O Maqedoni, o luftë!

 

Nga Andrea Stefani

Kanceri i Maqedonisë është urrejtja mes etnive, dhe në radhë të parë mes atyre dy kryesoreve, maqedonase dhe shqiptare. Eshtë një urrejtje që, në pikëpamje sociale, ka çuar në segregacion dhe aparteid. Maqedonasit dhe shqiptarët nuk kanë marrëdhënie njerëzore. Ata mund të kenë marrëdhënie burokratike apo politike por jo marrëdhënie njerëzore. Për shembull, martesa mes shqiptareve dhe maqedonasve nuk ekzistojnë. Këto komunitete etnike janë më keq se të ndara me mur sepse janë të ndara në zemër. Urrejta e ministres Jankullovska për shqiptarët që, sipas saj, u dashkan spastruar, u shfaq gjenetike në përgjimet. Ajo të kujton urrejtjen e një zyrtari nazist për hebrenjtë. Dhe është e frikshme kur mendon se kjo mund të jetë fryma dominuese në komunitetin maqedon. Sepse ajo urrejtje nuk ka mundësi të jetë një dukuri i veçuar apo një psikopati e një apo dy individësh. Kuptueshëm, një e tillë urrejtje nuk mund të mos gjejë replikën, me të njejtën monedhë në komunitetin shqiptar. Urrejtja pjell urrejtje!
Gabimi i komuniteti ndërkombëtar është se ka vite të tëra që ka mbyllur sytë përpara kësaj plage kanceroze që e pa mbyllur, vështirë të mos çojë një ditë në çarjen e Maqedonisë pasuar, me gjasa të forta, nga një reaksion zinxhir për tërë Ballkanin dhe vetë Europën. Ndërkombëtarët, janë përpjekur ta anashkalojë këtë çarje reale me gjoja bashkëpunimin politik deri në qeveri mes shqiptarëve dhe maqedonasve, bashkëpunim që nuk mund të jetë kurrë real sa kohë që themeli i tij, bashkëjetesa e komuniteteve etnike, nuk është reale. Jo rastësisht, edhe në rrafshin politik, shqiptarë dhe maqedonas e refuzojnë “martesën” domethënë, krijimin e partive politike multietnike. Prandaj, pavarësisht qeverive apo protestave me dy flamuj, Maqedonia tronditet kohë pas kohe, si në Kumanovë, nga llava e urrejtjes etnike që vlon poshtë kores politike. Dhe është miopi të jesh i sigurt që një vullkan i pashuar etnik të mos shpërthejë një ditë duke rrezikuar të fusë në konflikt të gjithë rajonin madje, shumë më gjerë. Prandaj nuk është gabim, edhe në kontekstin e acarimeve me Perëndimin të një Rusie përherë e më hegjemoniste, të thuash se sot ofrohen vetëm dy opsione: O Maqedoni, o luftë!

SHKARKO APP