Një lypës i shëndetshëm është më i lumtur se një mbret i sëmurë

Prof. Dr. Ago Nezha/Është krijuar një imazh negativ, i frikshëm në opinionin e gjerë shoqëror, se mos rënç në kurthin e  mjekësisë dhe të drejtësisë. Po ti ballafaqosh këta dy sektor jetik për qytetarin, do shohësh qartazi se ky është një gjykim rutinë që s’kanë asgjë të përbashkët me njëri tjetrin. Sëmundja, është armiku kryesor i lumturisë njerëzore. Në vlerësimin e Shopenhauerit: “Veçanërisht shëndeti vlen mbi gjithë të mirat e tjera, sa që një lypës i shëndetshëm është më i lumtur se një mbret i sëmurë”.

Ky krahasim flet qartë dhe s’ka nevojë për koment. Shqiptarët në vitet e demokracisë kanë fituar disa cilësi regresive, të shëmtuara, që nuk i kanë trashëguar nga të parët e tyre. Janë mësuar të shajnë, të përçmojnë, paragjykojnë, mohojnë, akuzojnë, injorojnë e trillojnë mbi një fantazi të sëmurë. Ky front negativ, e ka burimin nga politika opozitare, që ka marrë flamurin për të nxirë çdo gjë pozitive që bën kundërshtari i tij politik. Për të pasur frikë për të gjetur të drejtën nga drejtësia, duke ndjekur gjatë kalvarin e ngjarjeve, është më se e motivuar.

Ndërsa për të gjetur shërim nga mjekësia, ka shembuj pambarim, që duart e arta të mjekëve dhe personelit të mesëm kanë kthyer në jetë qindra jetë njerëzish në prag të vdekjes. Kam dëgjuar shumë episode miqsh për merita të mjekëve të kardiologjisë, që duhet t’i bëjnë krenar për aftësitë dhe gatishmërinë që tregojnë ndaj të sëmurit. Një shembull që e kam përjetuar vetë ka qenë reparti i Kardiologjisë në Spitalin “Nënë Tereza”, në Tiranë. Qysh me prezantimin e parë te reparti i urgjencës do përballeshe me një shërbim korrekt dhe një interesim disi befasues për të përcaktuar diagnozën e të sëmurit. Një ndryshim cilësor, që s’ka të krahasuar me shumë vjet më parë. Po të shkosh në repartin e Reaminacionit do ndeshesh me dy tablo diametralisht të kundërta. Kushtet e këtij reparti lenë shumë për të dëshiruar, pasi të sëmurët  janë në gjendje të rëndë, i gjen të rreshtuar në një kapanon si të jenë ushtarë, me mbingarkesë të papërballueshme, pasi vijnë nga gjithë krahinat e vendit. Kjo situatë i bën apel Qeverisë dhe Ministrisë të Shëndetësisë, që duhet të ndërhyjnë urgjentisht për të krijuar një mjedis të përshtatshëm si për të sëmurët me probleme kardiake, ashtu dhe për personelin shëndetësor që punon në kushte krejtësisht të papërshtatshme. Ndërsa shërbimi mjekësor duke filluar nga mjeku dhe duke përfunduar te infermieria apo edhe sanitarja, është  shembullor.

