Organizata “Çopja” nuk e harroi Altin Ndocin: SKY ECC, planet për lirimin dhe arratisja

Arratisja e Altin Ndoci nga spitali i Durrësit nuk shfaqet si një akt i izoluar apo spontan. Përkundrazi, ajo merr një tjetër kuptim në dritën e dosjes së organizatës kriminale “Çopja”, ku Ndoci përmendet si një element i rëndësishëm dhe aktiv, i cili – sipas hetimeve – nuk është lënë kurrë në harresë nga grupi.

Në dosjen e SPAK për organizatën “Çopja”, komunikimet e përgjuara në SKY ECC tregojnë se, ndërsa Altin Ndoci përballej me drejtësinë, anëtarë të tjerë të grupit që ndodheshin jashtë diskutonin hapur se si ta lironin “gjuajtësin”, pasi sipas tyre kishin mbetur pa qitës.

“Kokë çami” dhe mbështetja mafioze

Swiss Digital Desktop Reklama

Në këto komunikime, Ndoci përmendet me nofkën “kokë çami”. Sipas SPAK, anëtarët e grupit nuk flisnin vetëm për plane lirimi “me çdo kusht”, por edhe për:

Swiss Digital Mobile Reklama

mbulimin e shpenzimeve familjare,

pagesat për avokatët,

dhe sigurimin e heshtjes së tij.

SPAK e cilëson këtë sjellje si metodë tipike mafioze, e përdorur për të mbajtur të lidhur anëtarët e grupit dhe për t’u dhënë mesazhin se organizata nuk i braktis njerëzit e saj, edhe kur ata ndodhen pas hekurave.

Akuzat e rënda: vrasje, grabitje dhe krim i organizuar

Në këtë dosje, Altin Ndoci – tashmë në arrati – akuzohet nga SPAK për:

vrasjen e trefishtë në Bradashesh të Endrit Alibej, Arben Dylgjerit dhe një shtetasi turk;

vrasjen e Kelvi Brahos;

pjesëmarrje në veprimtari të grupit të strukturuar kriminal “Çopja” në Elbasan.

Sa nëpërmjet dëshmive të bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani, aq edhe përmes komunikimeve në SKY ECC, Ndoci shfaqet si një figurë kyçe në disa prej episodeve më të rënda kriminale të viteve të fundit.

Refuzimi i planit 1 milion euro për një vrasje

Sipas SPAK, Ndoci del edhe në një episod ku refuzon një plan prej 1 milion eurosh për të vrarë Erjon Alibej, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim, duke e cilësuar planin si të pamundur për t’u realizuar. Ky fakt, sipas prokurorisë, tregon jo vetëm njohjen e planeve kriminale, por edhe pozicionin e tij brenda strukturës.

Po ashtu, Ndoci përmendet si i përfshirë në grabitjen e rreth 5 milionë eurove në pistën e Rinasit, një nga grabitjet më të bujshme në Shqipëri.

Nga Haxhia te Bradasheshi: një dosje që u zgjerua

Përballja e parë e Altin Ndocit me SPAK ishte për vrasjen e Besmir dhe Viktor Haxhisë, si edhe të Anxhelo Avdisë dhe Dorian Shkozës. Hetimi nisi mbi bazën e rrëfimit të Klevis Allës.

Më pas, SPAK u tërhoq nga këto akuza, jo për mungesë dyshimesh, por sepse – sipas organit të akuzës – u hap një dosje edhe më e rëndë, bazuar në dëshmitë e Nuredin Dumanit dhe komunikimet në SKY ECC.

Në seancat gjyqësore, Ndoci përshkruhet si i qetë dhe gjakftohtë, ndërsa përmes avokates së tij ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në krimet e rënda.

Nga qelia në arrati

I konsideruar si i burgosur me rrezikshmëri të lartë, me një dosje të hapur dhe me akuza për krim të organizuar, Altin Ndoci sot hyn në listën e personave më të kërkuar nga SPAK.

Ndryshe nga shumë të tjerë që SPAK nuk ka arritur t’i kapë, Altin Ndoci ndodhej në qeli. Dhe pikërisht nga aty, nën ruajtje shtetërore, ai u arratis.

Një fakt që sot rëndon jo vetëm mbi historikun e tij kriminal, por edhe mbi përgjegjësinë e institucioneve që kishin për detyrë ta ruanin.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?