Nisin punimet për gazsjellësin TAP, Rama: Investimi më i madh në Shqipëri
U zhvillua sot në Potom të Skraparit ceremonia përuruese e nisjes së punimeve për ndërtimin e gazsjellësit TAP.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Edi Rama nënvizoi disa efekte pozitive të projektit, që ai tha se në dy dekada do sigurojë 1 miliard euro për Shqipërinë.
“Është një prej investimeve më të mëdha në historinë e shtetit shqiptar që merr formë dhe bashkëpunimi me komunitetin ka qenë shembullor për të kapërcyer të gjitha pengesat”, tha Rama.
Kjo është faza e parë e investimit, që lidhet kryesisht me ndërtimin e infrastrukturës.
“Pas kësaj faze do të nisë ndërtimim i tubacioneve kryesore dhe gazsjellësi do të përshkojë 211 km në truallin shqiptar. Në këtë fazë vlera e investimit është e konsiderueshme dhe krijon në mënyrë të drejtpërdrejtë më shumë se 800 vende të reja pune, ndërkohë që mijëra të tjera do jenë rezultat i marrëdhënieve indirekte me këtë projekt”, tha Rama.
Nga ky investim, Qarku i Beratit dhe ai i Fierit janë përfituesit kryesorë dhe të drejtpërdrejtë, ku veç kalimit të gazit, Rama nënvizoi edhe rregullimin e infrastrukturës rrugore. Kryeministri foli edhe për masterplanin për gazifikimin e vendit, ku tha se po punohet ngushtë me aksionerët e TAP-it për të studiuar kushtet teknike dhe financiare për këtë plan.
Ndërkohë, ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri e cilësoi si historike nisjen e punës për këtë gazsjellës.
“Është i rëndësishëm për ne pasi na jep një burim të munguar energjie, do të jetë i rëndësishëm për rajonin përmes degëzimeve të tij dhe për vetë Bashkimin Europian, që merr siguri energjitike”, u shpreh Gjiknuri.
Ministri i Energjitikës shprehu zotimin e autoriteteve shqiptare për të shmangur çdo pengesë burokratike për investitorët.