Nikolla: Morëm masa, dhuna nuk tolerohet

Pas bërjes publike të dhunës në shkollën e Bajzës ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Ajo ka thënë se “dhuna nuk ka vend në shkollat tona”. Ndërsa ka informuar dhe mbi masat që janë marrë ndaj mësueses që shfaqej në video. “Si Ministre e Arsimit dhe Sportit jam e keqardhur nga ngjarja e dhunës transmetuar në media dhe në rrjete sociale. Kemi vepruar menjëherë, pa hezitim, pa mëdyshje. Në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe Policinë e Shtetit verifikuam ngjarjen që shfaqet në video. Rezulton se mësuesja e shfaqur në këto plane filmike, është znj. Suela Pirani, mësuese prej 13 vitesh e lëndës së matematikës”,- shprehet Nikolla. Ministrja shton se ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme dhe të gjitha institucionet kanë reaguar në kohë rekord për të marrë masat e duhura. “Ngjarja ka ndodhur ditën e enjte datë 23.01.2015, gjatë orës të matematikës në klasën e VII-të shkollës 9 vjeçare “Prek Gjoni”, në Bajzë të Malësisë së Madhe. Pas verifikimit, Drejtoria Arsimore e Qarkut Shkodër dhe drejtoria e shkollës ka pezulluar menjëherë nga detyra mësuesen Pirani, si dhe është bërë kallzim pranë organeve përkatëse. Dënoj ashpër këtë akt të shëmtuar dhe jashtë çdo lloj etike të profesionit”,- tha Nikolla. Ajo u ka bërë apel gjithë nxënësve dhe prindërve që të mos hezitojnë për të denoncuar raste të tilla që cënojnë dinjitetin e njeriut dhe të drejtat themelore. “Ftoj të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe çdo qytetar në vend, të mos hezitojnë të denoncojnë çdo lloj akti dhune i cili cënon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë si dhe dëmton rëndë imazhin e shkollës. Dhuna nuk ka vend në shkollat tona!”,- u shpreh dje Nikolla. Ministrja e Arsimit dhe e sportit shtoi se institucioni që ajo drejton është i vendosur për të zbatuar ligjin dhe për të mos toleruar më raste të ngjashme. “Jam thellësisht e vendosur për t’u përballur me sfidën që kemi të gjithë së bashku për të larguar dhunën nga shkolla, nga komuniteti dhe nga familja”,- shkruan ministrja Lindita Nikolla në Facebook.

SHKARKO APP