“Nuk më dalin 7 mijë lekë në muaj”, Basha: Plani im e rrit pensionin që këtë vit

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar me banorë të Maliqit në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit, të cilët kanë ndarë me të hallet dhe shqetësimet e përditshme. Teksa u kërkoi që të votojnë PD-në në zgjedhjet parlamentare të së dielës, Basha u foli për zgjidhjet që u jepen problemeve të shqiptarëve me programin e tij ekonomik.

Nënë Polja, 73 vjeç është pensioniste, merr 70 mijë lekë të vjetra në muaj. Megjithëse mban vetëm një poc ndezur, ajo thotë se pensionin e ka vetëm për drita, ujë dhe ilace, ndërsa për t’u ushqyer merr borxh. Djali i saj paguhet shumë pak në një gomisteri.

Lulzim Basha i tha se me planin e tij, rritja e pensioneve do të nisë brenda vitit, dhe deri në fund të mandatit të parë, pensioni do jetë 250 mijë lekë.

Donika Vogli është një rrobaqepëse e njohur në Maliq, por ka mbetur pa punën me të cilën mbante familjen, pasi shteti ia ka prishur dyqanin.

Pse?

“Që të punojë vetëm ajo tjetra aty”, thotë Donika.

“Ajo tjetra aty, është një socialiste e afërt me kreun e bashkisë dhe me pushtetin”.

Lulzim Basha në përgjigje të këtij shqetësimi të ngritur nga Vogli, i tha se ‘më 25 qershor ndodh ndryshimi i madh, ku ligji do të jetë i pacënueshëm”.

“Do të jem në krahun tuaj”, i tha Basha, Donikës.

Në marketin më të madh të qytetit, banorët i thanë se dikur ka pasur shumë punëtorë. Por rënia e fuiqisë blerëse, taksat dhe gjobat, kanë bërë që pronari të ulë numrin e të punësuarve.

Basha tha se zgjidhja e tij është “ulja e taksave dhe pulla fiskale që mban larg hajdutët e shtetit”.

Kryedemokrati Lulzim Basha u tha banorëve të Maliqit se plani i tij do të ndezë motorrin e ekonomisë, do të sjellë rritje konsumi, rritje prodhimi, futjen e parasë në qarkullim. “Një plan i kombinuar” që sipas tij sjell: zhvillim, vende pune, dhe mbështetje për të pamundurit, për të rinjtë, dhe pensionistët.

 

SHKARKO APP