Nis puna për strategjinë kombëtare, ministri Gonxhja: Rrugë e re për politikat kulturore
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja shpalli këtë të premte Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026-2030. Në forumin e hapur për të ardhmen e kulturës në Shqipëri, të mbajtur sot në HangArt-Kinostudio, ishin të pranishëm artistë, profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve në vend, të cilët ndanë ide e vizione për zhvillimin kulturor të vendit.
”Sot shënojmë fillimin e një rruge të re për politikën kulturore të vendit, nisjen zyrtare të punës për Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026-2030, një proces gjithëpërfshirës që do të ndërtojë vizionin e përbashkët për kulturën shqiptare të së ardhmes, bazuar në trasenë e fortë që kemi nisur të ndërtojmë në MEKI, sot në MTKS”, deklaroi ministri Gonxhja.
Kreu i MTKS-së tha se kultura është fuqi krijuese, ekonomike dhe diplomatike, që lartëson identitetin tonë dhe e pozicionon Shqipërinë si qendër të krijimtarisë në rajon. Në bashkëpunim me Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) dhe Fondacionin “Santagata”, strategjia e re synon të fuqizojë institucionet kulturore; të mbështesë artistët dhe skenën e pavarur; të investojë në infrastrukturën kulturore dhe trashëgiminë kombëtare; të krijojë kushte dinjitoze për artin si profesion e burim të qëndrueshëm jetese.
KOHA JONË SONDAZH

