiptare për shkak të një lloj kaosi të zgjeruar social dhe urban duket se është në raporte paradoksale me mohimin apo pranimin e ekzistencës së nevojës së ideve sociale orientuese me natyrë të përgjithshme. Duket sikur kemi hyrë në një fazë në të cilën urrejmë çdo gjë orientuese e normative nga frika e rrezikut të indoktrinimit dhe cënimit të lirisë së individit. Dy dekada e gjysëm më parë shoqëria jonë e terrorizuar nga ideologjia komuniste, mezi po priste kohën e duhur për thyerjen e korracës ideologjike doktrinariste marksiste dhe paradigmave të përgjithshme sociale të ndërtuara mbi bazën e saj imponuese. Dhe në fakt sapo u shkëputëm nga prangat e vjetra të ideologjisë komuniste, u krijua ideja se në liri nuk ka më nevojë për modele ideologjike, paradigma etike, organizime komunitare.

Madje as për organizime të forta të jetës sociale. Por krijimi i vakumit të kalimit nga një shoqëri totalisht të ideologjizuar e të kornizuar doktrinarisht në tërë qelizat e jetës në një shoqëri pa korniza sociale ka bërë që të ndodhemi në situate kaotike kur shumë ngjarje, fakte e dukuri sociale në shoqërinë shqiptare janë në përmasa të tilla enorme, të cilat jo vetëm janë tejet shqetësuese por dhe që në mënyrë të natyrshme meritojnë jo vetëm të trajtohen politikisht por dhe të interperetohen sociologjikisht.

Një shoqëri që për gjysëm shekulli eci në rrugën e totalitarizmit komunist e mbështetur në idetë e një “ideologjie të madhe” siç ishte marksizmi, sot pas dy dekada e gjysëm të braktisjes masive dhe përfundimtare të tij, ajo ndodhet në situate të paqarta të zhvillimeve liberale të cilat kanë sjellë shumë anomali në zhvillimet politike, ekonomike e sociale.

Nuk është fjala për të idolatrizuar ideologjitë e mëdha e as për të thirrur piketat e tyre orientuese në organizimin e jetës sociale të shoqërisë tonë. Por nuk është normal kjo amulli e kaotizëm social, kjo anomi dhe anomali sociale integrale që ka kapluar jetën në shoqërinë tonë. Duket sikur në mënyrë paradoksale shkaku i kësaj situate të jetë rrjedhojë e mungesës së ideologjive të mëdha, që sipas disa njerëzve në të kaluarën tonë kanë patur forcë “moblilizuese të masave” dhe fuqi organizuese të jetës sociale me anë të vendosjes së njerëzve në rreshte sociale të konsoliduara. Sipas tyre mungesa e kornizave ideologjike dhe parimeve të përgjithshme doktrinare është shkaku që ndodhemi në një gjëndje amullie, e shpesh edhe me nuanca të pastra anarkike në të gjitha drejtimet.

Sipas mendimit tim, situata në shoqërinë tonë është e tillë që shkretëtira ideologjike që u krijua nga rënia e komunizmit, e cila nuk mund të shoqërohej me zëvendësimin e saj nga ideologji të reja të cilat e kanë të pashmangshme natyrën kuazi totalitariste, por krijoji vakume për qytetarët të cilët ishin mësuar për gjysëm shekulli të drejtoheshin nga lart dhe të udhëhiqeshin nga ide të sigurta politike. Në këtë situatë është e qartë se njerëzit kanë krijuar shumë vakume të reja besoj edhe me natyrë ideologjike, por më së shumti me natyrë ekzistenciale të shoqëruara me frikëra e pasiguri, md dilemma shpirtërore e destabilitetet kulturore që i kanë sjellë qytetarët tanë në situatën e anomalive evidente sociale.

Megjithatë duket se gradualisht edhe në mungesë të kohezionit ideologjik dhe fijeve lidhëse të saj njerëzit në shoqërinë tonë në mënyra të ndryshme dhe për arsye diverse lidhen, mundohen të bashkëpunojnë, synojnë të koordinojnë punët e të jetojnë duke vënë në veprim në vend të parimeve të përgjithshme doktrinariste disa parime utilitare të jetës empirike, që shpesh janë kaotike e utopike, nganjëherë individualiste, të veçanta e personaliste. Në vend të ideologjisë me parime të ngurta fikse enumerative në jetën e sotmë shqiptare qytetarët mbase intuitivisht apo për nevoja pragmatike kanë krijuar një tjetër lloj “ideologjie” të tyre, me të cilën e masin vlerën e jetës, dobitë sociale të shoqërisë dhe mbi bazën e të cilës pataj ata gjykojnë gjërat e jetës së sotme politike e sociale.

