OSBE, Borchardt: Vëzhgimi i zgjedhjeve të jetë i pavarur dhe profesional
Kryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt tha se vëzhgimi i zgjedhjeve duhet të jetë i pavarur, i paanshëm dhe profesional. Në konferencën me temë “Vëzhgimi i numërimit të votave nga vëzhguesit vendorë” ambasadori tha se vëzhguesit janë rojtarët e vërtetë që ndihmojnë në frenimin e mashtrimeve zgjedhore.
Bernd Borchardt: OSBE-ja e mbështet fuqishëm pjesëmarrjen qytetare në proceset demokratike – vëzhgimi i zgjedhjeve është një prej shumë aspekteve të këtyre proceseve. Vëzhguesit zgjedhorë janë sytë dhe veshët e publikut në proceset zgjedhore, rojtarët e vërtetë që ndihmojnë në frenimin e mashtrimeve zgjedhore dhe në identifikimin e parregullsive të procesit dhe që me vlerësimin e tyre përfundimtar rezultojnë në fund të jenë zëri i qytetarëve. Por, për ta arritur këtë, vëzhgimi i zgjedhjeve duhet të jetë vërtet i pavarur, i paanshëm dhe profesional.
Ambasadori Borchardt përgëzoi shoqërinë civile duke thënë se jabë forca shtytëse për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Bernd Borchardt: Më lejoni të përgëzoj të gjitha organizatat e shoqërisë civile të pranishme këtu sot që janë investuar me përpjekjet e tyre për të rritur ndërgjegjësimin rreth parregullsive në zgjedhje dhe për t’i bërë institucionet që të japin llogari. Ju jeni forca shtytëse për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Më erdhi mirë që mësova se OJQ-të i kanë akredituar tashmë vëzhguesit e tyre për zgjedhjet e 25 qershorit. Shpresoj që me ta të bashkohen edhe të tjerë vëzhgues vendorë në ditët në vijim.