Rama: “Ogerta për Tiranën”. Manastirliu takon studentët e arkitekturës
Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kanë ndarë pamje nga takimi që kandidatja për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu zhvilloi me studentë të arkitekturës, urbanistikës dhe dizajnit nga universitete publike dhe jopublike në kryeqytet.
“Ogerta për Tiranën”. Tirana 2030 për Shqipërinë 2030”, shkroi Rama në rrjetet sociale, duke shoqëruar pamjet nga takimi.
Takimi u mbajt në instalacionin më të ri të Tiranës, “Tirana Moons”, në sheshin “Nënë Tereza” – një vepër e studios arkitekturore “Precht”. Qëllimi ishte të krijohej një hapësirë bashkëbisedimi me të rinjtë për të ndarë ide mbi të ardhmen urbane të qytetit.
Manastirliu e cilësoi “Tirana Moons” si një model që mund të replikohet në zona të tjera të kryeqytetit:
“Ky oaz i gjelbër dhe krijimi i bibliotekës që rritet çdo ditë është ajo që të rinjtë presin dhe duan të shohin edhe në qendra të tjera të qytetit.”
Gjatë bashkëbisedimit, studentët ndanë vlerësime pozitive për zhvillimet arkitekturore në Tiranë, por ngritën edhe shqetësime për mungesën e hapësirave të parkimit. Manastirliu prezantoi planin për rijetësimin e hapësirave të çliruara dhe ridimensionimin e katit zero, duke e vënë atë në funksion të qytetarëve dhe biznesit.
“Kemi mbi 1000 hapësira tashmë të çliruara – 1000 mundësi më shumë për komunitetin, për fëmijët, për familjet, për biznesin. Harmonia mes tyre është thelbësore,” tha ajo.
KOHA JONË SONDAZH

