Nga këpuca e Hrushovit: 10 incidentet më pikantë në OKB

Më 12 tetor 1960, në një nga momentet më sureale, në historinë e Luftës së Ftohtë, lideri rus Nikita Hrushov heq këpucën dhe godet tavolinën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuar si shenjë proteste kundra një fjalimi kritikues për politikat sovjetike në Europën Lindore.

Gjatë një debati të një rezolutë ruse, që qortonte kolonializmin, një përfaqësues i qeverisë së Filipineve akuzoi sovjetikët për standard të dyfishtë, duke përmendur dominimin e Rusisë në Europën Lindore si një shembull të kolonializmit, që ata po kritikonin në rezolutën e tyre. Si përgjigje, Hrushovi hoqi këpucën dhe filloi të godiste me inat tavolinën. Skena kaotike përfundoi kur, Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme, Frederick Boland (Irlandës), theu çekanin e tij duke thirrur pjesëmarrësit të mbanin rregull.

Por ky nuk ishte incidenti i vetëm i ndodhur në OKB, revista TIME ka hedhur një vështrim në momentet më pikante gjatë historisë së OKB-së

1- Një mandat për Izraelin (1945)

Dy vite pas ratifikimit të Aktit themelues të OKB në vitin 1945, Asambleja e Përgjithshme dhe Sekretari i Përgjithshëm, Trygve Lie krijoi një Komision Special të përbërë nga 11 ambasadorë, për të vendosur në lidhje me të ardhmen e Palestinës, kjo në lidhje me qindra-mijëra hebrenjtë që ishin zhvendosur gjatë Holokaustit. Komisioni rekomandoi që, pas një periudhe tranzicioni prej dy vitesh, Palestina do të strukturohej “në një shtet arab, një shtet i pavarur hebre dhe Qytetin Ndërkombëtar të Jeruzalemit”, që do mbeste brenda “një unioni ekonomik”. Në vitin 1948 u krijua shteti hebre pas kundërshtive të mëdha nga shtetet arabe dhe mosmarrëveshjeve brenda qeverisë amerikane, një konflikt i cili vazhdon të pllakosë rajonin e Lindjes së Mesme edhe sot e kësaj dite.

2- Përballë agresorëve (1948)

Në pragun e Luftës së Ftohtë, delegati sovjetik Andrei Vishinski, i njohur për fjalimet e tij të gjatë kundër Shteteve të Bashkuara, iu drejtua mbledhjes së Ansamblesë së Përgjithshme në Paris. Duke iu drejtuar drejtpërdrejtë delegatëve të SHBA, Eleonor Ruzvelt, Xhon Dalls, Uorën Austin dhe Xhorxh Marshall, Vishinski akuzoi Amerikën se po përgatitej për një luftë bërthamore kundër Bashkimit Sovjetik, për arsye se më herët kish refuzuar t’i përmbahej një plani kohor për ndalimin e prodhimit në impiantet që prodhonin material bërthamor. Vishinki ishte kapur gjithashtu me Britaninë për pushtimin prej saj të Indonezisë. Kur Eduard Stetinius, i pari ambasador amerikan në OKB, paraqiti një rezolutë në vitin 1947 për të negociuar largimin e trupave britanike nga Indonezia, Vishinski vuri veton për këtë rezolutë, duke e quajtur shumë të dobët – e para veto e përdorur në Këshillin e Sigurimit. Pesëdhjetë veto të tjera sovjetike pasuan në 7 vitet e ardhshëm.

