Nis shpërndarja e kutive dhe fletëve të votimit nëpër qarqe
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar sot se ka nisur shpërnarjen e bazës materiale për zgjedhjet e 25 qershorit në qarqet e vendit.
“Ditën e shtunë, datë 17.06.2017, tha zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, – me mbërritjen e fletëve të votimit për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë dhe për zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Kavajë pranë ambjenteve të KQZ-së në Lundër, Komisioni punoi intensivisht për të përgatitur të gjithë bazën materiale logjistike zgjedhore si; kutitë e votimit, kutitë e materialeve zgjedhore, fletët e votimit, vulat që do të përdoren nga Komisionet e Qendrave të votimit, vulat me kodet e sigurisë, e të tjerë.
Sot ka filluar procesi i shpërndarjes së bazës materiale nga KQZ drejt KZAZ-ve, proces ky që do të kryhet nga Administrata e KQZ-së në bashkëpunim me Zyrat Rajonale Zgjedhore dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Materialet logjistike zgjedhore, sot po shpërndahet në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor të qarkut Kukës, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Dibër, Shkodër, Berat dhe Fier.
Ndërkohë, ditën e mërkurë, datë 21.06.2017, materialet zgjedhore do të shpërndahen në Komisionet e Zonave të Adminsitrimit Zgjedhor të qarkut Lezhë, Elbasan, Durrës dhe Tiranë.
Në këto fazë të procesit, është e domosdoshme që të gjithë anëtarët e 90 Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të jenë në gadishmëri në KZAZ-të përkatëse, për pritjen e bazës materiale zgjedhore e cila do të përdoret ditën e votimit dhe gjatë procesit të numërimit të votave”,-përfundoi Hoxhaj.