O reformë, o zgjedhje

Nga Andrea Stefani – Tashmë nuk ka më asnjë dyshim që “skandali madhor i përgjimeve” ishe një komplot i orkestruar nga mjeshtri i rrenave dhe intrigave Sali Berisha duke ndërsyer në lojë, në favor të tij, institucione të shtetit si Presidenca, Shërbimi Informativ dhe deri te Prokuroria. Tashmë që përgjimet rezultuan mashtrim, Berisha dhe berishistët do përpiqen të mbrohen me një tjetër gënjeshtër. Por vetë Nishani, Presidenti i Republikës, u detyrohet një shpjegim shqiptarëve se përse i alarmoi, në mënyrë krejt të papërgjegjshme, për gjoja rrezikimin e sigurisë kombëtare nga një përgjim që nuk ekzistonte? Këtë gjë duhet të bëjë edhe Visho Ajazi, kreu i SHIK por edhe kryeprokurori Llalla që u tregua tepër i ngathët për të shfryrë në kohë flluskën e rrenës së përgjimeve, edhe pse e kishte marrë shpjegimin nga “Interforca” për pamundësinë e tyre.

Berisha i gënjeu përsëri shqiptarët. Por shqiptarët i gënjyen edhe krerët e institucioneve të sipërpërmendura duke u bërë kështu pjesë e një mashtrimi publik. Dhe nuk duhet harruar se mashtrimet e publikut janë, jo rrallë, me pasoja. Kur vite më parë, Berisha ju tha shqiptarëve se Azem Hajdarin e vrau Fatos Nano, turmat u derdhën mbi godinën e Kryeministrisë duke kryer një grusht të armatosur shteti. Prandaj mashtrimi i publikut është një krim me pasoja të rënda që nuk mund të tolerohet. Vite më parë vetëm pse kryeministri hungarez u tha të vetëve, me frymë kritike dhe i shqetësuar për mosmbajtjen e premtimeve nga qeveria e tij se “po mashtrojmë publikun”, protesta të mëdha u ngritën në gjithë vendin. Atëherë si mund të pranohet që Presidenti të bëhet pjesë e mashtrimit publik dhe shefi informacionit sekret pjesë e dezinformimit publik? Sa kohë që qarkullonte flluska e përgjimeve, opozita kërkoi deri dorëheqjen e Tahirit, ministrit të brendshëm. Një kërkesë e drejtë nëse përgjimet do kishin ndodhur. Tani që përgjimet kanë rezultuar një shpifje, janë akuzatorët që duhet të dorëhiqen.

Në fakt edhe vetë opozita, po të qe një opozitë normale e dedikuar për shtetit, duhet të kërkonte, të paktën, dorëheqjen e Nishanit dhe Ajazit. Por meqenëse ajo është pjesë, madje inspiruese, e komplotit një gjë e tillë as mund të mendohet. Dhe ka shumë indicie që flasin për një komplot të organizuar dhe dakordësuar në fshehtësi mes SHQUP-it, Presidencës, SHIK e ndoshta, edhe Prokurorisë. Më evidenti është diskriminimi, në kundërshtim me ligjin, nga Visho Ajazi e kryeministrit Rama duke mos e informuar qëllimisht për përgjimet.

Pra skandali i vërtetë i përgjimeve është jo se ato kanë ndodhur por se nuk kanë ndodhur dhe se opozita e PD dhe ca institucione të shtetit mashtruan shqiptarët. Por një zhvillim i tillë qe i pritshëm. Ai lidhet me faktin e rrëzimit nga pushteti, në 2013, të një autokrati si Berisha që kish kapur shtetin. Zakonisht, këtë lloj autokratësh nuk rrëzohen dot me votë. Viti 1997 e provoi këtë. Për të mos dorëzuar pushtetin Berisha përdori pa sukses edhe shtypjen ushtarake të popullsisë si deri edhe luftën civile. Dhe pikërisht pse ishte i diskredituar si autokrat i dhunshëm Berisha u detyrua të dorëzojë pushtetin me votë në 2013.

