Një shpresë e re për Rumaninë
Qytetari i përgjegjshëm i brezit 2.0, që informohet dhe nuk e lë vetën të manipulohet nga mediet e mbikqyruara, ka mundur të bindë prindërit dhe gjyshërit, që kandidati Ponta është një turp për vendin e tij. Premtimet boshe, fushata e paparë e mbështetësve të tij, gënjeshtrat dhe shpifjet nuk e ndihmuan dot. Ponta e ka bërë Iohannis-in president përmes përpjekjes së tij shumë jodemokratike, për të përçarë rumunët. Slogani i tij nacional-populist, se si rumun ortodoks je “rumun i mirë”, u bë fundi i tij. Shumë i fryrë ishte ky slogan, shumë e pabesueshme e gjithë sjellja e kandidatit socialdemokrat. Nëse Ponta ka ende sado pak njërzillëk, ai duhet të japë dorëheqjen. Më mirë dje se sot, pra sa më parë.
Klaus Iohannis ka treguar në mënyrë mbresëlënëse se edhe një politikan protestant me origjinë gjermane nga krahina e Transilvanisë mund të jetë një rumun i mirë. Me siguri ajo që e ka ndihmuar, është edhe pragmatizmi i tij. Si kryebashkiak i zgjedhur katër herë me rradhë në Sibiu (gjerm. Hermannstadt) ai u ka dëshmuar jo vetëm banorëve të qytetit të tij në Transilvani, por edhe të gjithë vendit se ai e ka seriozisht, kur flet për një “Rumani, ku puna bëhet mirë”. Por Klaus Iohannis është edhe një njeri i gjesteve të vogla. Kur ai u pyet në një konferencë për shtyp, nëse e di ndonjë çikë tekstin e himnit rumun, ai këndoi strofën e parë pa asnjë gabim. Më këtë ai preku nervin e shumë të pavendosurve, që kishin nevojë për një provë të fundit, për ta zgjedhur.
Ndryshe nga Ponta, i cili u ngatërrua një natë më parë në njërin nga “stacionet e tij”. Kryeministri, që është akuzuar për plagjiaturë të doktoraturës dhe që është kritikuar disa herë nga Brukseli për mosqartësi në qëndrime, dështoi edhe në këtë detyrë të thjeshtë. Një shenjë e vogël me efekt të madh. Edhe një fëmijë mund ta kuptonte lehtë: Ponta ishte zhveshur. Në fund edhe një tjetër kompliment për rumunët që jetojnë jashtë vendit: Reth 400000 votues – tri herë më shumë sesa në raundin e parë të votimit më 2 nëntor – i dhanë Klaus Iohannis në votimet jashtë vendit një avantazh të qartë prej mbi 40 për qind. Dhe kjo, edhe pse në votimin e dytë – ashtu si dy javë më parë – jo të gjitha vendvotimet mundësonin një pjesëmarrje të qetë. Në raundin e parë mijëra rumunë, që jetojnë jashtë vendit, nuk votuan dot. Tani ato sulmuan qendrat e votimit për të shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike.
Radhët me kilometra të gjata para ambasadave dhe konsullatave rumune në kryeqytetet evropiane bënë shumëkënd të pyeste veten, si është ende e mundur një gjë e tillë në BE në vitin 2014? Po, është e mundur! Para rënies së regjimit rumunëve u është dashur të rrinë netëve në radhë për të blerë një copë gjalpë dhe dy banane për fëmijët. Tani rrinë në rradhë për t’i dhënë demokracisë në vend një shans të ri. Kundër vullnetit të qeverisë. Dhe ata ia dolën! Tani e ka radhë Klaus Iohannis të tregojë se e ka merituar besimin e zgjedhësve dhe si president i të gjithë rumunëve ai duhet të kujdeset për barazi dhe pajtim.
“Deutshe Welle”