Nisin punimet për Parkun Olimpik, Rama: Federatat, jo më nëpër skuta
Më në fund do të ketë një park olimpik për shumësportëshin. Projekti për ndërtimin e një ambjenti multifunksional në zonën e kompleksit Dinamo do të shndërrohet në një park olimpik në të cilin do të “strehohen” shumë prej federatave të shumësportëshit të koordinuara nga Komiteti Olimpik Shqiptar. Në ceremoninë e përurimit të nisjes së punimeve për ndërtimin e Parkut, Kryeministri Edi Rama u shpreh se sporti që i ka munguar jetës kominitare të vendit do të jetë më i pranishëm pas ndërtimit të kompleksit. Rama shtoi se kompleksi i ndërtuar fillimisht në vitet 80’ do të transformohet tërësisht. – “Do të ketë vend për shumë kategori sportistësh dhe për federatat e shumë-sportëshit, të cilat kanë 25 vjet që mbijetojnë nëpër skuta të mbetura që nga koha e vjetër. Në këtë park olimpik të gjitha federatat do të kenë hapësirën e tyre dhe të gjitha së bashku do të krijojnë një pol administrativ të sportit nën ombrellën e KOKSH. Më në fund pas rreth 2 dekadash do të ketë një hapësirë sportive. Do të kemi një sallë moderne të lojrave me dorë që do të shfrytëzohet jo vetëm nga ekipet por edhe nga shkollat me aktivitetet e tyre sportive. Ne synojmë që sportin ta kthejmë në një pjesë të kurrikulës universitare”.
Në vijim të fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare, u përqendrua te bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Futbollit që e mori si shembull që duhet ndjekur në të ardhmen. – “Edhe me FSHF jemi në një pozicion më dinjitoz si shtet, sepse kemi transformuar rrënjësisht një stadium, po ndërtojmë një tjetër në Shkodër dhe po bashkëpunojmë për të vazhduar më tej si dhe për të realizuar edhe objektivin madhor të përbashkët të stadiumit të madh kombëtar të Tiranës”.
Kryeministri i vendit shprehu bindjen se projekti i parkut olimpik do të hapë një kapitull të ri për sportin, ndërsa shtoi se sportistët elitarë sot po trajtohen në bazë të të gjitha angazhimeve që ka shteti ndaj tyre.