Një lëvizje e re politike               

Nga Arian Starova –

Po shkruaj sërish mbi këtë ide që thekson titulli, e cila në thelb lidhet me moralin, pasi prej shkrimeve të mi mbi politikën të shkruar gjatë muajit të fundit dhe mendimeve të lexuesve mbi ta, unë kam marrë një mbresë të jashtëzakonshme. Unë ndjeva se idetë më pak të vlerësuara të shkrimeve e mi kishin qenë pikërisht ato të cilat unë vetë i kisha vlerësuar më së shumti. E megjithatë, bindja ime e brendshme më thotë se këto ide janë thelbësore për zhvillimin e shpejtë të Shqipërisë drejt së ardhmes. Prandaj, në këtë shkrim, po u rikthehem atyre ideve në një formë tjetër.

Në tranzicionin e tejzgjatur ekonomik të Shqipërisë, kur problemet e përditshme të sigurimit të jetës materiale ende trysnojmë fort mbi njerëzit duket “normale” që ata të harrojnë se përveç interesave për ushqim, punë, biznes, fitim, pasurim etj., ekzistojnë edhe vlera të tjera jomateriale ose morale siç janë lidhjet njerëzore pa interes, miqësia, ndershmëria, mbajtja e fjalës, mbështetja e mikut në ditë të vështira, ndarja e pasurisë me ata që janë në vështirësi, vlerësimi dhe respekti për aftësinë e njeriut tjetër, vlerësimi përparësor i së vërtetës etj., etj. Shpesh, rrethanat janë të tilla që njerëzit vihen përpara sfidës nëse duhet të bëjnë një veprim që  u sjell përfitim por i cili njëkohësisht u prish një miqësi ose emrin e tyre të mirë. Dikujt mund t’i duket shumë më e rëndësishme që të fitojë diçka materiale sesa të ruajë miqësinë me një njeri tjetër. Në rastet kur kjo ndodh, ai që ka fituar nuk e kupton se edhe ka humbur diçka, e cila është më e madhe sesa fitimi. Ai ka fituar ndoshta para, por ka humbur një miqësi. Këtë humbje morale “të padukshme” ai do ta kuptojë vetëm kur dikush tjetër të fitojnë në kurriz të tij. Po të përfytyrojmë sikur në këtë mënyrë të vepronin të gjithë njerëzit, atëherë mjedisi ku jetojmë vetëm emrin do të kishte shoqëri njerëzore se në të vërtetë do të ishte një xhungël e rrezikshme me dukjen e rreme të një shoqërie. Te ne, fatkeqësisht janë përhapur “disi shumë” veprime ose sjellje të tilla të njerëzve. Rrjedhoja më e vogël e dukurive të tilla do të ishte humbja e ndjenjës së sigurisë njerëzore. Është e vërtetë se shoqëritë kanë ligjet dhe drejtësinë për të mos lejuar që njerëzit të dëmtojnë njeri tjetrin për shkak të ndjekjes vetëm të interesave të tyre vetjakë. Megjithatë, siç thoshte një prej filozofëve të lashtë ligji dhe morali janë si veza në të cilën e kuqja është morali kurse e bardha është ligji. Kuptimi i këtij krahasimi ishte se nuk mund të ketë ligj pa moral.  Kur në shoqëri tronditet ligji është morali ai që e mban shoqërinë. Prandaj, ajo çka ndodhi te ne në vitin 1997 ishte aq e tmerrshme, sepse morali njerëzor kishte pësuar dëmtime të rëndë që kishin filluar gjatë viteve të regjimit komunist.

Në qoftë se një shoqëri ka probleme të tillë madhorë me moralin si te ne, askush nuk duhet të habitet se përse vrasjet për shkaqe të konflikteve të njerëzve janë shtuar kaq shumë. Shqipëria ka mbërritur në gjendjen kur dy njerëz (ndonjëherë edhe të afërm brenda fisit) mund të vriten edhe “për një vijë uji” të shfrytëzuar me mashtrim, për një “zënkë kafeneje”, për një përplasje të makinave në rrugë, për një ndarje të pronave etj., etj. Këto veprime njerëzorë nuk i frenon as frika nga ligji, sepse pa moral as ligji nuk vepron, aq më shumë një ligj zbatimi i të cilit është kaq problematik në Shqipëri.

