Një zgjidhje për kreditë e këqija

Po përveç shkakut të gjendjes së vështirë ekonomike, rritja e kredive me probleme vjen edhe si rezultat i vështirësisë dhe mungesës së profesionalizmit që haset në procesin e zgjidhjes apo “përmirësimit” të tyre. Në përgjithësi përgjegjësia për zgjidhjen e kredive me probleme kalon dorë më dorë e zyrë më zyrë, nga bankat në gjykatë e prej këndej në zyrën e shërbimit përmbarimor. Është një përgjegjësi që ndjehet gjithnjë e më pak me kalimin e kohës, për shkak se edhe bankat janë të kënaqura me arkëtimin e pjesshëm të këtyre huave që i klasifikojnë si “kredi të humbura”….

Nga Feti ZENELI

Sistemi bankar në veçanti, por edhe ekonomia shqiptare në përgjithësi vazhdojnë të vuajnë këto vitet e fundit nga niveli i lartë i kredive të këqija, pavarësisht shqetësimit të shprehur dhe masave të marra herë pas here, si nga faktori i brendshëm dhe nga ai i jashtëm. Rritja e kredive me probleme tregon, veç të tjerash, edhe për vështirësitë e evidentuara në procesin e zgjidhjes së tyre dhe nevojën për monitorimin nga afër të këtij procesi. Ishte kjo arsyeja që Banka Botërore sugjeroi të gjendet një mënyrë më efektive për trajtimin e kredive të këqija, duke lënë të nënkuptohet se duhet një zgjidhje e re apo një reformë rrënjësore dhe jo arnime të rrugëzgjidhjeve të deritanishme.

Rritja e vazhdueshme e kredive të këqija, duke filluar nga maji i vitit 2015, tregon veç të tjerash, se fshirja masive vitin e kaluar e këtij grupimi huash nga bilancet e bankave, ishte një operacion i tipit “ngopje me lugë të zbrazur”, i diktuar ndoshta nga sedra e shndërrimit të Bankës së Shqipërisë në “levë” të Qeverisë. Bazuar te bilanci statistikor i 15 muajve të fundit, treguesi i kredive me probleme është rritur së fundi me afro 3.5 për qind, ku e gjithë kjo rritje ka ardhur nga huatë e dhëna për biznesin, ndryshe nga sa ndodh me individët, të cilët tregohen më korrekt në shlyerjen e kësteve të kredisë. Këto të dhëna kanë befasuar edhe vetë Bankën Qendrore, pasi pritmëritë e saj ishin për rënien e peshës së kredive me probleme ndaj totalit të kredisë, së bashku me rritjen në krahun tjetër të nivelit dhe të cilësisë së huadhënies në përgjithësi.

Me sa duket, pritmëritë bazoheshin tek të ashtuquajturat reforma të qeverisë për zhvillimin dhe rritjen e ekonomisë. Siç dihet, rritja ekonomike përbën bazën e plotësimit të nevojave në rritje të njerëzve. Në aspektin teorik ky tregues paraqet normën, me të cilën rritet realisht PBB-së, zakonisht gjatë një viti. Parë në këtë këndvështrim, rritja ekonomike pasqyron zgjerimin e kufirit të mundësive të prodhimit. Kur rritet ekonomia, shtohet punësimi dhe investimet sjellin më shumë të ardhura, siç ndodh e kundërta në periudha depresioni, në të cilën financat pakësohen. Për aq kohë sa ekonomia është në rritje, në qarkullim ka më shumë para dhe njerëzit blejnë më shumë të mira materiale, bizneset marrin më shumë kredi dhe interesi mbi borxhet  shlyhet me lehtësi. Natyrisht, që edhe pritshmëritë janë të larta. Në këtë këndvështrim duhet parë edhe deklarata e Guvernatorit Sejko para dy vitesh: “Ne presim që gjatë vitit 2015 e në vazhdim të kemi një nivel më të lartë të financimit të ekonomisë shqiptare. Pra bankat dhe sistemi bankar të jenë më aktive. Do të jetë një faktor që do të japë një impakt shumë pozitiv në ritmin e rritjes ekonomike”. Faktet tregojnë se z. Sejko u investua fuqishëm për të bërë pjesën e detyrës që i takonte në këtë drejtim, madje duke rriskuar jo pak të ardhmen e institucionit që drejton, si rezultat i uljes drastike së normës bazë të interesit, por qeveria nuk iu përgjigj me të njëjtën gatishmëri, për përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Në këto kushte rritja e nivelit të kreditimit bankar vijon të jetë me ritme të ulëta, duke mos reflektuar aspak efektivitetin e masave të marra nga Banka e Shqipërisë, sigurisht në interes të qeverisë dhe shoqërisë, për të ulur kaq shumë normën bazë të interesit, në funksion të rritjes ekonomike.

