Novergjezja “Nord Pool”, interes për bursën shqiptare të energjisë

Gjiganti europian i bursave të energjisë, Nord Pool, është interesuar për administrimin e bursës shqiptare të energjisë. Lajmi bëhet i ditur nga burimet brenda Ministrisë së Energjisë, të cilat kanë pohuar se Nord Pool, një nga njësitë më të mëdha të tregtimit të energjisë në Europë ka interes serioz për të menaxhuar Albania Power Exchange.

Ministria e  Energjisë është duke parë interesin e operatorëve të mëdhenj të bursave europiane, ndërkohë që ka në plan të licencojë bursën në pranverën e vitit 2017.

Nord Pool është arena kryesore e tregtimit të energjisë në Europë, e bazuar në modelin “One day ahed” (Me kontrata një ditë në avancë) dhe Intraday (me kontratë brenda ditës) me linja në nëntë vende europiane.

Nord Pool e ka bazën në Norvegji dhe ka në gjirin e saj 380 kompani antare. Gjithashtu ajo ka linjat e  veta të tregtimit në Austri, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Gjermani, Britaninë e Madhe, Letoni, Lituani, Holandë dhe Suedi.

Gjatë vitit 2015, Nord Pool tregtoi një total prej 489 TWh.

Qeveria shqiptare në plotësim të detyrimeve ligjore për liberalizimin e tregut të energjisë  synon të aplikojë modelin nordik të tregtimit të energjisë në bazë të të cilit parashikohet krijimi i Bursës së Energjisë ku furnizuesit, tregtarët dhe konsumatorët e mëdhenj të kenë mundësinë të blejnë në kohë reale energjinë dhe jo më kontrata bilaterale si tani.

Dalja në treg të lirë për furnizimin me energji elektrike e rreth 6300 bizneseve më 2017 kërkon një treg real të erergjisë. Gjithashtu  hyrja në prodhim e HEC-it të Banjës në lumin Devoll që është në pronësi të kompanisë norvegjeze, Statcraft, do të jetë nxitje e madhe për funksionimin e “Albania Power Exchange”. Statcraft në kontratën me qeverinë shqiptare  ka negociuar shitjen në tregun e lirë të energjisë, ndryshe nga investitorët e tjerë të cilët e shesin prodhimin e tyre te kompanitë publike.

SHKARKO APP