Është pikërisht kjo gjendje e moralit njerëzor, kjo mospërfillje ndaj vlerave morale, ajo çka ka krijuar rrethanat për formimin e grupeve të korruptuar edhe në elitën tonë politike të cilët sot e shpërfillin hapur moralin dhe synojnë vetëm pasurimin e paligjshëm në kurriz të qytetarëve. Si rrjedhojë, duam apo nuk duam ne, sjellja e pamoralshme e disa grupeve të elitës sonë politike është pasqyrë e mospërfilljes së përhapur të njerëzve ndaj moralit. Politikani apo zyrtari i korruptuar, në fund të fundit, bën siç bëjnë ata njerëz të zakonshëm që shpërfillin njëherësh ligjin dhe moralin në emër të përfitimit vetjak dhe këtë e mendojnë si diçka normale.

Në shoqërinë shqiptare të sotme, një pjesë e elitës drejtuese politike e ka braktisur misionin e saj kundrejt popullit, ose interesin e përgjithshëm të njerëzve. Kjo është e vërtetë si për Opozitën edhe për Shumicën qeverisëse. Drejtësia shqiptare ka përgjegjësinë e vet në mosfrenimin e këtyre dukurive si ndër qytetarët edhe në elitën politike apo shtresën e zyrtarëve. Ndërkohë, të gjithë ne po ndjekim gjatë thuajse dy muajve sesi grupimet e korruptuar të elitës politike shqiptare “hedhin e presin” në mënyrë të pamoralshme “topin” e reformës në drejtësi pa e çuar kurrë atje ku duhet, vetëm sepse kjo gjë do të niste procesin e hetimit dhe të dënimit të zyrtarëve apo ish zyrtarëve të lartë të korruptuar.

Shoqëria shqiptare ka nevojë të ngutshme që ta ndërpresë këtë shtrirje të mendësisë së pamoralshme dhe të pandëshkueshme nga ligji që vjen nga “poshtë” dhe futet në elitën politike të vendit. Në të vërtetë, një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk e pranojnë këtë mendësi shkatërrimtare dhe ata janë përpjekur përherë që t’ia presin asaj rrugën nëpërmjet zgjedhjeve, por ata nuk kanë mundur deri tani që të gjejnë gjithnjë udhëheqësit e duhur politikë, pjesërisht për shkak të nënvleftësimit të tyre ndaj vlerave morale njerëzore, pjesërisht për shkak të shpërdorimit të votës së tyre nga pjesa e korruptuar e elitës politike.

Në këndvështrimin moral, nëse kjo gjendje vazhdon atëherë përgjegjësia e shqiptarëve merr pamjen e moskokëçarjes ndaj vjedhjes së shpresës për të ardhmen nga pjesa e korruptuar e elitës politike të vendit. Si është e mundur që njerëzit janë jashtëzakonisht veprues dhe të ashpër kundër mashtrimit dhe vjedhjes vetjake në jetën e tyre të përditshme, por tregohen moskokëçarës ndaj shpresës së tyre për të ardhmen të vjedhur nga politikanët e korruptuar?! A nuk është tregues i pjekurisë kulturore të një populli që ai të kundërvihet edhe ndaj vjedhjes apo cenimit të vlerave të tij morale të përbashkëta siç është shpresa për të ardhmen?! A mundet të na vjedhin shpresën dhe të rrimë indiferentë? A mund të na mashtrojnë dhe të mos shqetësohemi?

Në këto rrethana, janë disa pyetjet që marrin rëndësi madhore për ne në ditët e sotme: Si të dalim prej kësaj gjendjeje? Si të zhdukim amoralitetin e politikës? Si të ringjallim besimin e njerëzve te politika dhe politikanët? Si t’u rikthejmë njerëzve shpresën për të ardhmen?

