Oferta programore në kushtet e tregut audioviziv numerik

 Nga Dr. Arben MUKA/Procesi i kalimit të transmetimeve audiovizive nga analogu në dixhital tokësor është si një kapërcim revolucionar në tregun audioviziv: përmirëson ndjeshëm cilësinë e treguesve teknikë dhe teknologjike, por dhe shumëfishon përmbajtjet e emetuara. Një ndryshim thelbësor dhe kapilar që ndryshon performancën e ofruesve të shërbimit mediatik audioviziv, por dhe sjelljen e konsumatorit, ndjekësve të programeve.

Në zbatim të Strategjisë Kombëtare të Digjitalizimit, si dhe kërkesave të ligjit organik 97/2013 “Mbi transmetimet audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, qasja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, ka qenë dhe mbetet për të mos e shikuar procesin thjesht si një transformim rrënjësor teknik dhe akses me rreze të gjerë për përdoruesit. Me kujdesin maksimal Autoriteti mbetet i investuar dhe me ndjeshmëri të lartë për përfitimet e qytetarëve nga përmbajtjet e emetuara në rrjetet numerike të ndërtuara nga aktorë publikë e privatë të tregut audioviziv.

Që do të thotë se përballë alternativave të shumëllojshme të rrjeteve qytetarët të kenë mundësi të afrohen tek platforma më e dobishme për ta nga pikëpamja e përmbajtjes. Që do të thotë dhe se përzgjedhja e ofertës të lidhet me prioritet me cilësinë programore: në çfarë mase fluksi i përmbajtjeve do të përmbushë nevojat për informacion, edukim e për argëtim. Kjo ndërthuret me sigurinë e aksesit për programe që ofrohen falas dhe ato me pagesë.

Nga diskutimi në nivel akademik dhe kërkimor që u zhvillua rreth 6 muaj më parë në Konferencën Ndërkombëtare mbi digjitalizimin që u mbajt në Tiranë, u artikuluan qartë dhe sfidat për rolin e AMA-s në ofertën programore në kushtet e një tregu shqiptar numerik. Studiuesi Mark Marku listoi disa nga treguesit thelbësorë që Autoriteti duhet të garantojë: …“programet e diversifikuara; paanshmërinë e informacionit; pluralizimin politik dhe diversitetin kulturor; ruajtjen e kufijve mes informacionit dhe publicitetit; garantimin e standardeve të programeve dhe bashkëpunimin me audiencat për kontrollin e këtyre standardeve;mbrojtjen e disa kategorive moshore nga dhuna dhe pornografia; aksesin në informim për grupet e margjinalizuara dhe minoritetet etnike.”

AMA edhe në kushtet e transmetimeve dixhitale tokësore mbetet e foksuar tek monitorimi dhe shqyrtimi i përmbajtjeve të emetuara. Për t’u siguruar për përputhshmërinë ligjore dhe zbatimin e kushteve të autorizimeve dhe licencave për ofruesit e shërbimit mediatik audioviziv. Në favor të mbrojtjes së kulturës apo gjuhës, drejt tematikave që ju drejtohen një numri sa më të madh konsumatorësh, në respekt të larmisë e traditave, besimeve fetare dhe moralit të qytetarëve; për informim sa më objektiv dhe të paanshëm, duke paraqitur në mënyrë të saktë faktet dhe ngjarjet, si dhe duke respektuar formimin e lirë të opinionit.

Në zbatim të ligjit 97/2013 dhe Kodit të Transmetimit përmbajtjet e emetuara përmes platformave numerike të respektojnë liritë dhe të drejtat themelore të shtetasve, veçanërisht të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e të miturve, duke mos lejuar të cenohet rendi kushtetues, sovraniteti dhe integriteti kombëtar, nxitja e intolerancës, urrejtja mbi baza gjinore, fetare, etinike, kombëtare dhe çdo formë tjetër diskriminimi.

Kanalet televizive lineare gjenden në kushtet e një konkurrence dyfishe në realitetin numerik. Së pari, atyre u duhet të përballen me konkurrencën e të ngjashmëve dhe së dyti, ndjejnë gjithnjë e më prezente formatin e transmetimit sipas kërkesës së vetë marrësit të shërbimit. Kjo sfidë e dytë është më e mundimshmja për to, pasi të gjitha parashikimet janë në favor të përhapjes në shkallë të gjerë të televizionit jolinear, sipas logjikës së konsumit programor përdoruesi zgjedh vetë “çfarë” dhe “kur”. Në një anketë që ka zhvilluar Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës në tetor të vitit të kaluar, 79% e të pyeturve preferonin ta ndiqnin programin që dëshironin në një kohë të zgjedhur prej tyre.

Një tipar tjetër në televizionin numerik është dhe interaktiviteti, ku ndjekësi i transmetimeve merr më shumë hapësira në fazat e procesit të ideimit dhe emetimit të përmbajtjeve, duke pasur mundësinë që të kontribuojë realisht para, gjatë apo pas emetimit të programeve.