Aty janë të gërshetuara pakrahasimisht humanizmi, gatishmëria, profesionalizmi, përgjegjësia dhe sjellja shembullore. Për të krijuar atë regjim perfekt, kërkesa e llogarisë ishte në shkallën më të lartë të hierarkisë funksionale. Shefi i repartit, Kryeinfermjeria, apo mjekja që ndiqte të sëmurin funksiononin si një ansambël orkestral. Ishte një shembull, për të marrë shembull. Pas shërbimit mbresëlënës në Reaminacion, i sëmuri përcillej për në repartin ku do i nënshtrohej operacionit sipas diagnozës që kishin përcaktuar mjekët specialist. Sa futesh në pavijon  e katit të dytë prezantoheshe fillimisht me mjekun e dhomës që fillonte ekzaminimin e sëmundjes dhe komunikonte me mjekun operator. Në mënyrë horizontale krijohesh një zinxhirë që të gjitha hallkat funksiononin normalisht. Mjeku operator, Dr. Ormir Shurdhi, që është dhe specialist i fushës kontaktonte menjëherë me të sëmurin sa vjen në pavijon dhe e përgatit atë psikologjikisht për të qenë i qetë dhe me besim se operacioni do shkoj shumë mirë. Xhon Rej shkruan se: “Kirurgu i mirë duhet të ketë syrin e shqiponjës, zemrën e Luanit dhe duart e gruas”. Këto tre cilësi ishin të mishëruara organikisht te mjeku Ormir Shurdha dhe asistenti i tij Arkel Duka, si dhe personeli i repartit të hemodinamikës. Por puna mjekut nuk mbaronte këtu. Ai, e ndiqte ecurinë e pacientit në proces edhe pas operacionit për mbarëvajtjen e tij.

Mjekët e talentuar, me mjeshtërinë e duarve të tyre kanë tension, lodhje dhe ndjenjë përgjegjësie, duke kryer disa ndërhyrje në ditë. Për gjithë këtë punë pasionante, shpërblimi nëpërmjet rrogës që marrin mjekët  është qesharak. Shteti rrit rrogat e disa sektorëve që shquhen për hajdutëri si juristët apo avokatët si dhe nëpunësve parazitë të administratës dhe harron sektorin më jetik, atë të mjekësisë, që ti shpërblejë për kontributin e tyre të pakrahasueshëm me çdo profesion tjetër. Në tërë rrugën e gjatë që përshkon i sëmuri, duke nisur nga reparti i urgjencës, te Reaminacioni, në pavijonin përkatës e deri te salla e Hemodinamikës, është disi e pabesueshme, që jo vetëm nuk pati asnjë shenjë për të marrë ryshfet, por edhe ndonjë që ka tentuar t’i ofrojë një qerasi mirënjohje është refuzuar nga mjeku apo infermieria. Ryshfeti hyn pa trokitur, por për ta zhdukur atë kërkon një impenjim të madh nga të gjitha strukturat shtetërore dhe shoqërore. Ajo që më ka befasuar dhe nuk arrij dot ta shpjegoj, apo të gjej origjinën e sekretit të saj, është si është arritur të ketë një shërbim në perfeksion, që të kujton atë të para viteve ‘90 dhe gjithçka të bëhet me ndërgjegje të lartë dhe pa shpërblim. Këtë fenomen që ka ndodhur në mjekësi, ma përligji edhe një miku im që ishte shtruar në Sanatoriumin e Tiranës për një muaj rresht.

Në një kohë që korrupsioni dhe makutëria është futur thellë në çdo qelizë të shoqërisë dhe jo vetëm në Shqipëri, por ajo flet në të gjitha gjuhët e botës dhe s’ka kufij gjeografik. Këtë e quaj një sukses të madh në sistemin e mjekësisë, që nuk arrij dot ta kuptoj dhe interpretoj, se kush është mekanizmi që ka shënuar këtë apokalips ndërgjegjësor dhe cila është kirurgjia morale që është arritur në këto standarde kaq të larta shërbimi dhe sjellje korrekte të personelit shëndetësor. Dua të besoj se shumë mjekë kanë arritur të kuptojnë filozofinë e babait të mjekësisë së lashtë Sokratit që thotë se: “Nuk mund të mjekosh trupin, pa mjekuar shpirtin”. Këtë postulatë të Babait të mjekësisë në lashtësi e kanë bërë të tyren shumë mjek të talentuar të rinj që shërbejnë në klinikat shtetërore, ndryshe nga ato private që siç tregojnë shumë pacientë abuzojnë dukshëm me çmimet e larta të shërbimit dhe kurimit.

SHKARKO APP