Opozita rikthehet në tryezën për territorialen, Arbjan Mazniku: Vijojmë me urgjencë punën
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale është mbledhur ditën e sotme, me prezencën e opozitës. Bashkëkryetari i kësaj reforme, Arbjan Mazniku, theksoi se është shumë e rëndësishme që ta fillojmë këtë proces, për një nga reformat më të rëndësishme që vendi ka para. “Të kalojmë nga dakordësia për të punuar, në punën që duhet bërë”, tha ai.
Ndërkohë që opozita përmes bashkëkryetarit Luçiano Boçi, ka shprehur pasiguri për produktin final që do të gjenerojë kjo reformë dhe kërkoi ” garanci” për një produkt të përbashkët të dakordësuar. Në përgjigje të Boçit, Mazniku tha se mazhoranca dhe ky komision i ka dhënë të gjitha garancitë opozitës, ndërsa theksoi se “kjo reformë do i shërbejë vendit nëse ia dalim ta kalojmë bashkarisht”
“Kemi një dritare shumë specifike për këtë reformë. Me shumë gjasa në vitin 2029-2030 Shqipëria do të bëhet vend anëtar i BE-së. Ndaj na duhen bashki të afta për të tërhequr financime dhe projekte nga Bashkimi Europian për territorin e tyre. Këtë dritare ne nuk duhet ta humbasim, ndaj është shumë e rëndësishme që ta kryejmë këtë reformë para zgjedhjeve të vitit 2027.
Detyra që ne kemi është që të axhustohemi në raport me këtë dritare. Duhet të kuptojmë që do bëjmë diçka që është për të mirën e vendit Në këto 6-muaj duhet të përgatitemi për një axhendë shumë të ngjeshur pune”, theksoi Mazniku në përgjigjen e tij ndaj pasigurive të shprehura nga bashkëkryetari Boçi.
KOHA JONË SONDAZH





