Njerëzimi gati të pushtojë hapësirën! Fillon ndërtimi i Asgardias
12 tetorin e vitit të kaluar, një grup shkencëtarësh dhe inxhinierësh bënë shpalljen ambicioze; ndërtimin e një kombi të ri, por jo në sipërfaqen e Tokës, por në hapësirë.
E kur ka kaluar një vit e pak, “themelet” janë hapur. Një gur simbolik në përmasat e një kutie u dërgua në hapësirë duke u bërë guri i parë për ndërtimin e Asgardias.
Mund të ngjasojë më shumë me skenarin e një filmi fantastiko-shkencor, por ambiciet janë të mëdha dhe grupi i shkencëtarëve që nismëtarë thonë se “kombi hapësinor” mund të bëhet realitet brenda pak dekadave.
Udhëheqësit e projektit thonë se në faqen zyrtare të Asgardias mund të regjistrohet kushdo që dëshiron të bëhet qytetar i “kombit hapësinor”, ku fillimisht do të pranohen 100 mijë aplikuesit e parë.
Igor Ashurbeyli, shkencëtar dhe themelues i Qendrës Kërkimore Ndërkombëtare Hapësinore, thotë se synimi është edhe ngritja e një korrace që do të mbrojë “kombin hapësinor” nga asteroidët dhe trupa të tjerë qiellorë.
“Projekti përbëhet nga tri pjesë, filozofike, ligjore dhe shkencore e teknologjike”, thotë shkencëtari Igor Ashurbeyli.
Ambicia e tij është që jo vetëm të themelojë Asgardian, por edhe ta anëtarësojë atë në Kombet e Bashkuara me të gjitha të drejtat që të njeh ky status. Ai thotë se përveç kësaj, Asgardia do të shërbejë edhe si një mburojë për popujt e tjerë që jetojnë në Tokë, duke i siguruar ata nga goditjet e asteroidëve, e ndoshta edhe vija e parë mbrojtëse ndaj një sulmi alien në të ardhmen e largët.
“Moto e Asgardias do të jetë Paqe dhe Hapësirë dhe do të ndalohet përthithja e konflikteve tokësore në hapësirën e këtij kombi”, thotë Dr. Ashurbeyli.
Shkencëtarët janë të vetëdijshëm për sfidat që paraqet ky projekt, por janë po aq besimplotë se me fondet e nevojshme mund ta realizojnë atë brenda pak dekadave.
Sa i takon emrit të përzgjedhur, ai mbërrin nga mitologjia vikinge, ku Asgardia do të thotë “qyteti i qiellit” dhe në të banon Odin, njëri prej zotave vikingë.