Njeriu që krijoi gjyqin e përhershëm për kriminelët në Hagë

Simon Vizentali nuk e harroi asnjëherë kohën e kaluar në kampet naziste. Gjithë përvojën e tij të tmerrit, ai u përpoq ta shndërronte në një motiv të rëndësishëm kundër dhunës, duke punuar për të vendosur përpara drejtësisë kriminelët. Asnjëherë nuk u ndal. Dhe kur në moshën shtatëdhjetëvjeçare gruaja iu lut që t’i linte punët, të cilave u qe përkushtuar deri atëherë dhe të fillonte një jetë normale si gjithë të tjerët për vitet që i kishin mbetur. Por, për të, ai “normalitet” konsiderohej tradhti. Ai ishte i vendosur që të ecte përpara drejt asaj që kishte nisur: drejt gjetjes dhe dhënien drejtësisë së kriminelëve nazistë, bërjes së qartë të brezave të rinj se ato që harroheshin, përsëriteshin. “Që nga çlirimi nuk ka pasur asnjë ditë që të kem harruar se kam qenë një i mbijetuar. Unë i shpëtova Holokaustit dhe jam munduar të ruaj kujtesën e të vdekurve… E shoh atë që po bëj si një paralajmërim për vrasësit e nesërm, si një paralajmërim që ata të mos gjejnë paqe”, shprehej ai.

Vizentali u mor me këtë punë për rreth gjashtëdhjetë vjet, që nga koha kur shpëtoi nga kampet naziste e derisa vdiq. Idealizmi i tij qe i plotë, ndjenja e detyrës e kthyer në mision, po ashtu. Emrat “Simon Vizental” dhe “Gjahtari i nazistëve” kanë hyrë në historinë e pas-Holokaustit si sinonime. Megjithatë, Simon Vizentali është shumë më shumë se gjahtar i nazistëve: ai është njëkohësisht luftëtar për drejtësi; luftëtar i mbajtjes gjallë të kujtesës së gjenocidit nazist, me qëllim jo vetëm për të ditur se ç’ndodhi, por edhe për të bërë që ajo që ndodhi të mos përsëritet më; si dhe autor librash. Në një kohë kur njerëzit kërkonin ta harronin Holokaustin, ai i bëri ata ta kujtonin. Ai nderoi viktimat, u dha të mbijetuarve qetësi dhe shpresë, duke çuar para drejtësisë kriminelë nazistë të fshehur e të shpërndarë nëpër botë dhe bëri të jetonin çdo minutë me frikën e zbulimit, kapjes dhe dënimit ata që mbetën të fshehur. Luftën kundër harresës dhe indiferencës Vizentali e konsideronte si një veprim me rëndësi të jashtëzakonshme.

Në raste të ndryshme ai ka thënë: “Puna më e madhe që kam bërë ka qenë lufta kundër harresës, lufta për mbajtjen gjallë të kujtesës. Është shumë e rëndësishme ta bëjmë popullin të ndiejë se armiqtë e tij nuk janë harruar. Ky është një paralajmërim për vrasësit e nesërm. Në qoftë se nuk do të paralajmërojmë vrasësit e nesërm me veprime, miliona të tjerë do të vdesin prej tyre… Drejtësia për krime kundër njerëzimit nuk duhet të ketë kufizime kohore… Me siguri, monstra si Hitleri dhe Stalini lindin përditë… ata presin që ne të harrojmë. Kur historia të shohë pas, dua që populli të marrë vesh se nazistët nuk i shpëtuan ndëshkimit, edhe pse mundën të vrisnin miliona. Ky është një mesazh edhe për vrasësit e së nesërmes: ata nuk do të gjejnë paqe… Në qoftë se injorojmë të shkuarën, në qoftë se deformojmë apo mohojmë atë që ndodhi, e shkuara do të përsëritet. Vetëm duke kujtuar do të mundemi ne dhe fëmijët tanë, dhe fëmijët e fëmijëve tanë, të ndërtojmë një të ardhme të sigurt, një të ardhme në të cilën jeta e njeriut të mos humbë vlerat e veta… E bëj këtë punë, sepse duhet ta bëj. Nuk shtyhem nga ndjenja e hakmarrjes… por nga ajo e kujtesës dhe drejtësisë. Në qoftë se harrojmë të gjithë, mund të ndodhë e njëjta gjë pas njëzet, pesëdhjetë apo njëqind vjetësh…”  Për Vizentalin, të kujtuarit e viktimave dhe e mizorive të luftës do të ndihmonte edhe në rindërtimin e jetës së atyre që shpëtuan. Mijëra të mbijetuar kudo në botë do të qetësoheshin disi kur të mësonin se kriminelët do të qëndronin këtej e tutje ose para drejtësisë, ose nën frikën e përhershme të saj.

