Një e treta e popullsisë së botës obeze. 4 mln njerëz vdiqën nga sëmundjet e lidhura me mbipeshën
Në 2015-ën, mbipesha preku afërsisht 2.2 miliardë njerëz, e barasvlershme me 30% të popullsisë botërore, sipas studimit.
Gati 108 milionë fëmijë dhe më shumë se 600 milionë të rritur janë cilësuar si obezë, duke pasur një indeks të masës trupore (BMI) mbi 30, citohet në kërkimin që është shtrirë në 195 vende.
BMI përllogaritet duke pjesëtuar peshën e një personi në kg me gjatësinë e tyre në katror dhe është një tregues nëse personi ka një peshë të shëndetshme apo jo.
Nëse indeksi i masës trupore është mbi 25 tregon mbipeshë, mbi 30tregon obezitet dhe mbi 40 tregon obezitetin patologjik.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, obeziteti është më shumë se dyfishuar që nga 1980, duke arritur përmasa epidemike.
Norma e obezitetit tek fëmijët po rritet më shpejt tek fëmijët se sa tek të rritur në shumë shtete, përfshirë Algjerinë, Turqinë dhe Jordaninë, tregon studimi.
Ndërkohë, thuajse 800 milionë njerëz, ndër ta 300 milionë fëmijë, shkojnë në shtrat të uritur për ccdo mbrëmje, sipas Kombeve të Bashkuara.
Dieta e varfër dhe jeta sedentare janë shkaktarët kryesorë të numrit në rritje të njerëzve mbipeshë, thonë ekspertët.
Urbanizimi dhe zhvillimi ekonomik kanë rritur normën e obezitetit gjithashtu edhe në vendet e varfëra, ku një pjesë e popullsisë nuk ka mjaftueshëm se çfarë të hajë, duke qenë se njerëzit po ndërrojnë vaktet tradicionale, të pasura me perime, me ushqim të përpunuar.
Njerëzit gjithnjë e më shumë po konsumojnë ushqime të përpunuara, të cilat janë të pasura me sheqerna dhe yndyra dhe po kryejnë më pak ushtrime fizike, tha Boitshepo Bibi Giyose, nutricionist në organizatën e Kombeve të Bashkuara. /Monitor/