Për AMA-n mbetet një fokus i veçantë në dinamikën e tregut audioviziv performanca e Transmetuesit Publik. Pavarësisht problematikës së tejzgjatur të zgjedhjes së menaxhmentit të ri të RTSH-së, AMA ka vijuar kontakte të drejtpërdrejta në të gjitha nivelet, përmes takimeve dypalëshe, në kuadër të agjendës së Sekretariatit Teknik të procesit të digjitalizimit, apo dhe nëpërmjet komunikimit shkresor zyrtar. Nga aplikimi i teknologjisë numerike RTSH-ja do të ketë një platformë të sajën me 12 kanale, që do të thotë shumëfishim të ofertës për ndjekësit. Nga informacioni që kanë prezantuar deri më tani përfaqësuesit e këtij institucioni, buqeta është projektuar të ketë: 2 kanale gjeneraliste dhe 10 tematike. Gjeneraliste janë RTSH 1 dhe RTSH 2, ku i pari do të jetë me të njëjtën strukturë programesh, sikur dhe TVSH-ja aktuale, por në formatin e transmetimit HD, High Definition, kurse kanali i dytë do të fokusohet më shumë tek problematika rajonale, bazuar dhe në qendrat e Transmetuesit Publik në Korçë, Shkodër, Gjirokastër e Kukës. Në fluksin e kanaleve tematike propozohen: RTSH 3, që mendohet të ketë në vëmendje diasporën, si dhe 9 kanale përmbajtja e të cilëve nënkuptohet dhe nga emërtimi, si RTSH Sport, RTSH Parlament, RTSH Aktualitet, RTSH Traditë, RTSH Diversitet, RTSH Histori, RTSH Fëmijë, RTSH Art/Kulturë dhe RTSH Film.

Vlerësuar vetëm nga ky listim tematik që ka propozuar RTSH-ja, platforma ndjell pluralitet dhe diversifikim të përmbajtjeve; është gjithëpërfshirëse sa i takon grupmoshave të audiencës; siguron ruajtjen dhe pasurimin e vlerave kombëtare dhe të traditës, duke garantuar bazueshmërinë në ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë.” Në vijim të arsyetimit teorik, një ofertë e tillë plotëson kushtet e një shërbimi mediatik publik që mbron interesat e publikut.

Por kujdes, buqeta 12 kanalesh ende nuk ka kaluar fazën e konsultimit publik, një akt me shumë rëndësi, për të cilin ligjvënësi detyron RTSH-në që ta kryejë, përpara se draft Kontrata e Shërbimit të miratohet nga AMA. Që në një gjykim të parë, në këtë ofertë evidentohet lehtë një ngjashmëri në ndarjen tematike të kanaleve. Kjo lidhet me identitetin dhe veçorinë e secilit prej kanaleve, që nesër në aplikim mund të dublojë produktin e emetuar. P.sh, mes kanaleve RTSH 3, RTSH Parlament dhe RTSH Aktualitet, të cilat janë me shumë pikëtakime përmbajtësore, mund të kishte një rikonceptim për të pasur jo 3 por 2 kanale, si pjesë e platformës. Po në të njëjtën logjikë mund të shihej dhe grupi i kanaleve RTSH Traditë, RTSH Histori, RTSH Art/Kulturë.

Një nga sfidat e mëdha të drejtuesve të rinj të RTSH-së, për kushtet numerike mbetet aftësia për t’u shndërruar në një burim multimediatik informacioni e argëtimi, në sinkron me mundësitë dhe aftësitë e ndjekësve, pajisjet dhe invetarin që ata përdorin për të arritur tek produktet e emetuara. Pa përdorimin e internetit kjo do të ishte e pamundur. Do të ishte një “vendnumëro” që do ta mbante në mënyrë refraktare ndjekësin e RTSH-së në kushtet e produktit linear të mëhershëm, në parametrat e produktit analog, duke injoruar të bërit televizion në kushtet e teknologjisë së avancuar, konvergjencës, aksesit gjithnjë e më të madh që kanë njerëzit në internet dhe nga fuqizimi i rolit të rrjeteve sociale.

Sikundër thekson studiuesi Petros Iosifidis, tek libri “Televizioni Publik në erën digjitale”, një nga dilemat e mëdha mbetet nevoja për investime në teknologjitë e reja të komunikimit, “të cilat lejojnë kanalet publike për të rifituar avantazhin e tyre dhe për këtë të luajnë rolin udhëheqës në kushtet e reja.” Formatet e reja të emetimit të përmbajtjeve audiovizive përmes aparateve celularë, si dhe prirja për të ndjekur produkte sipas kërkesës së përdoruesit janë e sotmja, që kërkojnë zgjidhje po sot në performancën e RTSH-së, që ajo të ndjehet e përshtatur dhe konkurruese në tregun audioviziv.

*Nga prezantimi në konferencën “Media e gjeneratës tjetër”, që u organizua dje në Tiranë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, në kuadër të kalendarit të veprimtarive “Java e Inovacionit 2016”

SHKARKO APP