Unë mendoj se tani, ka ardhur koha që të bëhet një përpjekje e re për të risjellë ndryshimin dhe shpresën për të ardhmen duke i bashkuar qytetarët përreth një elite të re politike e cila të dallohet para së gjithave për idealizëm, përkushtim të pakorruptueshëm ndaj njerëzve dhe besueshmëri të lartë të fjalës së saj. Dëshiroj që ta theksoj se jam i bindur se ajo çka i mungon sot politikës shqiptare nuk janë idetë për zgjidhjen e problemeve të cilat mund t’i marrësh fare lehtë prej informacionit dhe përvojës politike thuajse të pafund, por mbi të gjitha përkushtimi njerëzor i politikanëve ndaj këtyre ideve-zgjidhje mbi nevojat e shqiptarëve. Në njëzet e pesë vjet demokraci kemi shembuj të shumtë që tregojnë se politika dhe politikanët shqiptarë kanë pasur ide me bollëk. E keqja ka qëndruar te mungesa e lidhjes së tyre të ndershme, idealiste dhe afatgjatë me idetë në shërbim të interesit publik të qytetarëve. Në Shqipëri është harruar se politika është në shërbim të shtetasve. Ata shqiptarë që e harruan kanë “pushtuar” dalëngadalë edhe elitën politike të vendit. Madje edhe më keq se kaq, politikanët që e mendojnë politikën si shërbim idealist ndaj qytetarëve shtyhen jashtë saj sepse ata e prishin “lojën-biznes” të të pasuruarit nëpërmjet politikës.

Ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të ketë udhëheqës të rinj dhe ide të reja. Kjo është zgjidhja dhe, në dukje, është një zgjidhje shumë e vështirë. Nga do të dalin këta udhëheqës të rinj dhe të besueshëm? Nga partitë ekzistuese? Po a nuk janë këto parti ato që e sollën punën deri këtu, deri te humbja e shpresës së qytetarëve për të ardhmen?! A duhet të humbim kohë dhe të presim që këto parti të sëmura të nxjerrin udhëheqës të shëndetshëm?! Shqipëria ka nevojë për një lëvizje të re politike e cila ta nxjerrë atë prej llumit ku e ka futur politika e korruptuar që na bën “teatër” të neveritshëm përditë nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë. Ky grupim i ri politik do të ishte nxitja dhe frymëzimi më i mirë edhe për spastrimin moral të partive politike ekzistuese.

Ajo për të cilën dëshiroj të thërras fort është: O njerëz, mos e harroni moralin, sepse edhe po e harruat ju nuk ju harron ai! Në njëfarë mënyre ju e harruat moralin apo ndershmërinë e politikës në këta njëzet e pesë vjet duke besuar se politika është “kurvë” (siç ju mashtronin me mijëra forma të korruptuarit e politikës) dhe ajo çka erdhi prej besimit tuaj të gabuar është gjendja e sotme e pashpresë e krijuar nga një politikë që ju ve përditë në lojë duke menduar me kokëtrashësi se ju nuk e kuptoni. Tani, pasi keni humbur njëzet e pesë vjet, ju e keni kuptuar se keni nevojë për politikanë të moralshëm, të ndershëm, idealistë dhe shërbyes të vërtetë të interesave të qytetarëve. Tani është shumë më e vështirë që të ndreqet kjo gjendje krahasuar me fillimin e viteve 1990 kur idealizmi dhe ndershmëria ishin flamur udhëheqës i një politikës të re. Sidoqoftë, vetë vështirësitë e kësaj sipërmarrjeje të re politike do të jenë prova më e mirë për cilësinë morale të një elite vërtet të re të politikës shqiptare.

Kjo gjendje e pashpresë e shqiptarëve duhet kapërcyer. Mendoni, kërkoni, gjejini dhe mbështetini njerëzit që do t’ju përfaqësojnë me ndershmëri dhe guxim në një lëvizje të re politike, se nuk ka mbetur rrugë tjetër! Zgjedhjet e ardhshme janë fare pranë. Vetëm një grupim i ri politik mund të krijojë një frymë popullore të ndryshimit pa të cilën do ta vështronim sërish veten nën një elitë politike që merret me punët e veta.

SHKARKO APP