Nga Londra në Kukës, gazetari i BBC bën 4 orë not për të promovuar pasuritë e zonës

Katër orë not në liqenin e Fierzës i kanë shërbyer kuksianit Arjan Koçi të ardhur nga Londra me miq e familjarë për pushime, që të promovojë turizmin në këto ujëra që mbeten të pashfrytëzuara.

Kështu, Koçi pas largimit nga Kukësi ku punonte si mësues anglishteje 25 vjet më parë, ka punuar në BBC. Ai thotë se kthehet gjithnjë në Kukës, e këtë radhë ka bashkuar me not urat mbi Drinin e Bardhë dhe Drinin e Zi, me mbështetjen e miqve dhe kolegëve Jonuz Halaçi dhe Lavdrim Shehu.

Koçi e bën guidën ujore në Fierzë për të dytin vit rradhazi dhe do të donte ta kthente në një ritual të përvitshëm pasi siç shprehet ky liqen është i jashtëzakonshme dhe duhet shfrytëzuar nga banorët.

Arjan Koçi: “Arritëm që ta organizonim si një detyrim moral, shoqëror edhe ndaj shtresave që janë më në nevojë në Kukës sidomos në Qendrën për Fëmijët me aftësi ndryshe. Kjo u arrit nëpërmjet një fushate sensibilizimi që organizova në Angli me miqtë. Liqeni i Kukësit është një pasuri dhe bukuri natyrore e jashtëzakonshme e cila besoj se nuk shfrytëzohet shumë.”

Koçi ka sjellë edhe ndihmë financiare të grumbulluar në Londër nga kolegët dhe miqtë e tij në shumën mbi 1 mijë paund, si dhe një televizor për qendrën sociale. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në Bashki, zyrtarët kanë vlerësuar nismën duke falënderuar për ndihmën e dhënë.

Bujar Muçmata: “Shpresojmë që kjo iniciantivë të ketë mbështetje dhe angazhim të bashkëqytetarëve tonë në Londër të cilët janë të shumtë. Një kontribut për qytetin, trashëgiminë tënde nuk është thjesht një kontibut që vlerësohet individualisht por që vlerësohet gjerësisht nga instituticioni i Bashkisë Kukës.”

Bregu i liqenit të Fierzës është i pazhvilluar pasi mungojnë lokalet e shërbimit dhe nuk ka mjete lundruese që të lidhin pika të ndryshme por edhe Kukësin me Pirzrenin. Ujëra shpesh janë të ndotura, ndërsa projektet e Bashkisë kanë mbetur në letër.

SHKARKO APP