Një letër profetike që të vë në mendime
Nga Mustafa Nano
Këto ditë po qarkullon në rrjetet sociale një letër që Muhameti, profeti i myslimanëve, u ka dërguar në vitin 628 murgjve ortodoksë të manastirit të Shën Katerinës në Sinai, më saktë buzë malit të Sinait, në majë të të cilit – kështu thuhet në Biblën hebraike, e më pas dhe në Kuran – Zoti d.v. shkroi dhjetë urdhërimet e famshme në dy pllaka guri dhe ia dorëzoi Moisiut, njërit prej profetëve më të rëndësishëm të botës, e personazhit më të rëndësishëm të Kuranit (pas Allahut, kuptohet). Në manastirin në fjalë, edhe sot, gjendet një numër i madh dokumentesh e dorëshkrimesh historike në gjuhë të ndryshme të vjetra, si greqisht, arabisht, hebraisht, aramaikisht etj., dhe mes tyre ka rënë në sy dhe kjo letër. Nuk është letra origjinale. Është një kopje. Letrën origjinale e ka marrë prej manastirit sulltani Selim I pas pushtimit osman të Egjiptit në vitin 1517, dhe ndodhet në muzeun Topkapi të Stambollit. Ka gati njëqind vjet që është publikuar përmbajtja e kësaj letre, por ky fakt nuk i ka davaritur dyshimet mbi autenticitetin e saj. Letra është nga ato që nuk të lë indiferent. Përkundrazi. Dhe arsyeja kryesore ka të bëjë me faktin që kjo letër është një mesazh i qartë paqeje që u dërgohet të krishterëve, kudo që janë, “aty rrotull apo larg e më larg”, të cilët Muhameti i sheh në mënyrë pak të çuditshme si shtetas të tij (në anglisht: my citizens).
Muhameti ende nuk e kish marrë Mekën në mënyrë përfundimtare (kjo do të ndodhë dy vjet më vonë, më 630), por atëbotë ai kish nën hyqëm, krahas Ummahs së vet, d.m.th myslimanëve, aq sa ishin, edhe tribu të tjera hebraike e të krishtera që jetonin në Medinë e në rrethina. Në vitin e letrës, Sinai ishte jashtë juridiksionit të kushtetutës së Medinës, të cilën Muhameti e kish hartuar me të vënë këmbë në Medinë, në vitin 622; ose duke ndjekur kalendarin islamik, në vitin 1 të Hixhrës. Por më e rëndësishme sesa mospërputhje të tilla është përmbajtja e letrës, që nxjerr në evidencë – siç e thashë – një qasje absolutisht paqësore ndaj kristianëve, gjë që nuk puqet dhe aq shumë me mesazhet kuranike që do të kalonin nga forma e trashëgimisë gojore në formë të shkruar nja dy dekada më pas. Muhameti bëhet garant në këtë letër dërguar murgjve ortodoksë të Sinait për paqen e kararin e kristianëve, ai thotë se nuk do të lejohet askush t’i prekë kristianët e objektet e tyre të kultit, e nëse kjo do të ndodhte, do të quhej se ishin ngritur kundër Testamentit të Allahut e kundër vullnetit të Profetit të tij. Dhe pak më poshtë, thuhet se një mysliman mund ta marrë për grua një të krishterë, veç nëse kjo e fundit bie dakord; përveç kësaj, ajo në këto rrethana nuk duhet të ndalohet të ushtrojë besimin e vet e nuk duhet të ndalohet të shkojë në kishë. Dhe në fund: “Detyra e çdo myslimani është t’i bindet këtij Testamenti deri në ditën e Kiametit”. Me fjalë të tjera, sa të ketë jetë mbi tokë. Interesante, apo jo? Dhe kjo është më e pakta që mund të thuhet. Befasia nuk është që Muhameti u ka shkruar ca murgjve me tone kamerateske.