Në një farë mënyre në se shikojmë madhësinë e kësaj dukurie spontane t6ë krijimit të një lloj “ideologjie të rrugës” por që është me shume influencë në shoqërinë shqiptare. Nuk e di se sa me vlerë është por situate është e tillë kur duket qartë se sjelljet e njerëzve dhe funksionimi i shoqërisë shqiptare është duke u udhëhequr nga një “idelogji” e re, që është më shumë “ideologji e rrugës”. Ajo nuk ka as ideologë, as doktrinarë as intelektualë që ta kenë formuluar apo formatuar atë. Përkundrazi në mënyrë spontane po ravijëzohen shumë parime antinomike të jetës së njeriut dhe funksionimit të shoqërisë që është jashtë doktrinave dhe përtej institucioneve të disiplinës politike e sociale.

Nuk mendoj se kjo situatë është normale apo e besueshme se vetiu, në mënyrë spontane, me rrjedhje të lirë apo me mekanizma të çorganizimeve super liberale ideologjia e rrugës do të sjellë dobi sociale. Sepse mënyra e sjelljes së njerëzve dhe e organizimit të shoqërisë tonë, duket se nuk ka ndonjë gjë të përbashkët me modelin e ndërtimit pragmatist të jetës. Kaotizmi, utilitarizmi spontan, mungesa e disiplinës urbane, demografike e sociale  duket se janë komponentët mbi të cilët është ndërtuar dhe funksionin kjo lloj “ideologji e rrugës”.

Ka kohë që duke parë anomalitë e tranzicionit në vendet ish komuniste është hedhur ideja për të ndërtuar “ideologji të vogla” zëvendësuese të atyre të dikurshme, të cilat duhet të ndikojnë në problemet e jetës duke ndikuar në orientimin biopolitik të politikës tradicionale, apo për problemet shqetësuese ekologjike, etj.

Padyshim në kushtet kur po bëhet dominante një lloj ideologjie rruge, është e natyrshme që të pritet ndikimi social i pushtetit të ligjërimit publik të intelektualëve dhe elitave të tjera në riorientimin e dobishëm të komponentëve të kësaj idologjie të rrugës që ka kapur një pjesë të madhe të njerëzve tanë dhe që synon të bëhet dominante në shoqërinë e sotme. Cila është ajo që duhet bërë? Intelektualët shqiptarë kanë detyrë të analizojnë dhe përgjithësojnë tendencat e veçuara të cilat së bashku kanë ndikim në mënyrën e sjelljes dhe thelbin e përbashkët të orientimit spontan të jetës sipas “parimeve”spontane e individualiste të “ideologjisë së rrugës”. Në jetën e sotme të shoqërisë tonë ka shumë elementë të sjelljes sociale që janë nën pushtetin agresiv e spontan të  kësaj ideologjie, të cilat duhen njohur dhe sintetizuar nga sociologët, intelektualët dhe elita kulturore në përgjithësi.

Ka fakte e dukuri në jetën tonë të përditshme që qartë tregojnë se burojnë nga ndikimet e forta të “ideologjisë empirike” që synon të bëhet sunduese e jetës tonë sociale. Këto analiza dhe shqyrtime të sjelljeve sociale të ndikuara nga ideologjia e rrugës është e nevojshme të bëhet temë e madhe prioritare e ligjërimit publik të intelektualëve shqiptarë, në se vërtet duan të luajnë rolin që u takon në përmirësimin e statusit social të funksionimit demokratik të shoqërisë tonë.

Këtu janë dy probleme që shfaqen me virulencë të veçantë në shoqërinë shiptare dhe që ndikojnë në përkeqësimin e standarteve të ideologjisë së rrugës: nga njëra anë është ligjërimi i vakët i intelektualëve, mbyllja e tyre në guackën e fushës së ngushtë të interesimeve dhe nga ana tjetër një qëndrim tejet indiferent, mospërfillës dhe fare mospërfillës nga shoqëria për kontributin e kësaj elite. Nuk është fjala që elitat tona të ndërtojnë ndonjë model alter ego të ideologjive normative pse kjo është e pamundur.

Por në vend të ideologjive normative shoqëria ka nevojë për të ndërtuar paradigmat e reja qytetëruese, duke vendosur piketa konsensuale të orientimit të drejtë të qytetërimit tonë, të sjelljes individuale dhe kornizave etike të komportimit social. Në se këto nuk krijohen dhe nuk bëhen efektive në shoqëri, atëherë është e sigurt që ideologjia spontane e orientimit të njerëzve në rrugë dhe përmes rrugës do ta shpjerë shoqërinë tonë në nivlele akoma më të larta të anomisë dhe agresivitetit social.

Është urgjente nevoja që në vend të ïdeologjisë së madhe”të ndërtojmë modelet e ïdeologjive të vogla”që shërbejnë si standarte të qytetërimit dhe që duhet btí bëjmë active dhe efektive në shkollë, në familje, institucionet fetare, në media etj. Për këtë lloj “ideologjie” apo më sakt për këto parime të përbashkëta qytetare e qytetëruese kemi nevojë për të përmirësuar jetën në shoqërinë. Tani më shumë se kurrë më parë. Asgjë e mirë nuk ka për të ardhur në se do besojmë se shoqëria mund të orientohet spontaneisht nga shtrirja në gjërësi dhe thellësi e parimeve anakiste e antikohezive të “ideologjisë së rrugës”.

SHKARKO APP