Një gotë verë në Përmet

Nga Mitro Çela – Pa sebep. Morëm rrugën për në Përmet. Në timon Ezmerka. Pa e ndjerë kishim mbritur në Grykë të Këlcyrës. Tek Ujët e Ftohtë janë ngritur katër restorante. Nga këto, tre kanë edhe hotele. Kur hidheshin themelet e hotelit të tretë, disa menduan se do ta ketë jetën të shkurtër. Do i hajë konkurenca. Por jo. Konkurenca nuk “solli drynin”, por shtoi investimet. Bashkë me investimet u pasurua edhe menuja. Mishi i pjekur i kecit. Përshesh me thëllënxë. Peshk në tavë. Tavë shqeto. Lepur i egër. Delikatesë me mish sorkadheje. Gliko me arra. Turshi me lëndë të para bio. Raki dhe verë fshati…Djathë dhije…Të gjitha nën gurgullimën e ujit të burimeve që rrjedhin si ujëvarë dhe të valëve të Vjosës…Parajsë e shkuar parajsës, në këtë cep të Ilirishtes!
Në Grykë të Këlcyrës na ndjek historia. Në hyrje- Sarajet e bejlerëve të Këlcyrës. Me famë në Ballkan. I dogjën grekët në Luftën e Parë Botërore. Gjyshi i Ali Pashë Tepelenës, komiti i njohur Muço Hysa, ndërtoi urën që i dha emrin e tij. Në mbyllje të Grykës së Këlcyrës, është ura e Dragotit. Unikale në vend. E ndërtuar me hekur. Pa as një mbështetës. Në qëndër është ngritur impianti i ujit “Trebeshina”. Në krah të tij është ndërtuar Manastiri i Shën Kollit me varret e ushtarëve grekë.
Në Përmet restorantet, baret, hotelet, kafenetë janë shtuar si “kërpudhat” pas shiut. Mes restoranteve shkëlqen : “Familjari” dhe “Antigoneja”. Po pse? Sepse pronarët kanë kthyer sytë nga tradita. Pse kjo metamorfozë? Vitet e fundit janë shtuar turistët nga Italia, Greqia, Gjermania, Japonia, Austria, Franca. Vinë për të parë tre kisha. Në Kosinë, kisha është ndërtuar në shekullin e 12-të. Në Leusë në shekullin e 17-të. Po kaqë e lashtë është edhe kisha në Badëlonjë. Turistët shkojnë për të bërë kanote në Langaricë. Bëjnë alpinizëm në Nemerçkë dhe bredhin e Hotovës, platacionin më të madh në Ballkan me bredh.
Turistët kërkojnë ushqim tradicional. Kërkesa e turistëve, nxiti guzhinierët të “rrëmojnë” në traditë. Dhe menyja dolli shumë e pasur. Më të drejtë sot Përmeti mund të quhet “djepi” i guzhinës shqiptare. Nga ta nisim investigimin? Ftuam për kafe Eli Janaqi…Në vend që të fliste hapi çantën. Nxori andej disa letra dhe nisi të tregoi:
– Kam ardhur e armatosur! Ja këtu kam shkruar recetat për disa gjëllë karakteristike përmetare…Pse do të thoni ju?…Kam dy vajza në Tiranë. Njera në punë. Tjetra studente. Gatuajnë në shtëpi. Ftojnë shoqet dhe i “gostitin” me gjellë përmetare…Lëpijnë gishtat,- më thonë vajzat. Bile shkojnë më tej: Duan të mësojnë recetat për të gatuar edhe në shtëpitë e tyre…Merreni listën. Dua tu flas për glikotë. Një drekë e mirë pa gliko, është si një vajzë e bukur pa stoli! Mbretëreshë ëshë glikoja e arrës…Sininë kur qirasin zonjat, e zbukurojnë glikotë e qershisë dhe karpusit ( shalqi). Por mos u largoni nga Përmeti pa provuar glikonë me fiq të egër a nerënxë? Kam disa vazo në shtëpi. Po ua dhuroj me gjithë zemër…
Po kush mund të na gatuaj? Na rekomanduan disa lokale. Zgjodhëm “Hanin e Coles”…Morëm rrugën drejt Lixhave të Langaricës. Bëmë 5-6 kilometra rrugë dhe u kthyem majtas. Pranë një burimi, rrëzë një rrapi shekullor është ngritur bujtina. Në katin e parë: Guzhina dhe restoranti. Dy kate për hotel…E zonja, e pasi përmëndi 10-15 gjëllë karakteristik. Ezmerka “shqeu” sytë. Për ta sjellë në realitet i thashë:Le të pimë një gotë me verë

SHKARKO APP