Nuk ka ndonjë çudi në këtë mes. Murgjit e krishterë përmenden edhe në Kuran. Përmenden nja dy herë. E lihet i nënkuptuar një si respekt për zgjedhjen që murgjit kanë bërë në nderim e adhurim të Zotit. “Ndër [të krishterët] ka priftërinj të dhënë pas dijes e murgj të përkushtuar ndaj adhurimit, [që] nuk manifestojnë kryelartësi e arrogancë”, thuhet gjithë dashamirësi e empati në ajetin 5:82. “Murgjit duan pa janë murgj, e nuk jemi ne që i kemi urdhëruar të jenë të tillë”, thuhet në trajtë të perifrazuar në ajetin 57:27, e më pas vijohet me një qortim jo kushedi se çfarë në adresë të tyre, ndonëse janë po ata që bëjnë mëkatin e madh, që e konsiderojnë Isain (Jezuin) si bir të Zotit. Befasia është gjetkë. Kush është njohës i mirë i doktrinës islame nuk mund të mos goditet nga kjo letër që, po të jetë autentike, i bën një si karshillëk Fjalës më të Fundit (86:13 – Conclusive Word), Librit të Madhërueshëm (41:41 – Mighty Book), Kuranit pra, në të cilin, krahas mesazheve mirëkuptuese e përshëndetëse ndaj atyre që quhen People of the Scripture, d.m.th hebrenjve e kristianëve, gjenden edhe mesazhe papajtueshmërie e animoziteti me të njëjtët njerëz. Ka momente që Muhameti në Kuran, si përcjellës i fjalës së Zotit, shfaqet tepër i zemëruar me kristianët e hebrenjtë. “Mos i bëni miq e mbrojtës hebrenjtë e kristianët; e nëse i bëni miq, Allahu do t’ju konsiderojë si njërin prej tyre”, u thuhet myslimanëve në Kuran (5:51). Ose: “I vraftë Allahu këta të pervertuar [që] po shmangen nga e vërteta”, thuhet në fund të ajetit 9:30, dhe fjalën e ka posaçërisht për të krishterët e hebrenjtë. E kështu me pohime të tjera. Befasia është edhe te pjesa e fundit e letrës, ajo që ka të bëjë me okin që profeti i myslimanëve i jep idesë apo praktikës së martesës mes një myslimani e një gruaje të krishterë. Po përsëris atë që thuhet në letër: “Një mysliman mund të martohet me një grua të krishterë veç me miratimin e kësaj të fundit; e më tej, duhet ta lejojë gruan që të shkojë në kishë”.
Po në Kuran çfarë thuhet? Mesazhet janë kontradiktore. Në ajetin 5:5 u thuhet myslimanëve se “mund të martohen me gra të ndershme myslimane, por edhe me gra të ndershme hebre apo të krishtera”, ndërsa në ajetin 2:221 thuhet se “myslimanët nuk duhet të martohen me gra jobesimtare”, dhe mendja ta thotë se te jo besimtaret futen edhe gratë e krishtera, pasi ato, ndonëse shihen me gjysmë simpatie si People of the Book, besojnë në fakt te Triniteti, e te Krishti si bir i Zotit, gjë që, gjithnjë sipas Kuranit, është një nga prapësitë më të mëdha që mund të bëjë një njeri mbi faqe të dheut. Por befasia më e madhe është fryma e letrës, e cila është një frymë e mirëkuptimit dhe e paqes. Kjo letër e supozuar e Muhametit dërguar murgjve të manastirit të Shën Katerinës në Sinai, sido që t’i vijmë rrotull, kërcet në rastin kur duam ta inkuadrojmë në Kuran. E sikur të provohej që letra është autentike, d.m.th e diktuar dhe e vulosur prej dorës së Muhametit, do mund të thoshim se Muhameti i letrës ka qenë bajagi profetik. Krahasuar me Kuranin, letra është një dokument absolutisht më koherent, e ndoshta kjo gjë është edhe e kuptueshme. Një letër është një letër. Ndërsa një libër, sidomos një libër që është diktuar në harkun e viteve të tëra, sidomos akoma një libër që në masën më të madhe, e në ndryshim nga letra, është shkruar, jo nga Profeti vetë e flakë për flakë, por nga të tjerë vite më vonë, domosdo do të bartë pohime kundërthënëse e kontroverse. Libri është vërtet Libri i Zotit, siç duan të besojnë myslimanët, por ata që e kanë diktuar e shkruar kanë qenë njerëz, njerëz si të gjithë njerëzit, për rrjedhojë të gabueshëm. Gjithnjë, nëse letra është autentike. Por për këtë askush nuk mund ta vërë dorën në zjarr. “Shqip"