Një vizitë dhe shtatë erdoganizma

 

Nga Alfred Lela

Vizita e Presidentit turk Recep Tayp Erdogan, ka riprodhuar ciklin e përhershëm të debatit orient-oksident në Shqipëri. Nga do t’ia mbajnë kësaj here shqiptarët? – dukej sikur përplasej mureve të ndërgjegjes pyetja e kahershme, guri i mundimit identitar.

Kundërthëniet e vizitës së Erdoganit në Shqipëri bëhen edhe më kumbuese nëse ke parasysh kontekstin e politikave apo qëndrimeve të tij të brendshme e të jashtme. Ai është kontrovers në vendin e vet për shumë veprime apo mosveprime që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes, të drejtat e njeriut, mjegullimin e kufijve mes religjionit dhe shtetit. E të tjerë erdoganizma.

Për trashëgiminë e republikës moderne turke Erdogan është një antikemalist.

Mjafton kjo për të grumbulluar shikime të shtrembra ndërmjet liberalëve, pavarësisht ku janë ata në Berlin, Uashington, Londër apo Tiranë.

Erdogan është njëfarë persona non grata i një republike virtuale që ka për Kushtetutë Magna Carta-n, edhe pse pas shtetit të tij autoritar, pas mohimit të shumë të drejtave, shkëlqen smeraldi lëbyrës i prosperitetit ekonomik. Turqia është më mirë, turqit ndihen më të sigurt ekonomikisht, por edhe në raport me botën, gjë që i ka hapur rrugë një të vetëndjeri nacionalist apo imperialist, përfaqësim i të cilit është hapja e kartave të tezës, relativisht të re, të neo-otomanizmit.

Kjo tezë, por edhe profili autoritarist erdoganian na prek edhe ne në Shqipëri. Ndër të tjera edhe për arsye se politikat erdoganiste dhe politikanët e këtij lloji në anët tona janë një dorashkë që i bie mirë dorës.

Ja se si janë shfaqur në 7 hapa këto erdoganizma gjatë vizitës me ‘plagë’ ende të freskëta të presidentit turk.

Një vjershë, një  fëmijë, një cliché. Çfarë cliché-je, çfarë përsëritjeje, çfarë panevoje ishte ai mallëngjim i shefit të shtetit turk dhe sidomos ai fëmijë shqiptar, i disati në disa breza, të cilit i japin një vjershë prekëse për jugosllavin, rusin, kinezin e me radhë.

Gylenistë: a janë terroristë kundërshtarët politikë? Presidenti turk ka eksportuar në Shqipëri një konflikt të brendshëm politik që ai ka me Fetullah Gylenin dhe ndjekësit e tij. Kërkesa e tij e hapur, më saktë kushti që u lexoi mikpritësve të tij shqiptarë, për ‘dëbimin’ e gylenistëve të cilët ai i quajti terroristë, ishte një demonstrim i hapur arrogance.

Xhamia e Prezës, dikur kështjellë  arbërore. Pa u futur në mallëngjime historike, duhet thënë se kalaja e Prezës ka një simbolikë skënderbejane. Ajo komunikonte me kështjellën e Krujës me ‘shenja lufte’, ishte, si me thënë, ‘motra e vogël’ e qëndresës arbërore. ‘Pushtimi’ me një xhami i një kështjelle që pikërisht kundër gjysmëhënës po rezistonte, dhe për më shumë përurimi nga një sulltan modern e bën të gjithën një turli imam bajalldi simbolesh.

Qëndresa me një bust e një pikturë. Kryeministri Rama bëri njëfarë qëndrese nga bedenat e Facebook-ut. Ai postoi një foto të tijën me Erdoganin ndërkohë që në sfond ‘kërcënonte’ Ismail Qemali dhe Gjergj Kastrioti. Nuk iu bashkua as arabeskave të Erdoganit, siç bëri gjatë vizitës së shefit turk në Kosovë.

A janë  përdhunimet histori dashurie? Diskuri i historisë dhe fatit të përbashkët turko-shqiptar kalon një cak logjik, etik dhe truist. Shqipëria ishte e pushtuar nga osmanët dhe asnjë  ‘lavdi’ e një duzine vezirësh me origjinë prej këtej nuk e shlyen atë se shqiptarët në shumicë qenë robër, jo zotër, në atë perandori të një bote tjetër.

Simbolika neo-otomaniste apo Kalifati që nuk duam: përkufizimi i një kalifati ku shqiptarët, kurdët, boshnjakët, turqit, arabët e sa e sa myslimanë janë bashkë e padallim, është veçse outpost-i, hija morboze e një tjetër skizofrenie që përfaqësohet nga ISIS dhe ëndërron për një shtet islamik të përbotshëm. NO, THANK YOU!

Investime apo jeniçerë të perandorisë? Një shpurë biznesmenësh u raportua se shoqëronte shtatoren lëvizëse të Erdoganit. Nuk dëgjuam e as pamë gjë përtej projekteve fetare dhe porosive për ‘ngjitje me thikë ndër dhëmbë’ mbi murin virtual të përvijimit gylenist në Shqipëri. A thua prapë jeniçerë të perandorisë do të jenë shqiptarët?

SHKARKO APP