3- Hrushovi humbet qetësinë (1960)

Në ditën e tij të fundit të plotë në Nju Jork për mbledhjen e Ansamblesë në 1960, kryeministri sovjetik Nikita Hrushov u shpreh i ofenduar prej fjalëve të një delegati nga Filipinet, i cili deklaroi se Evropa Lindore ishte “privuar nga të drejtat politike dhe civile” dhe praktikisht “ishte gllabëruar prej Bashkimit Sovjetik”. Ajo çfarë ndodhi më pas është debatuar, por Uilliam Taubman, autor i librit “Hrushovi: Njeriu dhe epoka e tij”, shkruan se, pasi përplasi të dy grushtat mbi tavolinë, udhëheqësi sovjetik hoqi këpucën e djathtë – një “opingë” apo sandale sipas djalit të Hrushovit, pasi ai i urrente lidhëset – e tundi në ajër, dhe më pas “e përplasi mbi tryezë, fort e më fort, deri kur të gjithë në sallë nisën të shohin të habitur e më pas të gumëzhijnë”. Më pas, thuhet se Hrushovi ka thënë: “Sa u argëtova! OKB është një lloj parlamenti, ku minoriteti duhet të bëjë që të njihet, në një mënyrë apo një tjetër. Për momentin, ne jemi minoriteti, por jo për shumë kohë”. Ky incident është aq shumë i lidhur me OKB dhe Asamblenë e Përgjithshme, thotë Taubman, saqë pyetja që u bëhet më shpesh udhërrëfyesve në turet që zhvillohen në OKB është: “Ku ishte ulur Hrushovi kur përplasi këpucën?”

4- Idhujt e Idi Aminit (1973)

Presidenti i Ugandës, Idi Amin Dada, atëherë kryetar i Organizatës së Unitetit Afrikan mori fjalën dhe shfaqi një performancë shumë të zjarrtë, tipike prej një servili. Udhëheqësi i Ugandës, i kritikuar për burgosjen dhe ekzekutimin e armiqve të tij, vlerësoi kryeministrin britanik Eduard Hith duke e krahasuar atë me Adolf Hitlerin. Një korrespondent gjerman, i cili dëshironte të dëgjonte më shumë në lidhje me arsyet e adhurimit të Aminit për Hitlerin, i bëri thirrje që të vazhdonte. Duke u menduar pak çaste, Amini – i cili një herë kish dërguar një letër në të cilën vlerësonte shumë Hitlerin dhe shfarosjen prej tij të hebrenjve – shumë shpejt e tërhoqi deklaratën duke thënë: “Jo Hitleri, doja të thoja Uinston Çurçilli. Zoti Hith është si Uinston Churchilli. Ju lutemi, shënojeni Çurçilli. Unë nuk dëshiroj të grindem me miqtë e mi. Nuk dëshiroj të hap një front të dytë kundër meje”.

5- Asnjë ftesë Valdheimit (1994)

Gjatë mbledhjeve të Asamblesë në vitin 1994, Sekretari i Përgjithshëm Butros Butros Ghali refuzoi që t’i dërgojë një ftesë për festimet e 50-vjetorit të OKB-së, ish Sekretarit të Përgjithshëm Kurt Valdheim, i cili në mesin e viteve tetëdhjetë ishte akuzuar për vrasje nga ana e Komisionit të Krimeve të Luftës, për rolin e tij si një oficer i shërbimit të fshehtë nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për të shpëtuar fytyrën, Butros Ghali refuzoi gjithashtu të ftojë Havier Perez de Kuealarin, i vetmi ish sekretar i përgjithshëm që ishte ende gjallë. Perez de Kuelari u tregua i kuptueshëm duke thënë se mirëkuptonte arsyen e mosthirrjes.

6- Paraqitja e kauzës për Armët e Shkatërrimit në masë (2003)

Duke mbështetur kauzën për pushtimin e Irakut në vitin 2003, Kolin Pauell paraqiti provat e Uashingtonit para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë një shishe antraksi si dhe fotografi që tregonin zona ku kish armë të shkatërrimit në masë në vend. Ndonëse nuk ishte një takim zyrtar i Asamblesë së Përgjithshme, argumentat e parashtruara në Këshillin e Sigurimit në lidhje me pushtimin e Irakut ishin të një rëndësie shumë të madhe dhe luajtën një rol integral në konfliktin i cili deri sot ka marrë mijëra jetë.

