Opozita, që po na bën gazi i botës
OPINION
Nga Zef Shtjefni
Një eurodeputet italian, që me sa dukej nuk e kishte mendjen kur po fliste Luli ynë në takimin e PPE-së në Bruksel, para dy ditësh, e pyeti kolegun e tij ngjitur: “Ma questo e’ serbo. . 6?!” (Po ky, a është serb. !?). Ndërkohë Luli ynë i mëshoi tonit të tij “triumfues” në PPE, me akuza të rënda kundër Kryeministrit Rama, Kryetarit të Parlamentit Meta dhe Ministrit Tahiri për gjoja lidhjet e tyre me krimin në vend, për emërimin në shumë poste drejtuese, deri në parlament të kriminelëve, për instalimin në Shqipëri të bandave më të rrezikshme, për ngritjen e fabrikës më të madhe të kokainës në rajon me vlerë rreth 1 miliard euro, për lulëzimin e të gjitha llojeve të trafiqeve, si dhe rritjen e pasigurisë totale në vend nga Qeveria Rama-Meta. Pra, njësoj siç kanë bërë me Berishën në prag të marrjes së statusit, ku nuk lanë baltë pa lëshuar kundër Shqipërisë dhe Qeverisë së saj. Një turp që po e hanë me bukë tash sa herë dhe që po na bën vërtetë gazi i botës, pa llogaritur dëmet e shumta ekonomike, politike dhe morale që i sjellin vendit. Çdo shqiptar, por sidomos ata që jetojnë e punojnë jashtë vendit, ndihen keq e prekën kur dëgjojnë politikanët e Shqipërisë të flasin me këtë gjuhë për vendin e tyre. Kështu që shpjet mund të vijë dita që dhe të reagojnë, apo dhe t’i presin me rripa e shpulla deri në Bruksel këta sharlatanë, që thjeshtë për interesa të pushtetit të tyre të humbur, shajnë, nxijnë e dëmtojnë rëndë imazhin e popullit, shtetit dhe atdheut të vet. Po të ishte se bëhet gazi i botës vetëm PD-ja, do të ishte e keqja më e vogël. Por, të përgojosh kështu gjithë institucionet e vendit, gjithë reformat, investimet, vlerat pozitive e çdo gjë të mirë të Shqipërisë, kjo është një vetëvrasje e vetdiskretitim politik absurd! Kur tanët flasin me këtë gjuhë të shpifur, çfarë duhet të mendojnë të tjerët!? Por le të ndalemi këtu vetëm për të keqën që PD-ja po i bën vetës. Mua më duket se Ajo, në radhë të parë, po e bën vetën gazi i botës. Mos ta harrojmë se çfarë nami lanë nëpër Europë, kur u erdhi veza dhe po u skadonte afati i mandateve. Nuk dinin se si të riktheheshin në Parlament. Rrezikonin t’u ndahej në dysh grupi dhe si rrugëdalje gjetën shpifjet e vrerin kundër Ramës e Metës, të cilët jo vetëm nuk kishin lidhje me daljen e tyre jashtë Parlamentit, por u janë lutur thuajse në gjunjë, që të riktheheshin në vendin e tyre të punës. Në fund u rikthyen të menderosur, por prapë krekoseshin se gjoja ishin rikthyer me një garanci të europianëve për: pastrimin e Parlamentit nga kriminelët, që Pozita të zbatonte vendimet e Kushtetueses dhe të mos përdorte mazhorancën në miratimin e ligjeve! A ka gjëra më qesharake se këto! Kujt ia kërkojnë përjashtimin e deputeteve nga parlamenti këta të PD-së? Ramës e Metës? Hajde demokratë, hajde politikanë që kemi! Basha, duket se i mendon të gjithë si Berisha i tij i mbipushtetshëm! Nëse kemi elementë kriminalë në parlament, besoj e di gjithë Shqipëria, se këto i ka futur PD-ja me shumicë e me sistematikë. Mbase edhe Rama e Meta e hëngrën atë “kokërr