“Mbijetesa është një privilegj i cili përmban edhe detyrime, – thotë Vizentali. – Gjithnjë pyesja veten se çfarë mund të bënim për ata që nuk mbijetuan. Për vete, e kam gjetur përgjigjen… Do të bëhem folësi i tyre, do të mbaj gjallë kujtesën e tyre, do të siguroj që të vdekurit të jetojnë në atë kujtesë. Por ne, të mbijetuarit, kemi një detyrim jo vetëm ndaj të vdekurve, por edhe ndaj gjeneratave të ardhshme: ne duhet t’u kalojmë atyre përvojat tona, në mënyrë që ato të mësojnë prej tyre. Ne kemi për detyrë të bëjmë që brezat e rinj të kuptojnë se sa e veçantë, se sa e pabesueshme, se sa e pazakontë ka qenë periudha e Holokaustit, ndonëse mund të jetë shumë e vështirë për ta t’i pranojnë tregimet tona si të vërteta. E pakapshmja mbetet e pakapshme… Ne duhet t’u kalojmë gjeneratave të ardhshme përvojën tonë, në mënyrë që ata të përfitojnë prej saj. Informacioni është mbrojtje.

“Nuk mjafton që gjithçka të regjistrohet në libra. Një libri, ndryshe ndaj një personi, nuk mund t’i bëhen pyetje. Një dëshmitar është një dëshmitar i gjallë. Prandaj, në takime me të mbijetuar, kam thënë gjithnjë: ‘Ju keni fëmijë, ju keni nipër e mbesa, ju duhet të flisni me ta. Ju duhet t’u thoni atyre gjithçka keni provuar dhe t’i nxisni ata t’ju bëjnë pyetje’. Tregimet gojore ndihmojnë shumë që kujtesa të mbahet gjallë. Luftëtarët e rezistencës nuk duhet të kënaqen me përkujtime të rezistencës së asaj kohe, ata duhet të tregojnë rezistencë edhe sot. Ka edhe sot diktatura çnjerëzore që dhunojnë njerëz. “Duhet t’i themi popullit se si gjenerata jonë e nënvlerësoi Hitlerin dhe nacionalsocializmin dhe se si besimi ynë në progres, në kulturë, në drejtësi dhe në miqësi u zhvlerësua shumë shpejt. Gjenerata jonë qe shumë e pakujdesshme në fillim, ne ndiqnim në heshtje daljen e partive naziste në vende të cilat Hitleri i kishte planifikuar t’i godiste, në vende ku shumica ndërsehej ndaj pakicave dhe populli hutohej dhe nuk shihte rrezikun kryesor”.

