Një në tre të rinj i papunë, qeveria jep 490 milion lekë për nxitjen e punësimit

Një në tre të rinj në Shqipëri është i papunë sipas kreut të Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë Petrit Vasili. Ky i fundit ka risjellë edhe një herë në vëmendje faktin e mbylljes së rreth 10500 bizneseve të mbyllura në nëntë muajt e fundit prej të cilave kanë mbetur si të papunë rreth 30 mijë persona.

Ndërkohë që fondet për nxitjen e punësimi edhe për 2018 do të jenë në vlerën e 490 milionë lekëve, shifër kjo e njëjtë me atë të një viti më parë. Sipas zëvendës ministrit të Financave Ekonomisë dhe Punës Erjon Luçi, rreth 5 mijë punëkërkues të regjistruar në zyrat e punësimit do të jenë përfitues të këtij fondi.

Në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë dhe të Çështjeve Sociale ka patur debate sa i përket shifrës së numrit të të papunëve. Kjo pasi janë deklaruar tre shifra nga zëvendësministri Luçi. Një shifër nga Instat, një nga zyrat e punës dhe një nga anketimet e zhvilluara.

Buxheti për të ardhurën nga papunësia për vitin 2018 është në vlerën e 800 milionë lekëve. Pagesa e papunësisë përfaqëson një nivel bazë të barabartë me 11 mijë lekë në muaj për çdo përfitues.

Por çdo person e fiton këtë pagesë në varësi të periudhës së kontributeve të sigurimeve shoqërore që ka paguar, nëse do të ketë edhe shtesa për fëmijët në ngarkim, Ministria e Financave përllogarit mesatarisht që një individ mund të përfitojë deri në 12.500 lekë në muaj.

SHKARKO APP