OSHEE: 429 mijë aktmarrëveshje për pagesat me këste dhe ulje kamate
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE) njoftoi sot se vijon të nënshkruajë aktmarrëveshje me abonentët debitorë, si mundësi për të shlyer detyrimin me këste apo t’u reduktojë kamatën në rast te pagesës së menjëhershme.
Të dhënat nga Divizioni Tregtar, pranë kompanisë, tregojnë se në periudhën prej muajit dhjetor 2014, kur nisi aplikimi i skemave lehtësuese, e deri në fund të muajit maj 2016, janë nënshkruar 429,005 aktmarrëveshje midis OSHEE-së dhe abonentëve debitore, të kategorive të ndryshme, si privat, familje, me ndihmë ekonomike, pensionistë, etj.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se 215,149 abonentë kanë përfituar reduktim të kamatës në masën 70-80% si pagues të menjëhershëm të detyrimit, kurse 114,841 abonentë familjarë kanë lidhur aktmarrëveshje duke e paguar detyrimin me 2500 lekë kësti në muaj.
Vlen të theksohet se OSHEE u ka dhënë mundësi familjeve me ndihmë ekonomike, atyre me kryefamiljarë pensionistë, etj, që ta paguajnë këstin me 1000 dhe 1200 lekë në muaj. Përfitues të kësaj skeme janë rreth 55 mijë abonentë.
18,408 aktmarrëveshje janë me abonentët jo-familjarë, të cilëve u është dhënë mundësia për ta shlyer me këste sipas vlerës së detyrimit, apo dhe pagesës së menjëhershme, duke përftuar reduktim kamate në nivelin e 50%.
OSHEE thekson në fund se vlera e kamatvonesës së reduktuar nga skemat e pagesës së menjëhershme është 45 milionë dollarë.