Ngjela: 400 ekspertë të FBI në Tiranë për krimin dhe korrupsionin. Ajo që pritej filloi
Nga Spartak Ngjela
Ajo që pritej filloi; FBI filloi dje dhe vazhdon edhe sot e më tej hetimin në Shqipëri për vetingun dhe për krimin në të katër rrafshet: në organet e drejtësisë, në administratën e lartë shtetërore, në treg dhe në rrugë.
Janë rreth 200 ekspertë të FBI-së deri tani dhe numri do të dyfishohet, të angazhuar në një hetim me spektër të gjerë të kriminalitetit në Shqipëri.
Në fakt kjo është tabloja e egër që iu ka marrë frymën shqiptarëve në mbi 20 vjet dhe i ka zhytur këta në një varfëri ekstreme.
Dhe jo vetëm kaq: është pikërisht ky krim i katërfishtë – në drejtësi, në administratën shtetërore, në treg në funksion të klientelës së lidhur me qeveritë e korruptuara, dhe, në krimin e rrugës, si lidhje me pushtetarë të veçantë për të trembur biznesin – të cilit tani po i vjen fundi, por që ka detyruar dy milionë shqiptarë të lënë atdheun e tyre në 25 vjet.
Abuzimi që ka ushtruar sistematikisht korrupsioni i Prokurorisë, e ka bërë krimin e rrugës një dominante të jetës në qytetet e mëdhenj. Në to sundon vrasja, frika e gjobat që këta i vendosin bizneseve sepse mbrohen nga politika e lartë dhe organet e drejtësisë.
Por hetimi do të jetë me spektër shumë të gjerë. Erdhi më në fund koha që edhe ne shqiptarët do të fillojmë të marrim frymë lirisht në atdheun tonë.