Njihni trashëgimtarin e Castro-ve

Alejandro Castro mbërriti në klubin “Habana di Flores” me një xhip vintage të Luftës së Dytë Botërore, që e drejtonte vetë.

Po zhvillohej një takim me një grup sipërmarrësish kanadezë, amerikanë dhe spanjollë, të cilët po planifikonin një kompleks të madh turistik në bregdetin mes Havanës dhe Varaderos.

Për miratimin e këtij projekti ishte i domosdoshëm miratimi i Alejandros.

Kjo ngjarje ka ndodhur në muajin shtator dhe “La Stampa” falë një personi të pranishëm në darkë, konfirmon thashethemet se djali i Raulit është gjithnjë e më i rëndësishëm në hierarkinë kubane.

Të shumtë janë ata që kanë filluar ta shohin si trashëgimtarin e vërtetë të babait Raul dhe xhaxhait Fidel.

Pasardhësi zyrtar mbetet Zv.Presidenti Miguel Diaz-Canel, dhe nëse Raul do të tërhiqet vitin e ardhshëm, siç premtoi, drejtimi i vendit i takon atij.

Por të gjithë e dinë se edhe pse Alejandro nuk bëhet president, për të mos dhënë përshtypjen e një pushteti të trashëguar, me siguri në prapaskenë ai do të jetë në krye.

Darka e shtatorit u organizua nga një sipërmarrës amerikan, i interesuar të investonte në ishull. Por ligji i ndalon këto operacione të  drejtpërdrejta prandaj sipërmarrësi i ishte drejtuar miqve kanadezë dhe familjes së bankierëve spanjollë, Botin.

Projekti ishte i madh: hotele luksoze, fusha golfi, dhe qendra tregtare me të gjitha shërbimet.

Kanadezët dhe spanjollët do të jepnin imazhin, ndërsa amerikanët paratë.

Duke qenë se në Kubë në fushën e turizmit asgjë nuk lëviz pa miratimin e ushtrisë, grupi i investitorëve ishte fokusuar sa më lartë të ishte e mundur. Alejandro kishte pranuar ftesën, duke shkuar me xhipin e tij.

Ai foli hapur për pasionin e tij për makinat, sportin dhe femrat pa i shpëtuar as edhe një fjalë për politikën. Ai ishte i qeshur duke i lënë të pranishmit optimistë për pritshmëritë e projektit të tyre.

Tani çdo gjë duket se po kthehet në pikën fillestare, jo për shkak të vdekjes së Fidelit, po për zgjedhjen e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Megjithatë ajo që mbetet jashtë çdo dyshimi, është ndikimi i Alejandros në këto lloj projektesh dhe në përgjithësi në të ardhmen e Kubës.

Djali i vetëm i Raulit dhe Vilma Espin ka lindur në Havanë 51 vjet më parë.

Ai ka një diplomë në inxhinieri marrë në Institutin e Lartë  Politeknik Jose Antonio Echeverria, dhe një master në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sapo mbaroi shkollën hyri në ushtri, duke ndjekur hapat e babait të tij Ministër i Mbrojtjes.

Raul e dërgoi të fitonte përvojë me misionin revolucionar në Angola, ku për shkak të një aksidenti humbi shikimin në njërin sy.

Prandaj mori pseudonimin “El Tuerto”, (një sy), nofkë me të cilën parapëlqejnë ta fyejnë disidentët.

Pas Angolës u transferua në Ministrinë e Brendshme, kur mori gradën e Kolonelit e më pas ishte në pritje të promovimit si Gjeneral.

Aleks, siç e quajnë miqtë amerikanë, dukej i destinuar për një karrierë të qetë nën hijen e babait të tij. Por sëmundja e Fidelit, ndryshoi gjithçka.

Që kur mori pushtetin, Raúl filloi ta përfshinte djalin e tij në çështjet shtetërore gjithnjë e më shumë; me pëlqimin e Fidelit, i cili sipas Norberto Fuentes kishte një marrëdhënie me nipin e tij “të ngjashme me atë që Vito Corleone kishte me Michael në “The Godfather””.

Në vitin 2015, kur Raúl takoi presidentin amerikan Obama në Panama, përkrah tij ishte Alejandro.

E njëjta gjë ndodhi, kur në maj ai shkoi në Romë për t’u takuar me Papa Franceskun.

Edhe në pritjen e tre spiunëve kubanë, të cilët u liruan dhe u pritën në vend si heronj, falë marrëveshjes së 17 dhjetorit për ri-vendosjen e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Havanës, në aeroport i priste Alejandro.

Të gjitha këto shenja kanë ngritur jo vetëm profilin e djalit të Raul, por kanë treguar se ai mund të ketë pasur një rol qendror në marrëveshjen me SHBA-në, edhe pse dikur ka shkruar një libër të ashpër kundër imperializmit amerikan me titull “El imperio del terror”.

Në të vërtetë është ai që menaxhon projektet për investime të përbashkëta, siç ishte ai i diskutuar në darkën e shtatorit.

Tani me Trump ndryshon çdo gjë, por ushtari Alejandro është gjithashtu i gatshëm të bëjë të vështirin nëse kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë do të ofrojë sërish embargon si një justifikim për të përdorur grushtin e hekurt.

SHKARKO APP