Qeverisjet moderne kanë krijuar sisteme monetare dhe financiare, të cilat e kanë tepër të domosdoshme rritjen ekonomike. Por nëse në sistem nuk futet më shumë para e re, shlyerja e kredive dhe borxheve nuk arrihet të bëhet në kohën e duhur. Për rrjedhojë, borxhet e këqija shumëfishohen, humben vende pune, ulen të ardhurat dhe pakësohet konsumi. Në një situatë të ekonomia rreshket në depresionin, i cili përfaqëson një periudhë të gjatë papunësie, ekzekutime pronash, borxhesh të këqija dhe falimentimesh të ndryshme në radhët e biznesit. Kriza botërore e viteve të fundit duket sikur i ka dhënë fund edhe kohës së artë të rritjes ekonomike me shpejtësi dhe përmasa të papara në historinë njerëzore, për më tepër që ajo përkon me “moshën e tretë” të epokës së shfrytëzimit të burimeve të lira dhe të bollshme fosile në të katër anët e globit. Kjo periudhë, fatkeqësisht e gjen vendin tonë në startimin drejt një rruge, të cilën shoqëritë moderne industriale e kanë lënë pas prej kohësh. Natyrisht askush nuk pretendon, që ekonomia dhe shoqëria shqiptare të ecin në këtë rrugë me ritme të atilla rritje ekonomike, që bota e qytetëruar i ka pasur disa dhjetëra vite më parë, por ritme rritje që sillen kufijve 2-2.5 për qind, siç ka ndodhur tek ne përgjatë tre viteve të shkuara janë të pajustifikueshme. Problemi këtu nuk është verbal, por real, pasi një nivel i tillë i rritjes ekonomike nuk mund të ndikoj kurrsesi në përmirësimin e nivelit të jetesës së qytetarëve shqiptarë. Kjo është arsyeja, që së fundi, varfëria dhe papunësia janë rritur në mënyrë trishtuese, pavarësisht premtimeve të bujshme qeveritare. Nga ana tjetër edhe sipërmarrja private, e cila jep gati 80% të PBB-së, po përjeton një situatë të vështirë për shkak të ngarkesës së lartë fiskale dhe arbitraritet të shtuar të administratës tatimore. Në këto kushte huamarrësit e kësaj kategorie s’mund t’i përgjigjen shlyerjes së kësteve të kredisë që kanë tek bankat.

Po përveç shkakut të gjendjes së vështirë ekonomike, rritja e kredive me probleme vjen edhe si rezultat i vështirësisë dhe mungesës së profesionalizmit që haset në procesin e zgjidhjes apo “përmirësimit” të tyre. Në përgjithësi përgjegjësia për zgjidhjen e kredive me probleme kalon dorë më dorë e zyrë më zyrë, nga bankat në gjykatë e prej këndej në zyrën e shërbimit përmbarimor. Është një përgjegjësi që ndjehet gjithnjë e më pak me kalimin e kohës, për shkak se edhe bankat janë të kënaqura me arkëtimin e pjesshëm të këtyre huave që i klasifikojnë si “kredi të humbura”. Propozimi më i fundit i shoqatës së bankave për miratimin e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Civile, në kapitullin e ekzekutimit të detyrueshëm, me qëllim shitjen e kolateraleve në masën 30 për qind të vlerës së çmimit fiskal, ndërkohë që vlera e tyre për garantimin e kredisë është caktuar sipas tregut, flet për këtë lloj përgjegjësie në rënie të bankave. Shpesh herë kjo pjesë e portofolit kredidhënës përdoret për fitime e qoka abuzive, që në fund të fundit rëndojnë vetëm mbi shpatullat e huamarrësve, prona e të cilëve shndërrohet në një “send pa zot”, për të kënaqur interesat private të personave të përfshirë në këtë proces.

