Një vit mister nga vrasja e bankierit Santo

 

Nga Lorenc Vangjeli/

Përballë hyrjes kryesore të Credins Bank janë vënë disa buqeta me lule. Të vetmet që kujtojnë se

një vit më parë, në atë vend u ekzekutua me atentat bankieri Artan Santo. Ajo ishte vrasja e parë e një profili të tillë të lartë nga bota e financës, e cila tronditi thellë dhe shkaktoi zemëratë në opinionin publik.

Tronditja dhe zemërimi ndodhi për disa arsye; ato kishin të bënin sa me veçantinë e viktimës që

ishte mjaft i njohur në Tiranë, po aq dhe me marrëdhëniet që ai kishte me shumë personazhe të

rëndësishëm të jetës publike, aktor individual i të cilës ishte dhe ai vetë; ato kishin të bënin me marrëdhënien që Santo kishte me median, por edhe me mënyrën barbare të ekzekutimit dhe vendekzekutimit të zgjedhur.

Një vit më pas, ka shumë dyshime, por asnjë të arrestuar për këtë vrasje. Ka shumë pista, por asnjë motiv të vërtetuar për të shpjeguar motorin e zi me dy vrasës në trotuarin e bankës.

Ka shumë dilema, por asnjë ide se pse ka ndodhur, kush ka qenë me pistoletë në dorë, kush

drejtonte timonin e motorit dhe kush urdhëroi vrasjen. Ka shumë mister në atë çfarë ndodhi dhe ka edhe më shumë mistere që vetë Santo i morri me vete në heshtje.

Një vit më pas, me gjasë, familjarët dhe miqtë e shumtë të të ndjerit Santo do të bëjnë përshpirtje

për të. Një vit më pas, ata, por dhe gjithë opinioni publik duan të kenë së paku një ide se pse ndodhi ajo çfarë ndodhi. Sepse zbardhja e misterit të vrasjes së Artan Santos mund të jetë hallka e rëndësishme e një zinxhiri që zbardh edhe mistere të tjera, tipike për një tranzicion harbut e absurd shqiptar, një tranzicion i pafundëm, i padrejtë, i ashpër, arrogant dhe plot ankth, gjak e mërzi. Ky është borxhi që shteti i ka shtetasit të tij Artan Santo.

Zbardhja e motiveve se pse ndodhi vrasja e tmerrshme është njëkohësisht edhe pagesa e fundit që Santo mund të bëjë nga përtej ku e nisën padrejtësisht e pabesisht. Një pagesë dhe një kredi e

pakthyeshme nga bankieri i vrarë dhe që vlen dhe shërben për të gjithë që janë gjallë! Një kredi që shërben edhe për të shpjeguar ndoshta dhe me një detaj më shumë egërsinë e tranzicionit shqiptar që nuk e meriton askush. Dhe natyrisht që Santo nuk e meritonte. Sepse meriton shumë më shumë sesa ato buqeta lulesh përballë hyrjes kryesore të bankës që krijoi vetë vite më parë. Meriton ta dijë se kush i dërgoi motorin në udhëtimin e tij të fundit.

 

javanews.al

SHKARKO APP