Dorëzoi pushtetin por jo shtetin! Ai ruajti të gjitha kapjet që i kish bërë institucioneve në 8 vjet qeverisje, kapjen e Presidencës, të SHIK, kapjet në prokurori dhe gjykata. Dhe sapo qeveria Rama përpiqej të çlironte ndonjë prej këtyre institucioneve nga këto kapje, binte nën akuzën e berishistëve: Po kap institucionet e pavarura!

Shteti nuk mund të funksionojë normalisht kur disa nga institucionet kryesore të tij punojnë të dedikuar jo ndaj interesit publik por ndaj një klani të korruptuar politik të drejtuar prej 25 vjetësh nga një dinozaur i kohës së Murit të Berlinit dhe që vuan nga sëmundja e amokut për pushtet. Qeveria Rama është vënë prej kohësh nën kritika për një qëndrim pasiv ndaj kësaj situate që kërko normalizim. Edhe sot janë ngritur zëra që duan ta bindin shumicën në pushtet të kërkojë dorëheqjen e Visho Ajazit por edhe të Bujar Nishanit. Në fakt, kupa është mbushur. Abuzimi e tyre me postin është i hapur. Atëherë çfarë e pengon kryeministrin të veprojë?

Duke lënë mënjanë disa shpjegime të tjera mendojmë se, për momentin, ajo që frenon është nevoja e reformës në drejtësi. Rama nuk është zhveshur ende nga iluzioni se reforma në drejtësi do votohet edhe nga Berisha. Edhe pse e thotë troç në publik se Berisha me të vetët kanë arsye, për shkak të korruptimit të tyre të djeshëm në qeverisje, t’i tremben reformës. Ky argument, që ai vetë e shqipton, duhet ta bëjë të kuptojë se Berisha mund të pranojë të votohet vetëm një reformë drejtësie që nuk sjell ndëshkim për korrupsionin e tij dhe ish-qeverisë së tij. Pra një reformë që nuk është reformë. Një “reformë” që nuk do ta prekte sundimin e klasës politike mbi prokurorë e gjykatës. Vetë drafti i reformës, i sapo paraqitur nga PD, është provë për këtë. Por Rama, madje jo vetëm ai por edhe ndërkombëtarët Lu, Vlahutin etj., besojnë se Berisha mund të kandiset të votojë reformën. Prandaj, edhe në këtë rast, Rama ngurron të kërkojë dorëheqjen e Ajazit apo Nishanit duke mos dashur t’i japë Berishës një alibi për mos votimin e reformës në drejtësi.

Por gabon. Sepse Berisha do gjejë pa fund alibi të tjera. Vetë drafti i sapo paraqitur nga PD është një tjetër alibi. Vetë skandali i përgjimeve ishte një intrigë për ta larguar politikën nga shtrati i reformës. Por kjo nuk do të thotë se mosndëshkimi, siç e kërkon e drejta, i autorëve të këtij mashtrimi publik, do ta mbajë Berishën të angazhuar për një reformë që nuk e ka dashur kurrë.

Ka ardhur koha që ndërkombëtarët, baballarët e vërtetë të reformës në drejtësi, dhe shumica në pushtet, të pajtohen me faktin se reforma duhet të ecë përpara edhe pa Berishën dhe klanin e tij. As ndërkombëtarët, as Rama, as Meta dhe shumica, nuk mund të justifikohen për ngecjen e reformës që do ta shkëpusë Shqipërinë nga këneta e krimit dhe e korrupsionit, duke thënë: Nuk na la Berisha! Nga bërja ose jo e reformës varet integrimi i Shqipërisë, hapja e negociatave me BE. Ky tren nuk mund të humbet sepse një autokrat i rënë nga vakti bën sikur e ha meraku për pavarësinë e institucioneve që do i kapka Rama por që ai i ka përdhunuar sa herë ka dashur! Kësaj komedie duhet ti jepet fund! Prandaj reforma duhet të shkojë sa nuk është vonë për votim në Parlament. Dhe nëse atje deputetët e PD mbeten në unitet me Berishën duke mos e votuar reformën, atëherë atyre duhet t’i kërkohet të votojnë pro një referendumi për reformën. E në rast se berishistët nuk votojnë as referendumin pra, që reforma në drejtësi të miratohet nga Sovrani, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Me shpresën se prej andej do të dalë një parlament me një dedikim më të fuqishëm ndaj reformës që do përcaktojë fatin e Republikës.DITA

SHKARKO APP