Filozofia e Vizentalit është e bazuar në traditën judaiste e cila pranon, vlerëson dhe ka parasysh lidhjen e fortë midis së shkuarës, së tashmes dhe së ardhshmes, sipas së cilës tek e tashmja ka elementë të së shkuarës dhe tek e ardhmja do të ketë elementë të së tashmes; se, as e tashmja dhe as e ardhmja nuk janë të sigurta, pa pasur parasysh të shkuarën. Botëkuptimi judaist e konsideron të shkuarën si shumë të rëndësishme dhe e ruan atë me fanatizëm. Hebrenjtë nuk janë nga ata që thonë: “Të shohim përpara, se po pamë mbrapa, ose mbetemi në vend, ose shkojmë mbrapa”. Jo, ata thonë: “Të ecim përpara, duke shikuar mbrapa, sepse ashtu shkojmë të sigurt përpara”. Kjo është ecja e kujdesshme, tjetra, ajo që sheh vetëm përpara, pa parë as anash, pa le më mbrapa, është ecje kuturu. Hebrenjtë kanë mbi dy mijë vjet që njohin një histori të tyre të kanonizuar mbi të cilën nuk guxon njeri të vërë dorë, ta rishikojë apo ta ndryshojë. Ata festojnë të njëjtat festa, festivale e përkujtime. Ata nderojnë të njëjtët persona e heronj; ata përkujtojnë paraardhësit e tyre, prindërit e tyre, më me kujdes nga ç’festojnë të tjerët të porsalindurit, apo ditëlindjet. Ndryshe nga shumë popuj të tjerë, për të mos folur për popuj pa baza, për popuj majmunë, hebrenjtë sot kanë të njëjtat emra që kanë pasur edhe dy mijë vjet më parë, kanë të njëjtën gjuhë, kanë të njëjtat shkronja, kanë të njëjtën fe, kanë të njëjtat zakone. Kjo i ka bërë ata të kenë identitet plotësisht të përcaktuar, të kenë lidhshmëri në qenien e tyre, lidhshmëri midis brezave. Kjo i ka bërë ata të dallueshëm prej të tjerëve. Historia e tyre, për nga kohëzgjatja, është e krahasueshme vetëm me atë të indianëve. Shumë kultura që kanë lulëzuar në kohë të shkuara, sot nuk kanë trashëgimtarë. Judaizmi, sikurse hinduizmi indian, jeton dhe jeton në të njëjtin popull, paçka se shumë prej e atij populli është pa atdhe.

Parim kryesor i judaizmit është drejtësia, ndryshe nga ai i krishterimit që është mëshira. Ligjet e drejtësisë së judaizmit janë të përcaktuara me përpikëri dhe konsiderohen të shenjta. Bazat e tyre janë dhënë mbi dy mijë vjet më parë në librin e tyre të shenjtë “Tora”, libër që mund të konsiderohet si Kushtetuta e tyre. Ato baza janë zgjeruar më tej nga dijetarët e tyre për të përfshirë çdo fushë të jetës, duke marrë formën e kodeve civile a penale që nuk mund të lëvizin, apo të ndryshohen prej askujt. I nisur nga dy parimet apo karakteristikat e judaizmit: nga kujtesa dhe nga drejtësia, ndofta edhe pa vetëdije, Vizentali hebre, por jo fetar, punoi dhe kërkoi që Holokausti të mos harrohej dhe mbi kriminelët që e kryen atë të veprohej dhe të veprohej me drejtësi. “Kujtimi i së keqes bëhet mburojë ndaj vetë së keqes”, thotë Eli Vizel (Elie Ëiesel). Drejtësia judaiste i kërkonte fajtorit më shumë se pranimin e fajit, apo kërkesën e ndjesës, ajo i kërkonte atij ndëshkim në përputhje me shkallën e fajit apo të krimit, në përputhje me shkallën e dëmit që ka bërë. Për Vizentalin, drejtësia e kriminelëve nazistë do të realizohej përmes gjykatave. Ai thoshte: “Kuptimi i jetës sime do të realizohet atëherë, kur vrasësit e nesërm, ata që ndofta nuk kanë lindur ende, të kuptojnë se nuk do të gjejnë qetësi. Ky paralajmërim është me shumë rëndësi për gjeneratat e ardhshme”. Ai përsëriste se asnjë vrasës nazist, sado i moshuar që të ishte, nuk duhej lejuar që të vdiste në paqe, nuk duhej lejuar që të vdiste pa u gjykuar dhe pa dhënë llogari, nuk duhej të vdiste duke marrë me vete sekretet e krimeve të tij, nuk duhej të vdiste pa marrë vesh të tjerët se ç’mizori kishte kryer.