ulliri” në zgjedhjet e fundit, sepse dyshuan se nuk i bëhej ballë pa njerëz të fortë vjedhjeve të Sali Qoftëlargut. Por, nëse doni vërtetë pastrim, tani duhet të flasin vetëm organet e drejtësisë, o Lul. Dërgoni atje listat dhe kini durim të prisni. Nëse dhe në Prokurori e Drejtësi kemi njerëz të inkriminuar e të korruptuar, kush tjetër përveç jush, e ka fajin!? Nëse doni t’i reformoni organet e Drejtësisë, uluni pra, se po ju lusin. Nëse jeni penduar dhe nuk doni ta përsërisni më inkriminimin e administratës e Parlamentit të ardhshëm, uluni pra, se dhe për këtë po ju presin e po ju lusin. Si nuk e kuptoni që dhe me reformën territoriale u bëtë gazi i botës!? Ju pritën e ju lutën një vit me radhë, që ta thonit fjalën dhe mendimin tuaj. Por ju, hiç! Pastaj thatë se Pozita nuk zbaton vendimet e Kushtetutës, dhe nga ana tjetër vetë e kundërshtuat hapur vendimin e fundit për ndarjen territoriale! Kjo do tw thotë të bëhesh vërtetë gazi i Europës dhe i Botës. Në të gjitha këto zallamahi tuajat, sinqerisht një gjë nuk arrijmë ta kuptojmë: Çfarë kërkon PD-ja nga territorialja, kur pushteti yt si Kryetar Bashkie në Tiranë, të dhjetëfishohet!? Edhe sot me Bashkinë ke pushtet më shumë sa gjysma e Qeverisë. Për çfarë interesi qytetar flet t’i, që për 4 vjet nuk na bëre as vija të bardha, e as na mbylle gropat në rrugët e Tiranës. Nuk na rregullove semaforët e as tregjet e rrugëve. Leri ma koshat e plehrave! Ty dhe PD-së së Saliut, mbase u duhet kaosi organizativ, që ishte, për të bërë rrush e kumbulla buxhetin e shtetit me ëndrra tramesh e bulevardesh madhështore, ose për të dhënë asi lloj lejesh ndërtimi për 17 katëshe poshtë Digës së Liqenit. Apo që të lejosh asi mostra ndërtimi, si ai para ish-selisë së PD-së, ku nuk latë as dhe 1 m2 lulishte. Tani, që edhe turpin e bojkotimit të zgjedhjeve e hëngrët me bukë, po kërkoni t’u mbushni mendjen europianëve se Rama e Meta vjedhin zgjedhjet, e për këtë na paskeni faktuar Korçën, të cilën e humbet 8 me 2. Po leni nam, më keq se ai Saliu, të cilin tani e beson vetëm Berisha. Nuk ka vëzhgues e politikan në Europë që nuk e di se sistemin e vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri i ka vjedhur vetëm ai person, që tashmë nuk kanë dëshirë as t’ia përmendin emrin. Pyete Sekretar Ristanin, se ta tregon më saktë. Ose, kur akuzoni kundërshtarët tuaj për laboratorin e drogës, të vjen të gajasesh nga marrëzia logjike! E kush ka gojë të flasë për drogën. Ti, si ish Ministër i Brendshëm, apo ai Kapoja jot? Ju, vetëm sa nuk pëlcitet, që nuk merrnit dot armët, si në kohën e Nanos, që të ndihmonit drogaxhinjtë e Alikon tuaj, kur Policia mposhti me luftë disa javore kriminelët dhe drogaxhinjtë në Lazarat, Krujë, Lumin e Vlorës, Dukagjin dhe ktheu Shqipërinë nga rruga e Kolumbisë, që ju e kishit futur. Mënyra se si e keni qeverisur vendin, ajo se si po bëni opozitë, akuzat, shpifjet dhe fjalori i ndyrë e kriminal që nxirrni për goje çdo
ditë, hajdutërit, kriminelët dhe drogaxhinjë që thërrisni nëpër mitingje etj, ju kanë bërë Juve dhe PD-në gazi i Shqipërisë, por njëkohësisht po na bën të gjithave gazi i Botës.