Olldashi më bëri gazetar?!

-Alo!…Polo…Jam Dashnor Mamaqi. Jam bërë me nip. Është ftohur, shejtani i vogël, edhe pse dy muaj…Po të dërgoj makinën. Do jem edhe unë në shtëpi…Një rrugë e dy punë. Vizito djalin dhe pimë nga një gotë “thanuqe”, si i thoni ju rakisë…

Pas dy orësh Polikroni u kthye. Buza vesh më vesh. Pse vallë?

-Dashnor Mamaqi është kryeredaktor gazetës “Zëri i Popullit”. I vizitova djalin e vajzës, Kozetës. Të voglin e quajnë Sokol Olldashi…I tregove se Mitroja jeton me mamanë. Kemi edhe një vëlla dhe një motër që jetojnë bashkë. Dua që Mitroja të punojë në Tiranë… Më tha. Do ta marrim Mitron në gazetë. Është më fat, se bankat varen nga ministria e Financave. Ministër është Sali Verdha. Kemi qenë në një brigadë. Unë komandat. Ai komisar. Nuk do ma prishi.

Një javë më vonë Dashnori i dha “sihariqin” vëllait…Pas një jave duhet të shkoja në gazetë…Nëpër shkallë takova Fatmir Kumbaron. Ishte gazetar i ri.

-Urime,- më tha.- Do bëhesh gazetar. O je me fat. O mikun e ke me nishane.

– As kam shkruar, as kam ëndërruar e as kam penë për gazetar.

-Edhe djalli nuk është aq i zi sa thonë!…

Fatmiri kishte të drejtë. Miku im Sokol Olldashi, ishte edhe me pelena edhe me “bole “ të mëdha…Dhe paradoks! Unë jo vetëm që u bëra gazetar, por kam 42 vjet që nuk e “lëshoj penën nga dora.”

Po Sokol Olldashi? Nuk pata fat ta takoj. Në vitin 1975 Dashnor Mamaqi përfundoi në burg…Familja u shpërbë dhe u shpërnda…Mars 1991. Punoja në gazetën “RD”. Bie dera. Në zyrë hyri një djalë i ri.

-Kam bërë ca vjersha!

-Nuk botojmë vjersha…Po e hapëm lojën, do na mbysin. Gjysma e shqiptarëve janë poetë të lindur. Si të quajnë?

-Sokol Olldashi?!

-Hajde dynja, hajde?! Kur ishe me pelena “ndërhyre” tek gjyshi të bëhesha gazetar. Pas 20 vjetëve po të laj borxhin: Po të botoj disa vjersha…

Në vitin 1999-të shkrova një cikël artikujsh me titull “Kronikë e një politikani të dështuar”. I botova në gazetën “Albania”. Sokoli ishte zëvendëskryeredaktor. Ishte i pari që “firmoste” për botim. Kur përfundonte një artikull më thoshte: “Shumë borxhe më ke Mitro Xhani! Nuk lahesh me tre strofa që më botove tek “RD”-ja?!”

Kam edhe një episod, që ja vlen të tregohet. Në dosjen (23) të botuar më 30 korrik ’99-të, këmbët i kisha nxjerrë jashtë jorganit! Në darkë, ra telefoni:

-Alo! Mitro? Jam Sokol Olldashi. Artikulli është tepër i gjatë. Duhet shkurtuar! Ku duhet ta vëmë gërshërën?

-Nuk ka gërshërë për kronikat e mija! Unë e kam deklaruar! Artikujt me firmën time janë si diskutimet e shokut Enver: Nuk shkurtohen! "Natën e mirë".

-Zoti Mitro, mendohu mirë! Mos e merrni kaq rrëmbyer! Pastaj kanë ndryshuar kohët. Ti ke ndonjë ide?

-Idetë unë i kam badjava: Për rastin konkret, do të ishte e rrugës të zgjeroni faqen e gazetës!

-Ka probleme teknike! Këtu kam Laurën, që bën faqosjen. Edhe ajo thotë se duhet vënë gërshërë!

-Olldash! Je edhe gazetar me përvojë! Pse e thua kryesoren në fund! Ti e njeh dobësinë time për biondet! Mund të bisedoj me Laurën? "Alo, merr gërshërën dhe prit ku të duash dhe çfarë të duash, nga mesi e lartë…i kronikës! Kur fut ti duart, fle i qetë!”

Në mëngjes mora gazetën. Çdo gjë perfekte. Kisha vetëm një detaj. Koka e kronikës doli të ënjten. Trupi do të botohet të dielën! Nuk u shqetësova, precedenti ekziston: Koka e Ali Pashë Tepelenës prehet në Stamboll. Trupi në Janinë!

SHKARKO APP