Edhe pse ndëshkimi nuk do të mundte kurrë të shlyente veprat monstruoze të nazistëve, dalja e së vërtetës, ndërgjegjësimi i botës për ato që ishin kryer, do të vlente si një masë mbrojtëse që ato të mos përsëriteshin më. Edhe pse kërkonte ndëshkim për kriminelët nazistë, dënimin kapital nuk e ka pranuar.  Vizentali nuk pati ndonjë shkollë, specializim a përvojë për punën që do të kryente. Puna që nisi, e specializoi. Ai nuk punoi për ndonjë forcë policore, për ndonjë qeveri apo agjenci private. Ai punoi në një zyrë të varfër dhe me kontribute vullnetare mbante veten dhe punën. Ndihmësit e tij punonin gati falas, por besonin në punën që kryenin. Kur njerëz të ndryshëm shkonin në zyrën e tij për të treguar historitë e tyre, vinin re se ai i dëgjonte me shumë emocione. Ai qante bashkë me ta, ai nuk i përpunonte historitë e tyre, ai i jetonte ato. Ai mund të rrinte kohë të gjatë me një person që tregonte ngjarje nga jeta e tij edhe kur ato ngjarje nuk paraqitnin ndonjë rëndësi të përgjithshme, apo rëndësi për hetim. Ai krijoi një arkiv të dëshmive të ish-të burgosurve të kampeve të përqendrimit. Informacioni i mbledhur dhe i sistemuar aty do të vihej në dispozicion të gjyqeve që do të zhvilloheshin më pas ndaj kriminelëve nazistë. Përveç dëshmive që mundi të grumbullonte nga shumë persona, ai pati dhe përvojën e tij të kampeve, ku kaloi gati të gjithë periudhën e luftës. Ndonëse në kampet naziste iu shuan afro 90 pjesëtarë të familjes së tij dhe të gruas, ai nuk foli kurrë për hakmarrje personale dhe nuk u mor kurrë me të. Çdo fakt e çdo dëshmi që mblidhte, ai ia kalonte gjyqeve. Vizentali mbajti lidhje me shumë luftëtarë të rezistencës të cilët i sillnin informacion për ata që kërkoheshin. Kur ata i kërkonin që, po t’i lejonte, të mund t’i vrisnin drejtpërsëdrejti nazistët e gjetur, Vizentali nuk pranonte.

Ai u thoshte se drejtësia ishte më e rëndësishme se hakmarrja: “Ne duhet të tregojmë se nuk jemi si nazistët. Ligji dhe drejtësia duhet të jenë baza e ndëshkimit dhe jo hakmarrja”. Vizentali ndoqi dhe paditi jo vetëm ata kriminelë që kishin kryer krime ndaj hebrenjve, por edhe ata që kishin kryer krime ndaj të tjerëve. Në vitin 1993, pas një pune të gjatë të ndjekjes së kriminelëve nazistë, Vizentali i tha botës: “Për të mirën tuaj, mësoni nga tragjedia jonë. Nuk ka ndonjë ligj të shkruar se viktimat e ardhshme do të jenë përsëri hebrenj. Mund të jenë edhe të tjerë. Ne pamë se tragjedia filloi në Gjermani me hebrenjtë, por nuk shpëtuan edhe popuj nga afro njëzet kombe. Kur e fillova këtë punë, thashë: ‘Do të kërkoj vrasësit e të gjitha viktimave, jo vetëm të hebrenjve. Do të luftoj për drejtësi pa pushim, detyrimi moral nuk ka cak’”.  Vizentali kërkonte që çdo gjë që kishte ndodhur në të shkuarën të shpallej, pa marrë parasysh se disave mund të mos u pëlqente. Për të, nuk duhej mbajtur asnjë e fshehtë, në qoftë se do të kërkohej që të këqijat të mos përsëriteshin. “Nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse t’i hidhemi së shkuarës dhe të mësojmë prej saj. Nuk ka kuptim të zvogëlojmë fajin, në mënyrë që të jetë më e lehtë për bijtë dhe bijat e kriminelëve që të pranojnë punët e ndyra të nënave, baballarëve, gjyshërve, gjysheve të tyre…” “Historia e njerëzimit, – thotë Vizentali, – është historia e krimeve të përsëritura. Kështu, informacioni merr rëndësinë e mbrojtjes. Me anë të tij ne mund të ndërtojmë dhe duhet të ndërtojmë sigurinë ndaj përsëritjes”. Dhe, më pas, shton: “Shkolla mund të dështojë përmes heshtjes së saj, kisha përmes mëshirës së saj dhe shtëpia përmes mohimit dhe heshtjes së prindërve. Gjenerata e re duhet të dëgjojë dhe të dijë atë që gjenerata e vjetër refuzon ta tregojë”. Për Vizentalin e keqja nuk ishte mundur përfundimisht.