7- Kuba ndihet e fyer (2006)

Fjalimi i Presidentit Xhorxh Bush në Asamblenë e Përgjithshme në vitin 2006 bëri që të kërcejnë menjëherë në këmbë pjesëtarët e delegacionit kuban – pak përpara se të dilnin jashtë. Bushi deklaroi, duke iu referuar liderit të moshuar e të sëmurë tashmë Fidel Kastro se “në Kubë, sundimi i gjatë i një diktatori të pamëshirshëm po merr fund”, gjë që detyroi një prej pjesëtarëve të delegacionit kuban që të hedhë përtokë kufjet dhe të largohet. “Populli kuban është i gatshëm për lirinë e tij”, vazhdoi Bushi, ndërkohë që pjesa tjetër e delegacionit po largohej – duke bërë të qartë se ishin aq të lirë sa do të donin të ishin.

8- Avokati i Djallit (2006)

Përpara se të niste një fjalim të tejfryrë kundër Presidentit Bush dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hugo Çavez përfitoi nga rasti që ndodhej në podium për të ndriçuar disi pjesëtarët e tjerë të Asamblesë. Me një botim në gjuhën spanjolle të librit të Noam Chomskyt “Hegjemoni apo mbijetesë: Synimi  i Amerikës për dominim global”, Çavez përgëzoi Chomskyn si një intelektual i madh dhe për librin tha se qe një vepër “e shkëlqyer”, e cila do të ndihmonte botën të kuptonte “rrezikun më të madh që i kanoset planetit tonë”. A vazhdoi më tej duke e quajtur Presidentin Bush, i cili kish folur një ditë më parë, si “Djall” si dhe u ankua për një erë të vazhdueshme squfuri në hollin e asamblesë. Pas fjalimit të tij pati një shpërthim të shitjeve të librit të Chomskyt, duke e bërë ndoshta Çavezin “Oprah i Asamblesë së Përgjithshme”.

9- Ulërimat e Ahmadinexhadit (2007)

Në vitin 2007, mes lajmeve që raportet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike – që më parë kish deklaruar se Irani kish ndryshuar programin e vet bërthamor në vitin 2003 – ishin të pasakta, Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad hipi në podium për të deklaruar se çështja politike e programit bërthamor të Iranit ishte e mbyllur për diskutime të mëtejshme. Ahmadinexhadi solli në vëmendje se dhunimi i përhapur i të drejtave të njeriut, terrorizmi dhe pushtimi ishin disa prej problemeve madhorë me të cilët përballej bota, duke shfryrë kundër atyre që “pretendojnë se janë avokatë ekskluzivë të viktimave”, si shkelësit më të mëdhenj. Sipas Ahmadinexhadit, këta shtete pa emër ishin fajtorë “për ngritjen e burgjeve të fshehtë, rrëmbim personash dhe kryerje gjyqesh si dhe ndëshkimesh të fshehtë pa përfillur procesin e ligjshëm”.

10- Ahmadinexhadi i lodhshëm (2008)

Ahmadinexhadi “gostiti” Asamblenë me fjalimet e tij tipikë, me të cilët kritikonte paaftësinë e Këshillit të Sigurimit dhe OKB që të luftonin terrorizmin global. I mbajtur në të njëjtën ditë me fjalimin e fundit të Bushit përpara Asamblesë së Përgjithshme, fjalimi tetëfaqësh i Ahmadinexhadit vërente se amerikanët dhe evropianët “po vihen në lojë dhe po tërhiqen për hunde nga një numër i vogël njerëzish të quajtur sionistë”. Ai deklaroi gjithashtu se “perandoria amerikane” është në prag të kolapsit për shkak të agresionit në Irak dhe Afganistan, “për të fituar vota në zgjedhje”. Duke iu përmbajtur qëndrimit të mëhershëm, presidenti iranian deklaroi se nuk do të ndërpriste programin bërthamor./TIME/Tirana Observer/.

SHKARKO APP