Nuk  e  rruaj…

HUMOR/Nga Thoma Goga

Nga defteri i Çeços këtë herë zgjodha një mesele që nuk e kisha kënduar më parë.

“…Që thoni ju pas vitit ’90 rashë në hall. Po hall koke, të thom. Ja, me se do i ushqeja çiliminjtë?! Na thanë se po të rrëzonim pushtetin, do rronim më mirë. Eh, fukaraja gënjehet edhe me një lugë ujë. Këta që rrëzuan ata “të parët” u bënë më të “paparë”. Rrëmbyen prona, fabrika, uzina…Populli mbeti me gishtin në …gojë. Atë politikën e madhe nuk e bëja dot, ndaj iu ktheva asaj “të voglës”. Që të ushqeja çiliminjtë, hapa një berberhane. Çoç kisha qethur ca “rula” kur isha ushtar në repart. Në ushtri atëhere fitoje ndonjë zanat. Si çoban që jam, vetëm gërshërë delesh kisha. U dilte koka ushtarëve si me taraca. Po edhe kjo e kishte një të mirë. Kur u rrit floku, ushtarët u bënë me kaçurrela.   Keni parë ju që më doli nami i mirë. E nejse. Hapa atë birbo berberhane dhe i vura emrin “Kaçurrela”. Të vriste sytë reklama me ngjyrat e partisë time. Plasi klientela. Radha zihej që në mëngjes. Derman nuk gjeja. Fitoja mirë e më hyri vetja në qejf. Ia merrja këngës në mëngjes:

“Bereberi që nga Stambolli,

Fati ynë këtu e solli…”

Domosdo fat se  isha i vetmi berber. Nga që nuk ia dilja dot, fillova t’i seleksionoj klientët. E ndava mendjen; të opozitës nuk i pranoja. Presion edhe nga “ndërkombëtarët”. Ata në të tyren, unë në timen. Rruaja e qethja këta të “krahut” tim. Po të shikoje djemuri në qytetin e vogël provincial, i dalloje lehtë kush ishte opozitarë. Gjithë lesh, si arinj. Ata “të mitë” si pëllumba, të thom. E pse të ngatërrohesha. “Jo ke qethur armiqtë tanë, jo ke rruar kundërshtarë, jo na bëre helaq briskun” e tërci vërci…Pse të lakmoja?  Më dilte e më tepronte. Po gjeta belanë me ata “opozitarët”. Mblidheshin 2-3 “lesho” e bënin protestë. Po një ditë dolën edhe me parrulla si; “na qeth”, “na rruaj si gjithë Europa”, “edhe ti do vesh për lesh” e tërci vërci….

– Bëni ç’të doni, nuk e rruaj…,- ngula këmbë unë. Dhe ia merrja këngës:

“Berberi që nga Stambolli,

Fati ynë këtu e solli…”.

Një ditë më erdhi si gafil një “leshko”.

– Aman, derman, më jep ca nga ky leshi që grumbullon se do mbush nja dy jatëk.

M’u duk djalë i mirë e ia dhashë. Se unë jam dhe  human, kupton apo jo. Pas një jave po ky person vjen për t’u qethur. I futa një “kare-kinezçe”. Human, human, po gjeta belanë. Dilnin morrat  në formacion luftimi… Që atëherë kruhem e nuk gjej derman.

Një ditë tjetër hyn një shul i gjatë e kokëmadh. Me këta të gjatët duhet terezi. Jo për gjë, po ti e rruan, e qeth. Shkurt; i heq leshin, ai ngrihet e të shkul veshin…

-Më qeth e më rruaj, – më tha prerë., – se do të paguaj mirë.

Ashtu bëra. I hyra dorë me makinën e dorës, që më shumë shkul se korr. I vija anës e s’kishte të mbaruar koka. Kur e rruajta, brisku “kafshonte” copa lëkure. Ato vende “i mbolla” me pambuk… Si mbarova, më dha lekët e po priste.

– Ik se mbaruam, – i thashë.- Ç’pret?

– Pres kusurin.

– Me gjithë atë kokë, dashke dhe  kusur…

Mirë, mirë po kur më hyri dorë ai, s’më la kusur…Ma bëri kurrizin më të butë se barku. Nuk thonë kot; dardha e ka bishtin pas. Filluan edhe për mua kusuret e briskut, të gërshërëve.   Pak metra me tej, u hap një berberhane tjetër. Dhe ai si për inat, ai i vuri emrin “Me lesh, pa lesh”, kurse me gërma të vogla: “bereqaves, si ta kesh, brisku të jepet peshqesh”. Në fillim “nuk e rruaja vërtetë”, se kisha klientelën time. Gjithë gëzim ia merrja këngës në mëngjes:

“ Berberi që nga Stambolli,

Fati ynë këtu e solli…”.

Po njw ditë dëgjoj një zë që ma kthente:

“Hidhu, pirdhu e përdridhu

Brisku yt morra polli…”.

Siç duket nga hundët më doli tangërlliku. Zgjedhjet e radhës i fituan “ATA” e tek unë mbinë “tatimorët-leshko”.Klientët avulluan. Erdhën e më “rruajtën” ata “leshkot”,  që akoma nuk ishin rruar për vete. Në fillim thyrje xhamash, pastaj gjoba. Harrova “berberin nga Stambolli” se shumë shpejt erdhi “Morri” e më mori… E mo, pse shqyeni sytë; “Morri” i thoshin asaj makinës së vogël të policisë…

Hë thoni ju, shkruan Çeçua, ç’më duheshin brisku dhe gërshërët, kur zanati im ishte krraba, dhitë me zagarët…”. Tashti këtu në stan kam rënë rehat;  nuk e rruaj fare. Po fare, ama…

THOMA  GOGA

SHKARKO APP