Objekti misterioz i afrohet sistemit tonë diellor
Një asteroid i vogël apo kometë që është pikasur t’i afrohet sistemit tonë diellor, mund të ketë ardhur nga ndonjë pjesë tjetër e galaksisë, thonë shkencëtarët amerikanë, ndoshta duke shënuar të parin vizitorë të tillë ndëryjor të parë nga toka.
Objekti misterioz, i njohur deri më tani vetëm si A/2017 U1, u zbulua më herët këtë muaj nga një kërkues që po përdorte një teleskop të sofistikuar në universitetin e Hauait, që në mënyrë të vazhdueshme skanon universin për një fenomen të tillë.
Masa, me diametër 400 metra, shumë shpejt u vu në objektivin e shkencëtarëve, kjo edhe për shkak të orbitës së saj ekstreme…vinte nga drejtimi i konstelacionit Lira, thuajse direkt mbi planin eliptik ku planetet dhe asteroidët e tjerë rrotullohen rreth diellit.
Ai kaloi nën këtë plan, jashtë orbitës së Mërkurit, më 2 shtator, para se të përthithej nga graviteti masiv i diellit duke bërë një kthesë të dukshme nën sistemin tonë diellor. Distanca më e afërt me tokën e objektit ishte rreth 15 milionë milje, distancë kjo e arritur më 14 tetor.