Norvegji, Shala dhe Shipshani dënim me burg për trukim ndeshjesh

Trukimet e ndeshjeve në Norvegji kanë çuar në qeli dy futbollistë shqiptarë. Drin Shala dhe Alban Shipshani janë dënuar me nga 8 muaj burg secili nga Gjykata Federale e Oslos pasi janë shpallur fajtorë për fiksimin e ndeshjeve në ligën e tretë të futbollit norvegjez. Së bashku me dy futbollistët shqiptarë gjykata ka dënuar me 6 muaj burg edhe lojtarin tjetër të Follos, Pape Mendy. Drin Shala akuzohet se ka marrë pjesë në trukimin e ndeshjes së vitit 2012 mes Follos dhe Ostsiden. Takimi i vlefshëm për kategorinë e tretë norvegjeze edhe pse kryesohej me rezultatin 3-0 nga skuadra e Drin Shalës përfundoi me shifrat 4-3 në favor të Ostsiden. Alban Shipshani, i cili luan me skuadrën e Asker, akuzohet se ka ndikuar në fiksimin e rezultatit të sfidës të vlefshme po për kategorinë e tretë norvegjeze mes Asker dhe Frigg që përfundoi me fitoren 7-1 të këtyre të fundit. Edhe ky takim është zhvilluar në vitin 2012. Drin Shala dhe Alban Shipshani nuk do ta lënë këtë çështje të mbyllet, pasi kanë vendosur ta apelojnë vendimin e gjykatës.

SHKARKO APP