Sugjerimi më i fundit i Bankës Botërore për të gjetur një mënyrë efektive trajtimi për të ulur nivelin e kredive të këqija, duhet të vlerësohet seriozisht nga drejtuesit e sistemit banker, pse jo dhe nga ata të ekzekutivit shqiptarë, për të ndërmarrë një reformë të vërtetë në këtë drejtim, duke tërhequr mendimin e profesionistëve që kanë eksperienca pozitive në zgjidhjen e huave me probleme, përgjatë gjithë periudhës që ka shoqëruar tranzicionin tonë. Kësisoj qeveria shqiptare mund të jap një mbështetje konkrete duke modernizuar e reformuar Agjencinë e Trajtimit të Kredive, për ta shndërruar atë në një pikë grumbullimi të të gjithë kredive me probleme të bankave, kuptohet duke i blerë prej tyre të skontuara, deri në 70 për qind të shumës së tyre. Në këtë mënyrë ekzekutivi, përveçse ofron një zgjidhje, paguan edhe një pjesë të përgjegjësisë së vet lidhur me keqqeverisjen e tregut. Natyrisht, rreth këtij propozimi duhen kryer studime e analiza të thelluara, por mendoj se është një zgjidhje racionale për t’i bërë të paguajnë të gjithë nga pak, dhe jo vetëm huamarrësit. Duke qenë se të gjitha qeveritë e 14-15 viteve të fundit në Shqipëri nuk iu bindën rekomandimit të Bankës Botërore në vitin 2002 për privatizimin e portofolit të këtij institucioni, kjo është zgjidhja e duhur jo vetëm për të ardhmen e Agjencisë së Trajtimit të Kredive, por edhe zgjidhjen e kredive të këqija në bankat e nivelit të dytë.

Agjencia e Trajtimit të Kredive është një investim institucional i shtetit shqiptar, me një strukturë të konsoliduar dhe të specializuar për trajtimin e borxhit të keq në përgjithësi, dhe jo vetëm të ish bankave të nivelit të dytë, sikundër është  parashikuar edhe në nenin “2” të Ligjit Nr. 9731, datë 08/05/2007. Nga ana tjetër, një nga mësimet më të mëdha të krizës globale mendojmë se duhet të jetë fakti që, krahas dhënies së kredive nga bankat duhet menduar edhe për arkëtimin e tyre, një proces ky për të cilën ATK-ja ka krijuar një eksperiencë të konsiderueshme. Agjencia e Trajtimit të Kredive vazhdon të funksionojë prej 18 vitesh, duke iu përmbajtur kontratave të nënshkruara midis huamarrësve dhe ish bankave shtetërore të nivelit të dytë, ndërkohë që sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë, gati 100% e portofolit të këtyre huave klasifikohet sipas emërtimit: “kredi të humbura”. Duke e zgjeruar në mënyrë të studiuar objektin e veprimtarisë së ATK-së, faktikisht rritet efektiviteti i arkëtimit të portofolit të kredive që i janë transferuar asaj nga ish bankat shtetërore të nivelit të dytë dhe detyrimeve të tjera debitore që mund t’i transferohen asaj me ligj në të ardhmen. Natyrisht, kërkohen studime të thelluara për një iniciativë të tillë por para së gjithash duhet të ekzistojë vullneti i mirë i qeverisë për të bërë reforma të vërteta në funksion të ekonomisë.

*Ish- drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive

SHKARKO APP