Opinion për opinion
Nga Hyskë Borobojka
Që nga dita e parë e javës dhe deri në përfundimin e saj, në disa nga ekrane televizorëve, vazhdojnë siglat e rubrikës “Opinion”, të cilat nuk pushojnë deri në mesin e natës. Drejtuesit e kësaj rubrike, për mbarëvajtjen e saj, marrin masat e duhura, duke ftuar opionistë nga më të thekurit e vendit, për të dhënë mendime të vlefshme e të mençura. Në radhë të parë janë të ftuarit e përhershëm “kompetentët”, që janë “specialistë” për të gjitha. Përse i do e nuk i ke ata: Politikanë të mbaruar për të gjitha filozofitë e botës. Historianë që e njohin këtë disiplinë në majë të gishtave, nga lashtësia e deri në ditët tona. Ekonomistë të zotë, që i kanë zili edhe ekonomistët më të mëdhenj të rruzullit. Profesorë me mjekër. Njohës të zakoneve e traditave të vendit. Gjeografë të zgjedhur, që i dinë me pëllëmbë vendet, buzë detit a rrëzë malit, për të kaluar pushime e festat tyxharët. Bashkimet bashkëshortore e ndarjet me të gjitha format idilike, vetëm ata i dinë, jo si kanë ndodhur por dhe si mund të ndodhin. E përse diskutohet në këto studio e nuk janë “kompetentë” me “K” të madje ata?!
Nuk mungojnë pa u ftuar edhe politikanët nga të dy krahët e politikës, të majtë e të djathtë. Drejtuesit e kësaj rubrike e kane merak vetë, që të majtët t’i vendosë në kolltukët e krahut të majtë dhe të djathtët t’i rehatojë në kolltukët e krahut të djathtë. Ata vetë qëndrojnë, si qiri në këmbë, në mes tyre, duke u përpjekur me mish e më shpirt t’i shtrinë në brazdën e “konsensusit” të dy krahët. Po meazallah se ata nuk duan të dëgjojnë e të bien në ujdisë. Secili, si shoshari, që lëvdon shoshën e tij, lëvdojnë e ngrenë në qiell cilësitë e rralla të forcës politike që përfaqëson, duke mos i kursyer arsyet e mosarsyes, që vërtetojnë arsyet e mosarsyeve. Natyrisht nuk harrojnë as ofendimet e prozvalet, dhuratë nga njërën palë për palën tjetër e anasjelltas, jo sikur të jenë “opozitar-vëllezër”, por armiq të betuar. Natyrisht, në diskutimet, fjalimet e ligjëratat e tyre nuk mungon edhe ndonjë fjalë e huaj, si dhija bravare në mes të dhenve.
Drejtuesit e kësaj rubrike të shquar, qëndrojnë gjithnjë më këmbë në mes të dy grupeve, në xhaketën të varur në supet si në kremastar dhe, kur ndonjëri mban në dorë edhe ndonjë shkop, të nxjerr mallin e dirigjentit të orkestrës simfonike apo overturës operistike.Të ftuarit janë zevzekë. Sa hap gojën të flasë e të japë opinionin e tij i ftuari i njërit krah, ia rrëmben pa dalë mirë nga goja i ftuari i krahut tjetër.
-Ti zotni që ke ardhur këtu të përfaqësosh opozitën, mësoje prej meje dhe vere vëth në vesh. Kur na dorëzuat pushtetin na e latë arkën e shtetit bosh, sa po të bjerë miu në të thyen turinjë!-flet përfaqësuesi i pozitës..
Por të ftuarit e palës tjetër e kanë në majë të gjuhës përgjigjen me zë të lartë sa dridhen qelqet e dritareve, duke u kujtuar premtimet e bujshme të bëra gjatë fushatës elektorale. Premtimet për shëndetësinë falas, për çmimit e energjinë elektrike që do ta ulnin, por në të vërtetë i ngritën aq lart sa të papunët e pensionistët s’i arrijnë dot.
Studioja merr zjarr si dëllinja e thatë në verë. Njëri nga të ftuarit ngrihet më këmbë e i shfryn kundërshtarit se ke katërmbëdhjetë minuta, që po dërdëllit e s’po thotë asgjë.
-Kush po grin lakra, ti që s’di çfarë broçulla thua apo unë? – i ngrihet tjetri e i vete aq afër sa maja e hundës gati të puthet me gojën e tjetrit ftuarit.
-Ti, more zotni, që fillon e s’di t’i mbarosh budallallëqet!
-Jo unë po ti, që ke ardhur të flasësh me gjuhën e Sali Berishës
-Jo unë me të Saliut, por zotrote me këmbë e duar, si kryetari yt Edi Rama.
-Zotrote je veqil i kryetarit tënd që ke ardhur këtu të na tregosh përralla me mbret!-i turret tjetri, me aq vrull gati ta përpijë.
Në këtë situatë të vështire, ku s’e merr vesh qeni të zotin, fjalët hidh e prit, rrokullisen plot zhurmë, si zajet në lumenjve, përrenjve e rrëkeve malorë, aq sa të ftuarit në këtë rubrikë të shquar mund të sulmojnë njeri tjetrin me grushate, si në Parlament. Drejtuesi i emisionit me shkop në dorë e ndjen veten keq e kërkon të verë rregull e disiplinë, duke caktuar për secilin nga dy minuta kohë për të folur. Por ç’e do, ky manovrim e rregull nuk pi ujë. Sa nis të flasë njëri, po shpenzuar as një të 120-tën e kohës së caktuar, ia rrëmben fjalën tjetri. Madje flasin të dy bashkë duke i ngatërruar e bërë lëmsh fjalët, aq shumë sa s’merret vesh asgjë, përveç zhurmës e ofezave. “Opozitarë po vëllezër” kanë arritur në atë fazë që as shohin e as dëgjojnë. Ata që kanë ardhur në studio e qytetarët pranë ekraneve të televizorëve s’marrin vesh fare se ç’thotë njëri e ç’far flet tjetri. Kusrmadhi drejtues, me shkop në dorë e sheh veten ngushte, si ai me tre pleq, që s’di kujt t’ia prishë e kujt t’ia dreqë. Në këtë mes s’i mbetet gjë tjetër veçse të shpallë sinjalin “Sos”, duke thirrur, me sa fuqi ka parullën ”shpëtimtare”: “Publicitet”, që t’i nxjerrë të ftuarit jashtë studios, pa pësuar ndonjë cen. Ndërsa spektatorët në studio dhe ata të tjerët përpara ekraneve të televizorëve, pyesin veten: Ku ishe? Hiçgjëkundi!
-More gjë vesh?- pyet njëri.
– Si ç’hyra dola, opinion për opinion, kush e sheh kush e dëgjon!- përgjigjet tjetri.