OSHEE: Debitorët të shfrytëzojnë afatin për pagesat me këste

Administratori i OSHEE-së, z.Adrian Çela, inspektoi sot Zyrat e Kujdesit ndaj Klientit, ku paguhet fatura e dritave dhe ofrohet shërbimi ndaj abonentëve. Duke marrë shkas nga flukset e ditëve të fundit të muajit shkurt, administratori ftoi mediat të shikonin nga afër situatën në sportelet e OSHEE-së, ku dha prononcimin e rastit.

“Siç e shikoni dhe vetë, pasi keni qenë dëshmitarë të radhëve pafund për të paguar dritat dhe lidhur aktëmarrëveshje me OSHEE për pagesat me këste, si pasojë e afrimit të skadimit të datës 28 shkurt, sot që flasim situata duket e normalizuar.

Të dhënat për muajin shkurt flasin për një numër aktmarrëveshjes në rreth 110 mijë, shifër kjo rekord. Kompania mori masa për të shtyrë afatin deri më 31 mars, për tu dhënë mundësi të gjithë atyre që nuk e menaxhuan si duhet kohën.

Por sot dua të ndalem pikërisht të ky afat, te data 31 mars, e cila do të jetë e fundit. Konstatoj një normalizim të fluksit, të numrit të aktmarrëveshjeve, diku te 2000 kontrata në ditë, nga 9000 që ishte në ditët e fundit të shkurtit.

Afat tjetër nuk ka, prandaj askush të mos e lerë në ditën e fundit të hyjë në marrëveshje me OSHEE për pagesat me këste dhe ulje me 80% të kamatës”, deklaroi administratori Çela.

Në ditët e para të muajit mars janë lidhur rreth 6000 aktëmarrëveshje mes debitorëve dhe OSHEE, numër ky që pritet të rritet.

Sakaq, kreu i OSHEE u kujtoi bizneseve të bëhen pjesë e fushatës së re, për të paguar me këste detyrimet që kanë ndaj kompanisë. Deri më tani, janë lidhur 300 aktmarrëveshje. 

SHKARKO APP