Nis rikonsturksioni i ish-Hotel “Dajtit”
Banka e Shqipërisë ka nisur zyrtarisht procedurat për rikonstruksionin e ish-Hotel “Dajtit”.
Në mbledhjen e datës 1 Prill 2015, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të miratojë realizimin e objektit të prokurimit “Rikonstruksioni i godinës së ishhotel “Dajtit”, nëpërmjet një kontrate me kohëzgjatje deri në 3 vjet. Ky vendim i jep fund braktisjes së një prej objekteve më të rëndësishëm të qendrës së Tiranës, që ka ngelur prej vitesh në gjendje të mjerueshme. Banka e Shqipërisë e bleu ishhotel “Dajtin” në vitin 2010 nga qeveria shqiptare për 30 milionë euro, përmes një procesi mjaft të diskutueshëm.
Blerja u bë pa një procedurë tenderimi dhe opozita e atëhershme akuzoi se transaksioni ishte thjesht një truk që qeveria të siguronte financim të drejtpërdrejtë nga Banka Qendrore, duke i transferuar kësaj të fundit një pronë me çmim shumë më të lartë se vlera reale e objektit në treg. Procedurat për blerjen e ishhotel “Dajtit” janë vlerësuar të parregullta edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Guvernatori i atëhershëm, Ardian Fullani, ju përgjigj akuzave duke deklaruar se blerja e Hotel Dajtit ishte e nevojshme, sepse Banka e Shqipërisë kishte nevojë për mjedise të tjera. Sipas planit të atëhershëm, në mjediset e ishhotel “Dajtit” do të vendoset Muzeu i Bankës së Shqipërisë dhe një pjesë e stafit të Bankës Qendrore, që ende sot qëndron në mjedise me qira, pavarësisht se rikonstruksioni i godinës kryesore ka përfunduar.
Me nisjen e procedurave të prokurimit, parashikohet që brenda tre viteve godina e ishhotel “Dajtit” të rikthehet funksionale, në shërbim të Bankës Qendrore.