Njeriu që ka rrokur qiejt

Nga Ilir Levonja –

Ndërsa i hidhja një sy kullave të larta të familjes Trump, në West Palm Beach. Shteti i Floridës…, një qytet i admiruar nga një pjesë e mirë e amerikanëve. Për jetën e qetë, ambjentin gati deri në përkryerje. Edhe pse taksat janë disi më të larta se qytetet përreth. Por amerikanët kanë shprehjen e tyre, kur thonë, ti merr për çfarë paguan. Im bir më ndërpreu vrullshëm meditimin.

-Ti nuk ke për të votuar për këtë? -më pyeti ai dyshimtas. -Ky kërkon t’i dëbojë emigrantët. Sidomos ata që vinë nga Meksika. mbeti duke bërtitur lart e poshtë. Tani u është kthyer edhe myslimanëve.

Kullat e larta i ishin futur qiellit si me dhunë. Kam rastisur disa herë të jem pjesëmarrës në Workshope. Dhe pjesë të punës kemi patur edhe soditjen nga ballkoni i fundit. Eshtë një lloj bukurie e frikshme. Por më tepër e ankthshme për faktin se të shkëput nga toka. Aq më tepër që mbrojtëset prej xhamash të trashë peçikllasi, nuk të lejojnë të ndjesh brizën. Megjithatë të shikosh poshtë, ka një lloj paniku. Dhe nuk e di se përse ndodh. Unë nuk i jam trembur lartësive. Kam fluturuar deri në trembëdhjetë orë. Mbi  dhjetëmijë metra, prapë lartësia e qiellgërvishësve është ndryshe. Edhe pse aty këtu, ka oborre ekzotike deri me fusha golfi, prapë mendimi se ajo blertësi do këputet disa çape më poshtë, të mban në ankth. Nga ana tjetër më kujtohet gjithmonë një detaj i largët. Kur në një pasdite të bukur Divjake, miku im shkrimtari nga Shkupi, Resul Shabani. Më thoshte midis të tjerave se e kishte e gjetur halli me nënën. Nuk i shkonte të banonte me ‘të në pallat, apartament të ri, pasi qe mësuar tërë jetën e saj të mbante këmbët lidhur me tokën. Në një shtëpi të ulët dhe me oborr.

Në fakt furia Trump është bërë këto muaj edhe ankth, por edhe përbuzje. Njerëz të shumtë, edhe nga ata me prirje republikane duket sikur nuk e pëlqejnë gjuhën e tij të ashpër. Disa thonë hapur, jam republikan, por nuk kam ndërmend të votojë një inatçor. Nuk kam ndërmend të votojë një njëri të biznesit. Kombi duhet trajtuar me ndjenja mbarë kombëtare. Jo me ato të biznesit. Nuk kam përse votojë një njëri që njihet në rrethinat e New Yorkut për batutën se ”im at më hodhi në rrugë me një barrë borxhesh mbi supe” etj.

Megjithatë manjati i një biznesi shumëplanësh ka dhe idhtarët e vet. Ata që sipas tyre, duan një Amerikë të pastër. Që përbuzin emigrantët, ruralizmin dhe për më tepër, ardhësit nga vendet e islamit. Pasi për ata, shkurt dhe prerë, kush vjen prej andej është terrorist. Në fund të fundit, fondamentalë ka gjithandej. Kësisoj nuk ka pse Amerika të bëj përjashtim. Sondazhet e zgjedhjeve  nga krahu i republikanëve i japin hera-herës avantazhe një dyzetëpesëvjeçari me emrin Ted Cruz, senator i Teksasit. Madje me dy nënshtetësi, atë amerikane dhe kanadeze. Megjithatë ajo çfarë të bën përshtypje, është që në këtë rrebesh fushate prapë normat e komunikimit nuk tejkalohen. Më i fortë se kandidati ndihet votuesi. Që nuk e ka për gjë të shtyjë tutje librezën e anëtarit, thjesht dhe vetëm për të mbrojtur kombin. Për t’i dhënë udhë bindjes së pastër. Se cili dëshiron, mendon ai, që mund dhe duhet të drejtojë vendin. Ndaj deri diku edhe unë nuk kam frikë t’i them tim biri se, koha për ta bindur se ky apo ai ka të drejtë, ka ikur. Sado ta respektojë prirjen partiake, nuk kam përse të votojë një njeri që i ka futur datën emigrantëve. Për më tepër kur aradha e kandidatëve është plot me emra. Vetëm në vende me tendenca diktatorësh në miniaturë, ka dhe ekziston një dhe vetëm një kandidat. Një i fortë me një tufë marioneta rreth e rreth.  Ka dhe ekziston  një marrëzi dashuri jo me librezën e partisë, por me njëshin. Duke i prerë rrugën vijës së ujit që bën kombin. Dhe duke e mbajtur atë vend përjetësisht me kandidatë të fortë dhe votues të dobët.

Nga ana tjetër, edhe ky njeri që ka rrokur qiejt, ka të drejtën të zgjedhi dhe të zgjidhet.

SHKARKO APP