Një “grua e egër”, sot në Kryeministri

Regjisorja Fathia Bazi, në një dokumentar jo të zakonshëm për botën perëndimore, e joshur nga historitë e rralla të burrneshave shqiptare, ka takuar njërën prej tyre dhe ka sjellë dokumentarin “Lulet e egra” (Wild flower), që do të shfaqet sot në orën 11:30, në Qendrën për Dialog dhe Komunikim (COD) në Kryeministri, në kuadër të edicionit të dytë të DocuTiff

“Burrneshat janë me men në kokë, jo se ndërron rrobat”, thotë Lulja, “gruaja e fortë” për të cilën ka udhëtuar e menduar me vite, regjisorja Fathia Bazi, duke realizuar një portret jo të zakonshëm për botën perëndimore, mbi të fundit burrneshë të maleve shqiptare.

Kështu, holandezja e joshur nga historitë e rralla të burrneshave shqiptare, ka takuar njërën prej tyre dhe ka sjellë dokumentarin “Lulet e egra” (Wild flower), që do të shfaqet sot në orën 11:30 në Qendrën për Dialog dhe Komunikim (COD) në kryeministri, në kuadër të edicionit të dytë të DocuTiff. Fathia është muzikante dhe këngëtare, si edhe gazetare e angazhuar për probleme sociale. Është edhe mësuese muzike për fëmijë në Rotterdam të Holandës. “Lule të egra”, është një portret mbi jetën e bareshës shqiptare, Lule Bib Luka, një prej virgjëreshave të fundit të betuara (burrneshë) mes nesh. Sipas kësaj tradite të hershme, gruaja që vendos të shpallet burrneshë, nuk martohet kurrë dhe merr rolin e burrit. Lulja sakrifikon jetën e saj prej gruaje, për t’u kujdesur për tokën e familjes, të trashëguar nga babai. Ajo ka gjithë jetën që jeton me të vëllanë, Kolën, i cili ka ndërruar jetë dy vjet më pare. Nipërit, tek rriten, largohen nga familja, duke e lënë Lulen të vetme që të kujdeset për tokë e gjë. Tani, pas aq vitesh sakrifice, Lulja po përgatitet të shkojë në qytet, pasi jeta mes maleve ka filluar t’i bëhet e papërballueshme. Në verën e fundit të saj në Tuc, Lulja na çon me skenat e këtij dokumentari, në vende shumë domethënëse për jetën e saj, me të cilat e lidhin kujtimet e jetës së saj dhe familjes. Tregimi i Lules është një histori personale, por përtej kësaj është rrëfim mbi venitjen e pashmangshme të riteve të vjetra faqe modernitetit të kohës ku jetojmë.

Regjisorja ka treguar më herët se si Shqipëria i vodhi zemrën qysh prej vizitës së parë, duke u intriguar nga fenomeni i virgjëreshave të betuara (burrneshat). Kjo e bëri gazetaren të udhëtojë drejt Shqipërisë pas një periudhe kërkimi, pothuaj të mjaftueshëm për të përmbushur një “burrneshë”.

Ajo është tërhequr nga peizazhi natyror, mjaft i thyer, malet dramatike, si dhe mikpritjen shqiptare, duke ia bërë njëkohësisht udhëtimin të paharruar.

Çfarë zbërthen nga fjala “burrnesha”, regjisorja jep perceptimin e drejtpërdrejtë të fituar mbi këtë fenomen që lidhet me gjuhën shqipe, që do të thotë “grua e fortë”. Madje, edhe regjisoren për këtë guxim të ndërmarrë në malet e veriut shqiptar, e kanë quajtur një burrneshë.

Ndërsa “burrneshën” e saj, me emrin Lule, e takoi në fshatin Tuc, një fshat në rrëze të një peizazhi malor në veri të Shqipërisë. Regjisorja Fathia Bazi, tregon si e takoi Lulen, gruan 76-vjeçare, bareshë në profesion. Me Lulen ka treguar se pati një bisedë të sinqertë për jetën e saj, si vendosi të mos martohet në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçe, për t’u kujdesur për vëllain e saj. Regjisori u tërhoq drejt projektit filmik, për mënyrën dramatike, pothuaj një teatër epik, duke ia finalizuar idenë e projektit, në një produksion për ekranin.

Një qëndrim prej tre javësh në shtëpinë e Lules, bashkë me një kameraman dhe përkthyes, Bazi ka treguar se si përfundoi historinë e jetës së saj. Ndërsa dokumentari shoqërohet nga një fotografi e jashtëzakonshme të natyrës, shoqëruar me gruan e egër, që jetën e saj ia ka kushtuar familjes, kujdesjes për të tjerët.

Bazi tregon kujdes po ashtu, që “burrnesha” e saj të trajtohet siç ndodh në jetën reale, edhe pse Lulja në të ri ka pasur propozime për martesë, ajo i kishte kthyer mbrapsht. E pamartuar ndonjëherë, pa fëmijë dhe pa jetë intime me një burrë, Lulja ka folur për drejtësinë dhe vendosmërinë, forcën për zgjedhjen e saj.

SHKARKO APP