Ai paralajmëronte: “Urrejtja mund të ushqehet kudo, idealizmi mund të kalojë në sadizëm kudo… Kombinimi i urrejtjes me teknologjinë është rreziku më i madh që kërcënon njerëzimin… Dhuna është si bari i keq që nuk thahet edhe në thatësirën më të madhe”.  Vjetari biografik i vitit 1975 e karakterizonte Vizentalin në këtë mënyrë:  “Me mprehtësi inxhinieri, me seriozitet talmudisti, me talent të jashtëzakonshëm për mendim investigativ, ai bashkon pjesë të errëta, të mangëta e, në dukje, të parëndësishme e pa lidhje, dhe me to ndërton padi të forta për t’u bërë ballë kërkesave të gjyqeve. Dosjet e përpiluara në këtë mënyrë, u paraqiteshin autoriteteve përkatëse. Kur, ashtu siç ndodhte shpesh, gjyqet nuk vepronin, qoftë nga indiferenca, qoftë nga ndjenjat ende naziste, apo për arsye të tjera, ai i drejtohej opinionit publik përmes gazetave dhe mjeteve të tjera të komunikimit. Ai e dinte se publiciteti dhe opinioni publik ishin armë të fuqishme”.

Pas Gjyqit të Nurembergut nga fundi i viteve 1940, Vizentali mbeti zëri i vetëm dhe këmbëngulës për gjykimin e të gjithë atyre që kishin kryer krime, sidomos kur fuqitë botërore filluan të mendonin më shumë për Luftën e Ftohtë, sesa për përfundimin e punës me nazistët. Ato fuqi në këtë kohë, u munduan të shfrytëzonin më shumë e më mirë specialistët nazistë për qëllimet e tyre. Mendohet se pa aktivitetin e Vizentalit në ndjekje të kriminelëve, pavarësisht nga koha dhe nga vendi, nuk do të kishte as gjyqe për kriminelët e luftës për ish-Jugosllavinë, as për Ruandën. Krijimi i gjyqit të përhershëm ndërkombëtar për kriminelët e luftës në Hagë në vitin 2002, është i lidhur drejtpërdrejt me punën e Vizentalit, që ai e filloi që në vitin 1946. Ai gjyq do të bëjë që, edhe pse nuk do të çohen dot para drejtësisë të gjithë kriminelët, frika e dënimit do t’u rrijë e varur mbi kokë, ajo frikë do të jetë njëfarë ndëshkimi për ta dhe në njëfarë mënyre do të shkurajojë krime të tjera para se të ndodhin. Vizentali demonstroi se si një person i vetëm mund të ndikojë në ndryshimin e gjërave të rëndësishme për botën.

SHKARKO APP