OSBE, konkurs gjyqi imitues me studentë të Avokatisë

Finalja e një konkursi gjyqi imitues, me studentë të Shkollës Kombëtare të Avokatisë, u zhvillua sot në mjediset e Gjykatës së Lartë.

Konkursi u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me synim përmirësimin e aftësive profesionale të avokatëve të rinj. Tetë skuadra me nga katër pjesëtarë konkurruan mes tyre gjatë kësaj jave dhe dy skuadrat më të mira u përballën në finalen e sotme.

Duke folur në hapje të veprimtarisë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig, tha se, shpeshherë, përpjekjet për përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri përqendrohen te gjyqtarët dhe prokurorët, ndërkohë që avokatët kanë të njëjtën rëndësi thelbësore si ata, veçanërisht në çështjet civile.

Ai u bëri thirrje të gjithë avokatëve, veçanërisht të rinjve, që të punojnë fort, në mënyrë që të rriten profesionalisht. “Mbi të gjitha, mos harroni kurrë parimet bazë të këtij profesioni: ndershmërinë, pavarësinë, integritetin, përkushtimin dhe besnikërinë ndaj klientit”, tha Raunig. Finalistët e konkursit të gjyqit imitues i përshëndeti edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhevair Zaganjori.

SHKARKO APP