Njihuni me pasionin e Bukuroshes vajzës që riciklon xhinset/VIDEO
Bukuroshe Sinanaj, një vajzë e re ka guxuar të sjellë një ide, e cila më pas do të shënonte rrugën e saj drejt suksesit. Kjo ide gjeniale e ka zanafillën tek një kosh riciklimi.
Ky kosh ka në brendësi xhinse të përdorura që nuk kanë më funksion. Gjithçka që bën Bukuroshja me ekipin e saj është rifunksionimi i këtyre xhinseve por kësaj radhe duke u ideuar në një trajstë. Kjo është një ide e gjelbër, ide gjeniale e gjelbërt.
“Fillon nga fushata që ne bëjmë në shkolla dhe universitete. Flasim me nxënësit dhe studentët se çfarë të mire na sjell riciklimi i xhinseve. Ngelesh e habitur nga konceptet që fëmijët e 9 –vjeçares kanë.
Kanë njohuri për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm siç janë dhe objektivat e mijëvjeçarit që kërkojnë një moshë edhe më të madhe për t`i kuptuar. Janë shumë të vetëdijshëm për këtë nisëm.
Prej tre vitesh që ne kemi filluar këtë ide të gjelbërt, kemi patur shumë mbështetës, bare, shkolla dhe institucione. Kemi patur shumë aktivitete ku i jemi bashkëngjitur edhe atyre që janë organizuar në Tiranë. Njerëzit i janë bashkuar këtyre nismave”.
Por si e ka nisur Bukuroshja këtë nismë, që tashmë është pjesë e biznesit të saj?
“Së pari duhet shumë pasion dhe shumë punë. Në fillim duhet të dish se çfarë të bësh. Kjo ide ka lindur kur ishte një konkurs i Partner Albania për idetë e gjelbërta. Nisi nga dhoma ime e gjumit. Unë kisha shumë palë xhinse që me anë të riciklimit të tyre dhe krijimit të xhinseve mund të zvendësonin qeset plastike”.
Pse kemi zgjedhur xhinset për riciklim?
E para është se xhinset janë material shumë i fortë dhe rezistent për t`u bërë trajste. Por, më e rëndësishmja është që përdorimi i xhinseve është tepër i madh dhe po ta mendosh landfillet tona do të ishte plot me xhinse.
Kemi filluar të krijojmë trajste pazari. Njerëzit kanë filluar t`i personalizojnë. Ka trajste të madhësive të ndryshme. E kemi zhvilluar më tej idenë e produkteve duke prodhuar shumë gjera. Vetë konsumatorët kanë krijuar edhe shumë ide të tjera se çfarë mund t`i bëjnë xhinset e tyre. Trendi i vjetshëm kanë qenë çantat e shpinës, me të cilat patëm shumë sukses”.
Pasioni i Bukuroshes është kaq i madh sa nuk e ka nisur dhe e zhvillon këtë ide gjeniale për riciklimin e xhinseve si një projekt fitimprurës. Kënaqësia e saj është aq e madhe sa mundin dhe punën e justifikojnë.
“Ka probleme ekonomike si biznes pasi nuk ka shumë qëndrueshmëri. Ka momente që ka porosi shumë të mira dhe kemi të ardhura, por ka muaj që nuk jemi mirë. Puna jonë nuk e justifikon atë vlerën që ka produkti, por ne duam ta përhapim këtë nisëm. Misioni ynë social është më i madh se ana ekonomike”.
Bukuroshja, një e re që insipiron të jetë një prej emrave që etiketohet tek xhinset në Shqipëri, u vu në qendër të vëmendjen edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili preferoi të shkonte tek ajo për të transmetuar idenë e rinisë shqiptare e për të përkrahur idetë gjeniale dhe që sjellin suksese.
“Ka qenë një prej pikave më kulmore të Recycle Jeans, pasi ne jemi vënë re nga kryeministri. Kjo na ndihmojë për promovimin”.
Bukuroshja, vajza 30 -vjeçare ka studiuar dizanj dhe përveç ideve dhe vizatimit të veshjeve apo punon dhe vetë në makinën qepëse.
“Minumumi kaloj 8 orë para makinës qepëse”.
Përveç recycle jeans, Bukuroshja i kushton një vëmendje kryesore studios së saj të atelies, ku merr shumë porozi të veçanta për t`i shërbyer zonjave apo zotërinjëve.
“E mira e Recycle Jeans është që është e bashkangjitur në atelie. Kur nuk kemi porosi për riciklimin e xhinseve, ne kemi punë me stilimin e veshjeve. Të dyja kombinohen shumë mirë bashkë”.
Kur flet përt punën e saj ajo ka shumë lumturi. Mbase ky burim energjie pozitiv ka mundur që Bukurosha të ketë suksesin në fushën e saj të profesionit.
“Më së shumti ka filluar në vitin e dytë të gjimnazit. Im atë ishte i vendosur që unë të studioja mjekësi dhe e kam zhgënjyer nga kjo anë. Por unë nisa të merresha me veshjet. Vazhdova studimet dhe tani jam e lumtur në punën që bëj“.
Ajo ka një mesazh për të gjithë të rinjtë.
“Sa më shumë të vendosur të jeni për atë që doni të bëni, në kohën e sotme ka mënyra të ndryshme për t`ia arritur. Sot mund të bësh magjira nëse jeni kërkues. Mënyra si po jetojmë, mund të hapësh një biznes nga shtëpia online pa patur një ambient për biznesin që do të bësh. Puna nuk është asnjëherë turp. Nëse je i bindur të bësh atë që dëshiron, duhet ta bësh si punë dhe të kërkosh ndihmë edhe nga të tjerët. Por, e rëndësishmja është që duhet të jeni shumë të vendosur”. /Report Tv